Çfarë mbeti pa shpërthye nga Gjykata Speciale – cila është “Rrufeja” e radhës?

Politika

Çfarë mbeti pa shpërthye nga Gjykata Speciale – cila është “Rrufeja” e radhës?

Nga: N.Sh Më: 22 shtator 2020 Në ora: 22:15
Ilustrim

“Rrufeja 3”, është emëruar ‘operacioni’ apo vazhdimi i publikimit të dosjeve të Gjykatës Speciale nga personat e panjohur.

Edhe të martën, zyrtarët e OVL-UÇK-së, u befasuar kur përsëri një person shkoi aty si ‘bahçe të babës’ dhe dorëzoi disa dokumente të Gjykatës Speciale.

Për dallim nga hera e kaluar, kësaj radhe “Rrufeja 3” – dorëzoi propozim – aktakuzën e Gjykatës Speciale ku ‘tronditi’ opinionin me emrat e rinj që u përmenden.

Tashmë nuk është vetëm Hashim Thaçi e Kadri Veseli që përmendet si të akuzuar në aktakuzë.

Në listën e Gjykatës Speciale janë shtuar edhe emra të shquar të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së.

Azem Syla, Xhavit Haliti, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi mund të gjenden në bankën e të akuzuarve të Gjykatës Speciale.

Prokurori special më 24 Qershor 2020 , tronditi Kosovën kur doli në skenë së Thaçi e Veseli janë të akuzuar për shumë vepra penale.

Një aktakuzë prej dhjetë pikash është ngritur kundër presidentit të Kosovës Hashim Thaçi duke e akuzuar atë për krime që dyshohet se janë kryer në luftën për pavarësi të fundit të viteve 1990, përfshirë vrasje dhe tortura.

“Aktakuza pretendon se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuarit e tjerë të akuzuar janë përgjegjës për rreth 100 vrasje. Krimet e pretenduara në aktakuzë përfshijnë qindra viktima të njohura shqiptarësh, serbësh, romësh dhe të etnive të tjera të Kosovës dhe përfshijnë kundërshtarë politikë”.

“Zoti Thaçi dhe zoti Veseli besohet se kanë realizuar një fushatë të fshehtë për të rrëzuar ligjin për krijimin e Gjykatës dhe për pasojë për të penguar punën e Gjykatës në përpjekje për t’u siguruar që ata të mos përballen me drejtësinë”, është thënë nga Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës.

Ndërsa, të martën, kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, ka njoftuar se në dosjet e reja që janë dorëzuar në zyrat e tyre është një propozim-aktakuzë që përfshinë shefin e shtetit, Hashim Thaçin, kryetarin e PDK-së, Kadri Veselin, ish-deputetin e PDK-së, Azem Sylën, ish-kryeparlamentarin Jakup Krasniqi dhe shefin e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, madje përmenden edhe Xhavit Haliti dhe disa zona

“Flitet për dyshime, për ngritje të aktakuzave, për aktakuza që do të ngriten. Më gjatë se kisha çu, ky është njoftimi. Çdo dokument që na vjen prej tyre ne do ta bëjmë publike. Është një propozim-aktakuzë, Hashim Thaçi, Azem Syla, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Kadri Veseli. Përmenden edhe Xhavit Haliti dhe disa zona”, ka thënë ai.

“Sot ka qenë më i shpejtë se rrufeja. Rreth orës 15 minuta në 11 kanë ardhë dosje të tjera, na supozojmë që janë të dalura nga Gjykata Speciale. Ka emra të ndryshëm që ne s’jemi të autorizuar me i përmendë, është mirë që çdo gjë të hetohet edhe nga prokuroria vendore, me ditë kush po i sjell po i bjen te na. Kjo Gjykata ka bashkëpunua gjithmonë me Serbinë”, ka thënë tutje kreu i organizatës, Hysni Gucati.

Ndërsa, në dosjet paraprake që u janë dorëzuar organizatave të dala nga lufta, kanë qënë dëshmitë e dëshmitarëve.

Këto dokumente, kanë pas për qëllim frikësimin e dëshmitarëve, pasi që emrat që tashmë i kanë këto organizata nuk mund të jenë konfidencial, kjo për faktin se, krerët e OVL-UÇK-së, kanë thënë se ata janë bashkëpunëtorë të Serbisë.

Gjatë vitit të kaluar, më shumë se 100 njerëz, kryesisht ish-pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, janë thirrur për t’u marrë në pyetje nga Zyra e Prokurorit të Specializuar si të dyshuar ose dëshmitarë në lidhje me krimet që dyshohet se janë kryer gjatë luftës për pavarësisë të Kosovës nga Serbia midis 1 janarit 1998 dhe 31 dhjetorit 1999 në Kosovë.

Ndër ta kishte edhe ish-luftëtarë guerile të UÇK-së, të cilët janë bërë politikanë të profilit të lartë, siç është Ramush Haradinaj, i cili dha dorëheqjen si kryeministër i Kosovës pasi u thirr.

Dhomat e Specializuara të Kosovës do të dëgjojnë raste që dalin nga një raport i task forcës së BE-së, i cili tha se zyrtarë të UÇK-së mund të përballen me aktakuza për një “fushatë persekutimi” kundër serbëve, romëve dhe shqiptarëve të Kosovës gjatë luftës. Krimet e pretenduara përfshijnë vrasje, rrëmbime, ndalime të paligjshme dhe dhunë seksuale.

Raporti u autorizua pasi Këshilli i Europës publikoi një hetim në vitin 2011, i cili pretendonte se disa zyrtarë të lartë të Kosovës, përfshirë Thaçin, ishin përgjegjës për abuzime të ndryshme të të drejtave të njeriut. Thaçi i ka mohuar akuzat.

Negociatat për krijimin e gjykatës zgjatën nga viti 2011 deri në vitin 2015. Stafi i gjykatës përbëhet nga gjyqtarë dhe prokurorë ndërkombëtarë, edhe pse ajo funksionon në bazë të ligjeve të Kosovës.

Që nga përfundimi i luftës në Kosovë, komuniteti ndërkombëtar ka mbikëqyrur sistemin e drejtësisë në Kosovë, rezultatet e të cilit në ndjekjen penale të krimeve të luftës kanë qenë të dobëta – më pak se 20 vendime të formës së prerë në çështjet e krimeve të luftës.

Besohej se prokuroria e Kosovës nuk mund ta përballonte dot presionin politik në raste të ndjeshme në lidhje me zyrtarët e lartë dhe kjo qe arsyeja pse komuniteti ndërkombëtar vendosi të krijojë gjykatën e re.

Pas gjithë kësaj ofensive të zbulimit të dosjeve të Specialës, shtrohet pyetja se çfarë mund të shpërthej pas gjithë kësaj?

A mund të ketë edhe ndonjë emër që mund të tronditë opinionin, apo edhe ndonjë veprim më konkret?

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat