Arrestimet nga Specialja, ekspertët paralajmërojnë tensionim të situatës, familjarët e viktimave kërkojnë drejtësi

Politika

Arrestimet nga Specialja, ekspertët paralajmërojnë tensionim të situatës, familjarët e viktimave kërkojnë drejtësi

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 26 shtator 2020 Në ora: 16:23
Gjykata Speciale

Tashmë janë bërë arrestime e para më urdhër të lëshuar nga Gjykata Speciale. Në ditën që u arrestua kryetari i Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Gucati dhe anëtarit të kësaj organizate, Nasim Haradinajt, pati reagime të shumta nga qytetarët e Kosovës.

Por, a mund të çojnë në trazira nëse bëhen arrestime të tjera të komandantëve të UÇK-së, për këtë ekspertet shprehen kjo mund të ndodh, por mund të ndikojnë edhe deziformtata.

Qëllimi i Speciales ka qenë i njohur

Eksperti i fushës së sigurisë, Hajrullah Tërnava, në bashkëbisedim për “Bota sot”, ka thënë se krijimi i kësaj gjykate e ka të vetmin qëllim që ti dënoj disa njerëz që në kohërat e luftës dhe pas saj, kanë bërë vepra kriminale

“Në vitin 2015 kur u miratua me 2/3 të votuesve deputet në Parlamentin e Kosovës Gjykata Speciale me seli në Hagë. Qëllimi i krijimit të këta gjyqi ka qenë e njohur, se me vet faktin e miratimit të këtij gjyqi që e ka qëllimin e zbardhjeve të gjitha vrasjeve të para dhe pasluftës, do të vije dita që të akuzuarit edhe duhen të burgosen. Krijimi i kësaj gjykate e ka të vetmin qëllim që ti dënoj disa njerëz që në kohërat e luftës dhe pas saj, kanë bërë vepra kriminale. Në mesin e të vrarëve ka shumë veprimtare të devotshëm në ato kohëra gjatë e pas luftës që janë të vrarë e që numri më i madh ishin aktivistë të LDK, e që në popullatë ata njerëz njihen si njerëz të mirë dhe të respektuar që janë munduar gjithsesi me i luftu të këqijat e atyre kohërave, dhe askush nga popullata e jonë se ka besuar se mund të vriten ata njerëz, gjë që tash e mbi 20 vite familjarët e të vrarëve në ato kohëra, s’janë pajtuar, dhe në mënyrë të pareshtur kërkojnë që këto vrasje të zbulohen, dhe dora vrasësit të dënohen me dënime të merituara nga organet gjyqësore të Kosovës, apo edhe nga ky Gjyqi Special në Hagë, që i ka të njëjtat kompetenca më i gjyku dorën vrasësit, e që u bë shumë kohë e gjatë që nuk u zbuluan këto vrasje”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Image
Hajrullah Tërnava

Priten arrestime të radhës

Gjithashtu, Tërnava është shprehur se përkundër kohës së gjatë që nga themelimi i Gjykatës Speciale qytetarët ishin të befasuar me arrestime të bëra nga EULEX-i.

“Me fillimin e ngritjes se aktakuzave nga Gjyqi Special sikur në rastin Thaçi dhe Veseli e që pritet edhe konfirmimi i atyre aktakuzave, do të filloj procesi i burgosjes të dyshuarve për krime që janë bërë në ato periudha. U konfirmua burgosja e parë nga policia e EULEX e që bëhet fjalë për Salih Mustafa-Cali. Situatën në të cilën tani popullata e Kosovës edhe me këtë pandemi që po na e ngarkon situatën, por edhe kohë e gjatë tani që kaloj që nga themelimi i atij gjyqi, njerëzit edhe në këtë kohë sot ishin të befasuar për këtë burgosje që ndodhi, por tani e kemi të qartë se me çfarë më muaj të tërë janë marruar në biseda informative të dyshuarit dhe dëshmitarët, është e pritshme se ditëve në vijim do të ndodhin edhe burgosje të radhës. EULEX të premten ishte i pranishëm në lokalet e OVL dhe UÇK për shkak se në këto objekte janë zhvilluar ditëve që kaluan ndodhi të paqarta për opinionin e që përfaqësuesit e OVL dhe UÇK përmes TV e njoftonin opinionin se “dikush ua ka sjellur me mija dosje” në ndërtesën e tyre e që tri herë radhazi ka ndodhur e njëjta situatë e sjelljes së dosjeve për të akuzuarit që duhen të jepin përgjegjësi në Gjyqin Special, e që përfaqësuesit e OVL u mundoheshin ta bindin opinionin që këto dosje janë ardhur nga Gjyqi Special i Hagës, si dhe nga Serbia”, ka deklaruar Tërnava për “Bota sot”.

Familjet e të vrarëve po presin me ankth zbardhjen e vrasjeve

Po ashtu, ai është shprehur se opinioni tani është i përqendruar të dijë të vërtetën e këtyre arrestimeve.

“Tani presim nga EULEX që ta njofton opinionin për këto dyshime të përfaqësueseve të OVL si dhe të na informojnë për detaje tjera rrethe këtyre veprimtarive të këtyre përfaqësuesve të OVL -së a bëhet fjale për dezinforamata nga ana e tyre dhe qëllimet tjera të tyre. Sikur që opinioni është i njoftuar se aktakuzat e para janë të ngritura ndaj Presidentit te Kosovës, Hashim Thaçit si dhe Kadri Veselit, kryetarit të PDK-së dhe vetëm pritet konfirmimi e këtyre aktakuzave dhe burgosjet priten që të ndodhin, do të ketë edhe burgosje tjera në numër më të madhe sipas të gjitha gjasave. Opinioni tani është i përqendruar të dijë të vërtetën e këtyre burgosjeve, sepse ai i cili ishte më këmbëngulësi për këtë themelim të këtij gjyqi ishte Hashim Thaçi, që deri më tani ishte njëshi i politikes kosovare, edhe që populli me kohë s`ka qenë i bindur se po bëhet një punë e mirë më themelimin e këtij gjyqi, por mos të harrojmë se edhe shumë familje që iu kanë vrarë të afërmit e tyre, me ankth po e presin zbardhjen e vrasjeve të familjareve të tyre”, ka potencuar ai për “Bota sot”.

Tërnava paralajmëron demonstrata

Më tej, Tërnava ka thënë se mund të ketë demonstrata, për këtë mund të ndikojnë dezinformatat e ndryshme që mund të kenë për qëllim zhbërjen e Gjykatës Speciale.

“Për këtë edhe populli në tersi është kureshtar ta dijë se kush ishin ata vrasës të atyre shqiptarëve të devotshëm, dhe cili ishte shkaku dhe motivi i vrasjeve të tyre, prandaj ata që konfirmohet se kanë vra shqiptarë pa kurrfarë shkaku, apo që i kanë vra si të pafajshëm, besoj se popullata në tersi do t`i gëzohet burgosjeve dhe zbardhjeve të atyre vrasësve, prandaj lidhur me këtë, se besoj që mund të ketë demonstrata, mund me ndodhur që tani është koha e dezinformatave sikur që po ballafaqohemi me përfaqësuesit e OVL dhe UÇK, e qëllimi kryesor i këtyre dezinformatorëve është që ta ngritin popullatën në demonstrata si i vetmi qëllim për zhbërjen e Gjyqit Special sepse deri më tani i kanë shijua të gjitha të mirat e këtij shteti, prandaj mendoj që s`ka mundësi të ndodhin ato demonstrata në numër të madh, sepse opinioni është ngop me kësi dezinformatash, dhe e kanë të qartë se po kjo udhëheqësi që tani po akuzohet për ato vepra që ngarkohen në aktakuzat e tyre, popullatës se këtij vendi ia ka humbur shpresat e të jetuarit në Kosovë, kurse vetit i kanë sjellur përfitime të mëdha sa që nëse nuk ju konfiskohet ajo pasuri në mënyrën se si e kanë fitua, edhe nipat e tyre ende të pa lindur e kanë të siguruar ardhmërinë”, ka përfunduar Tërnava për “Bota sot”.

UÇK simbolika e popullit për liri

Image
Armend Halimi

Armend Halimi nga Instituti për Studime të Sigurisë (ISS), në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se gjithë procesi i Gjykatës ka karakter politik.

“Themelimi i Gjykatës fillimisht dhe gjithë procesi ka karakter politik sesa të vërteta mbi pretendimet që është krijuar. Terrori serb ndër vite, jo vetëm ndaj vendit dhe popullsisë tonë, por thuajse ndaj çdo vendi për rreth tregon qartë se kush ishte iniciator e autor destabilitetit dhe krimit në rajon. Akoma me qartë e bëjnë këtë krimet njerëzore me vrasje, masakrime, dhunime, zhdukje dhe dëme materiale nga shteti serb ndaj popullsisë shqiptare, deri tek gjenocidi, me përpjekjen me spastrime etnike, duke shpërngulur me dhunë afërsisht 1 milion banore shqiptare autokton të Kosovës. Karshi kësaj, sigurisht që sikurse çdo vend dhe popull tjetër do të bënte përpjekje për shpëtim dhe mbrojtje, sikurse ishte organizimi i popullsisë shqiptare, me simboliken e njohur UÇK, pra kjo e fundit është as më shumë e as më pak së vetë simbolika e popullit për liri”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Halimi është shprehur se njollosja e luftës së drejt të UÇK-së dhe minimizimi i përgjegjësisë së shtetit serb për terrorin, mund të shihet si pazar mes interesave.

“Por përkundër kësaj, më qëllime të caktuara politike nga arena ndërkombëtare, është bërë përpjekje të rivalizimit mes krimineleve dhe viktimave, përkatësisht pushtuesve dhe çlirimtareve. Kjo gjithherë me agjenda të qartë politike, që historia mos të lë gjurmë mbi shtetin serb si shtet degjenerues e ekspansionist, duke pasur gjithherë për qëllim të përafrimit të këtij të fundit me perëndimin, dhe shkëputjen nga influenca ruse, andaj njollosja e luftës së drejt të UÇK-së dhe minimizimi i përgjegjësisë së shtetit serb për terrorin, mund të shihet si pazar mes interesave. Fatkeqësisht, e gjithë kjo lojë është bërë me bekimin apo aprovimin e figurave të larta të arenës politike nga ana e jone, kjo për interesa krejtësisht personale”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Trazirat janë të mundshme

Gjithashtu, ai ka paralajmëruar se trazirat janë të mundshme të shfaqen, si revolt ndaj një padrejtësie ndërkombëtare në gjykimin e luftës, duke mos ndarë atë për liri dhe asaj për pushtim.

“Ndryshe, përpjekja për njollosje të UÇK-së, luftës së saj për mbrojtje dhe çlirim prek çdo qytetar, ngase prek të kaluarën e dhimbshme në të njëjtën kohë krenare që janë lidhje më e natyrshëm mes një populli dhe një ushtrie të saj, pjesë e secilës e ndien vetën çdo njëri në një formë apo tjetër. Kështu që, marrë parasysh diskriminimet që janë bërë deri më tani ndaj një populli të vuajtur, dhe privilegjet ndaj një populli të privilegjuar si nën okupim ashtu edhe në liri, siç është populli serb, bënë të akumulohen pakënaqësi tek populli shqiptar, me ç'rast trazirat janë të mundshme të shfaqen, si revolt ndaj një padrejtësie ndërkombëtare në gjykimin e luftës, duke mos ndarë atë për liri dhe asaj për pushtim”, ka deklaruar Halimi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat