“I besueshëm për BE-në dhe SHBA-në”, kush është aleati i ri i ndërkombëtarëve në Kosovë?

Politika

“I besueshëm për BE-në dhe SHBA-në”, kush është aleati i ri i ndërkombëtarëve në Kosovë?

Nga: P.R Më: 15 tetor 2020 Në ora: 20:16
Avdullah Hoti me kabinetin qeveritar

Në Kosovë po qëndron për vizitë Emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. E në një konferencë për media, ai ka lavdëruar kryeministrin e Republikës së Kosovës, Avdullah Hotin, cili sipas tij, ka treguar lidership të vërtetë me fillimin e dialogut në rrethana të vështira.

“Kryeministri Hoti ka treguar lidership të vërtetë në fillimin e dialogut në rrethana të vështira. E shoh se ai kritikohet shpesh këtu por ai ka treguar përkushtim të madh dhe shtetet e BE-së e çmojnë atë”, u shpreh Lajçak.

E përveç Lajçak, merita Hotit i kishin dhënë edhe amerikanët, ku Hoti nënshkroi marrëveshjen me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq në prani të presidentit amerikan, Donald Trump.

Krejt këto, sipas analistit politik Nexhat Haziri, tregojnë qartë për mbështetjen që e gëzon në qarqet ndërkombëtare kryeministri Hoti.

Image
Nexhat Haziri

“Për herë të parë Kosova ka një kryeministër që ka një mbështetje të sinqertë nga partnerët ndërkombëtar siç është BE dhe SHBA-të dhe kjo është një e arritur e madhe për Kosovën, pasi tani në krye të qeverisë kemi një njeri si Avdullah Hoti që po shihet si partner i besueshëm si në Bruksel, Uashington, Berlin, Paris, Romë e Londër”, thotë Haziri për “Bota sot”.

Sipas tij, Hoti i ka lënë anash interesat politike, por ka vënë si primare interesin e shtetit.

“Dhe kjo është padyshim meritë e z. Hoti I cili ka vizion dhe vendosmëri për t’u ballafaquar me proceset që kanë stagnuar për vite të tera në Kosovë, por edhe të atyre proceseve në raport me marrëdhëniet kontraktuale me BE, siç është procesi i liberalizimit të vizave, agjenda e integrimeve euro-atlantike, dhe në veçanti në procesin e dialogut me Serbinë të ndërmjetësuar nga Brukseli, dhe në fund edhe me bashkëngjitjen e SHBA-ve, dhe vendimeve të guximshme të tij pa kalkuluar dhe pa i vënë në pah interesat e tij në politikën ditore, por primar z. Hoti i ka vënë interesin e shtetit”, thekon Haziri.

Më tej, ai shprehet se Kosova po kthehet në agjendën ndërkombëtare fuqishëm.

“Në këtë kontekst Kosova me qeverisjen Hoti, po kthehet fuqishëm në agjendat euro-amerikane si partnere aktive, qofshin në procese politike por edhe të investimeve në ekonomi që janë produkt i marrëdhënieve dhe raporteve me Brukselin dhe Uashingtonin”.

Kjo mbështetje ndaj Hotit, sipas Hazirit është një garanci e stabilitetit të koalicionit qeverisës, duke bërë që edhe AAK dhe NISMA të pushojnë shantazhet e tyre ndaj kryeministrit Hoti.

“Kjo mbështetje gjithnjë më e madhe nga partnerët tanë për kryeministrin Hoti, është edhe një garancë e stabilitetit të qeverisë të cilën ai e udhëheq, pasi edhe partnerët e vegjël të koalicionit AAK dhe NISMA do të pushojnë së zhantazhuari kryeministrin Hoti për interesat e tyre të ngushta. Është për tu vlerësuar kjo mbështetje ndërkombëtare për kryeministrin Hoti, e cila vije në kohën kur para pak muajsh Kosova rrezikohej të izolohej ndërkombëtarisht si pasojë e prishjeve të raporteve më partnerët strategjike të Kosovës nga ish-kryeministri Kurti, dhe mbështetja që tani ka kryeministri aktual z. Hoti, do të doja sinqerisht t’i shërbej për reflektim z. Kurti, duke e vetëdijesuar se Kosova nuk mund të ecë përpara në asnjë zhvillim dhe në asnjë drejtim ma bashkëpunim dhe pa përkrahje të partnerëve tanë ndërkombëtar siç janë shtet e BE-së dhe SHBA-të”, përfundon për gazetën “Bota sot”, analisti politik, Nexhat Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat