Heshtja e frikshme e Thaçit dhe Veselit para arrestimeve të Gjykatës Speciale

Politika

Heshtja e frikshme e Thaçit dhe Veselit para arrestimeve të Gjykatës Speciale

Nga: N.Sh Më: 26 shtator 2020 Në ora: 10:08
Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli

Ishte 3 gushti i vitit 2015, kur u miratua Gjykata Speciale në Kuvendin e Kosovës, pas shumë presioneve që iu bënë deputetëve të PDK-së nga presidenti aktual Hashim Thaçi.

Miratimi i Speciales është bërë me shumicë votash në Kuvendin e Kosovës, por pa pjesëmarrjen e partive të opozitës, të cilat atë kohë i bojkotuan punimet e Kuvendit.

Me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim, votuan ndryshimet kushtetuese të cilat i hapin rrugë themelimit të kësaj gjykate të kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare.

Po të kthehemi dhe të kujtojmë, ditën kur është votuar Specialja, na kujtohen deklaratat e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit, të cilët u patën “nxi” duke bërë presion ndaj deputetëve të tyre që të votojnë Specialën.

Megjithatë, edhe u votua, por pak vite më vonë, ishin po të njëjtin, të cilët kishin kërkuar që Specialja të zhbëhet.

Ata morën edhe iniciativë të rrezikshme që në Kuvend të zhbëhet Gjykata Speciale.

Kjo ishte cilësuar si një thikë pas shpinës për amerikanët dhe për gjithë shtetet aleate të Kosovës.

Pas një tollovie në Kuvend, gati edhe u zhbë. Por, ishin amerikanët të cilët me presionin e tyre edhe e ndaluan atë.

Por, të kujtojmë edhe njëherë se çfarë ndodhi në kohën kur u formua Specialja.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës në atë kohë, Kadri Veseli, kishte dalur në foltore të Kuvendit për t’i ftuar deputetët që t’i votojnë ndryshimet kushtetuese që kanë të bëjnë me themelimin e Gjykatës Speciale.

“Gjykata Speciale kurrë nuk besoj që ka ardhë prej Beogradi”, tha Veseli.

“Do ta votojmë se është në të mirën e vendit tonë”, u shpreh ai.

Por Veseli pati një porosi edhe për ndërkombëtarët të cilëve u tha që sikur të kishin qenë në krye të detyrës në vitet e pasluftës vjet sa kanë qenë përgjegjës për çështje të drejtësisë në Kosovë t’i adresojnë të gjitha dyshimet që përmenden në raportin e Dick Martyt.

Kadri Veseli kishte votuar pro krijimit të Gjykatës Speciale, që do të merret me krimet e supozuara të kryera nga UCK-ja, gjatë luftës.

Kryetari i PDK-së, përveç se vet votoi për këtë gjykatë, njëjtë vepruan edhe bashkëpartiakët e tij.

E për të shtyrë përpara procesin e themelimit të këtij tribunali special kishe punuar fort Hashim Thaçi, që në kohen kur u votua në Kuvend ligji për Dhomat e Specializuara ishte Ministër i Jashtëm i Kosovës.

Hashim Thaçi kishte insistuar fort që deputetët e atëkohë partisë së tij ta votojnë themelimin e të ashtuquajturës Gjykatë Speciale, përmes votimit në Kuvend të ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit Special për Kosovën.

Veseli votoi Pro krijimit të këtij tribunali, sikurse shumica e deputetëve të PDK-së, për dallim nga bashkëpartiakët, Ganimete Mursliu, Flora Brovina, Nait Hasani e Fadil Demaku që votuan kundër, e Rafet Rama që abstenoi.

Në anën tjetër, ish zëvendëskryeministri, dhe ish ministri i Jashtëm, dhe kryetari i PDK-së, në atë kohë, Hashim Thaçi, u kishte kërkuar deputetëve të Kosovës, që ta votojnë themelimin e Gjykatës Speciale, e cila sipas tij, do të përfundonte një herë e përgjithmonë akuzat e ngritura nga Dick Marty.

Thaçi ka thënë se nëse kjo gjykatë nuk themelohet nga Kosova, atëherë do të themelohej nga OKB, e cila sipas tij do të rëndonte mbi Kosovën për kohë shumë më të gjatë, sesa gjykata e cila do të themelohej nga Kuvendi i Kosovës.

“Sot Kuvendi i Kosovës është para dy situatave, që të votojë një gjykatë e cila do ta hiqte këtë barrë brenda 4-5 viteve, ose gjykata të themelohet nga Këshilli i Sigurimit të OKB-së dhe Kosova të përballej me akuza për rreth 15 vite”.

“Jemi të vetëdijshëm se Serbia ka vrarë mbi 12 mijë qytetarë të Kosovës, ka dhunuar rreth 20 mijë femra, ka mbi 1 mijë e 600 të zhdukur. Por duhet ta kemi parasysh se në Siri numri i viktimave shumëfish më i madh, dhe konflikti atje po vazhdon ende. E u jemi falënderues bashkësisë ndërkombëtare, që na ndihmuan të fitojmë luftën me Serbinë, që ajo të mos ishte edhe më e rëndë e me më shumë viktima e vuajtje për ne”.

Thaçi ka thënë se “nuk do të lejohet që Gjykata Speciale të përdoret për të ridizajnuar historinë e Kosovës, por e përkrahim themelimin e saj, për të larguar renë e zezë të krijuar mbi qiellin e Kosovës”, ka thënë Thaçi.

“Kush nuk e voton Gjykatën Speciale është armiku i pavarësisë së Kosovës dhe i UÇK-së”, ka thënë Thaçi në vitin 2015.

E pesë vite më vonë, Gjykata Speciale pas shumë e shumë dëshmive e dëshmitarëve që ka ftuar në Hagë, ka filluar të kryej arrestimet e para.

Së pari u arrestua Sali Mustafa, kurse një ditë pas tij, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.

Pas këtyre arrestimeve që ndodhën në Kosovë, heshtën Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli.

Kjo mund të jetë shumë e frikshme për vet ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kur nuk po marrin as përkrahje morale nga dy protagonistet në fjalë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat