Analisti tregon arsyet pse Hoti mbanë ‘sekret’ disa informacione

Politika

Analisti tregon arsyet pse Hoti mbanë ‘sekret’ disa informacione

Nga: A.Morina Më: 28 shtator 2020 Në ora: 21:45
Avdullah Hoti

Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti para disa ditëve ka raportuar në Kuvend shkurtimisht për marrëveshjen e arritur me Serbinë në Uashington. Hoti u deklarua se nuk mund të jap shumë informacione lidhur me rrjedhën e takimit në Shtëpinë e Bardhë, pasi sipas tij disa gjëra duhet të mbeten sekret për të mirë të vendit.

Kjo nuk iu ka pëlqyer shumë deputetëve të opozitës, pasi sipas tyre Hoti po shmanget nga përgjegjësia e tij si kryeministër i vendit.

Prandaj, gjatë ditë së sotme, një grup deputetësh kanë dërguar kërkesë tek Kryetarja e Komisionit për Punë të Jashtme lidhur me raportimin e Hotit.

Mirëpo, një kërkesë e tillë për raportim të Hotit para Komisionit për Punë të Pavarur u refuzuar menjëherë.

Lidhur me këtë çështje ka folur edhe analisti politik, Rexhep Elezaj në një prononcim për “Bota sot”.

Elezaj deklaroi se Hoti nuk ka vepruar ashtu siç ka deklaruar më parë se ai do të jetë kryeministri më transparent i Kosovës.

Ai tha se Hoti nuk raportoi për shumë çështje dhe jo vetëm për ecurinë e takimit në Shtëpinë e Bardhë.

“Hoti jo vetëm se nuk raportoi para Kuvendit të Kosovës për rrjedhat e takimit në Shtëpinë e Bardhë si dhe për detajet e marrëveshjes së nënshkruar aty me 4 shtator në prezencë të presidentit amerikan, Donald Trump, mbase nuk ka raportuar as lidhur me takimet e tij në Bruksel me presidentin serb A. Vuçiq si dhe për përmbajtjen e bisedimeve nga ato takime, gjë që ua kishte premtuar deputetëve të Kuvendit”, u shpreh Elezaj.

Elezaj deklaroi se e kupton Hotin kur kërkon të ruhen sekrete gjërat që kanë peshë të madhe shtetërore, por nuk  e kupton si i mban sekret qëndrimet dhe vendimet në interes për publikun.

“Unë e kuptoj se kryeministri, jo vetëm A. Hoti, por çdo udhëheqës shtetëror duhet t’i mbajë sekrete gjërat të cilat kanë peshë për mbarëvajtjen e punës së organeve shtetërore, të cilat janë konfidenciale për opinionin, por jo edhe qëndrimet dhe vendimet me interes për publikun, sidomos ato të cilat kanë të bëjnë me ligjet dhe normat kushtetuese të vendit, për të cilat Kuvendi i Kosovës, pra deputetët duhet patjetër të informohen, qoftë me shkrim, qoftë me gojë rreth, sidomos për bisedimet me palën serbe”, u shpreh Elezaj, përcjell “Bota sot”.

Elezaj tregoi edhe arsyet e kësaj shmangie të Hotit, ai tha se përballja me Vjosa Osmanin dhe disa ish-kolegë të tij janë disa nga arsyet.

“Shmangia e tij nga raportimi në Kuvend mund t’i ketë disa arsye, por sipas mendimit tim, raportet e acaruara të tij me Vjosa Osmani, kryetar e Kuvendit dhe dikur ish kolegë të ngushtë në parti,, por edhe si dëmtuesi më i madh i raporteve për bashkë qeverisje të përbashkët midis LVV-je dhe LDK-së, që solli rrëzimin e qeverisë “Kurti” për të ardhur më pas vetë në krye të saj”, tha për fund Elezaj.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat