E papranueshme deklarata e Lajçak

Politika

E papranueshme deklarata e Lajçak

Diana Bunjaku Nga Diana Bunjaku Më 18 tetor 2020 Në ora: 15:43
Miroslav Lajçak dhe Aleksandar Vuçiq

Temat ndër vite të diskutimit Kosovë-Serbi, po fillojnë të mbyllen, por disa të tjera po “ringjallen” ndonëse kishin “vdekur”.

Dialogu Kosovë-Serbi për përmirësimin e raporteve ka filluar në vitin 2011, ndërsa, marrëveshja formale u nënshkrua me 19 prill 2013, ndërmjet kryeministrit të atëhershëm të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij serb Ivica Daçiq.

Kjo marrëveshje përmbante 15 pika, ku ndër më të rëndësishmet cilësohej krijimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe shuarja e strukturave paralele të Serbisë në Kosovë gjë që akoma nuk ka ndodhur plotësisht.

Asociacioni i komunave me shumicë serbe, akoma nuk është themeluar, sepse udhëheqësit e institucioneve të Kosovës këmbëngulin që pa njohjen reciproke nga ana e Serbisë, nuk do të nisë krijimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Për t’i shtuar tensionet edhe më shumë, diplomati slloven, Miroslav Lajçak erdhi me një deklaratë nga e cila kërkoi nga shteti i Kosovës ta ndryshojë Kushtetutën e saj, sepse ajo nuk është bibël. Kjo nxiti edhe më shumë debate dhe reagime ne vend.

Në lidhje me atë se si vlerësohet deklarata e Mirosllav Lajçakut i cili ka kërkuar të ndryshohet Kushtetuta e Kosovës për të formuar Asociacionin, analistët politik pohojnë se deklarata e Mirosllav Lajçakut i cili ka kërkuar të ndryshohet Kushtetuta e Kosovës për të formuar Asociacionin, nuk duhet parë e marrë me aq shqetësim.

Sipas tyre, Lajçak është vetëm një moderator i dialogut në mes dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë.

Smaka: Kërkesa e Lajçakut është ekstremisht skandaloze

Njohësi i çështjeve juridike profesor Riza Smaka ka thënë për gazetën “Bota sot” se kërkesa e Lajçakut është ekstremisht skandaloze ngase synon që Kosovën e definuar me Kushtetutën e saj si shtet unik ta shndërrojë në shtet të përberë ta federalizojë dhe për aq ta defunksionalizoje ngjashëm me Bosnjën e cila mund të jetë çfarëdo tjetër por më së paku shtet.

Image
Riza Smaka

“Për tu modifikuar Kushtetuta në këtë rast neni 1 par.1 i saj teknikisht nuk paraqet vështirësi të veçantë por politikisht, do të ishte proces tejet problematik, ngase për tu krijuar bazë kushtetuese për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, paraprakisht kërkohet modifikimi kushtetues nga shteti unik në shtet të përberë në të cilën mënyre do të shkaktohet ndryshim esencial i sistemit politik dhe i rendit juridik te Kosovës. Krahas kërkesës së tillë të Lajçak, e cila përkon me insistimet e Serbisë politike përgjegjës”, ka thënë profesor Smaka.

Sipas tij, për këtë nismë bizare janë funksionarët politikë që mendjelehtësisht e kanë pasur për afruar Marrëveshjen për Asociacionin.

“Në kolizion me Kushtetutën e vendit tonë të cilin fakt e ka pasur konstatuar edhe Gjykata Kushtetuese. Ironikisht për përafrimin mëse skandaloz të tillë jo vetëm që askush nuk ka dhënë përgjegjësi morale, politike as juridike. Por në atë drejtim dot nuk është ndërmarrë asnjë aktivitet ndryshe i domosdoshëm. Nëse përfaqësuesit politik e pushtetarë të vendit tonë, do të akordoheshin për realizimin e kërkesës së sipër thënë të Lajçak, do të bënin atak dhe goditje të rëndë kundër rendit juridik, sistemit politik e kushtetues të Kosovës”, ka thënë njohësi i çështjeve juridike profesor Riza Smaka.

Haziri: Lajçak i alkoolizuar e ka tepruar me “shlivovicë” gjatë vizitës së tij në Beograd dhe Brukseli

Image
Nexhat Haziri

Kurse analisti politik Nexhat Haziri ka thënë se deklarata e Mirosllav Lajçakut i cili ka kërkuar të ndryshohet Kushtetuta e Kosovës për të formuar Asociacionin, nuk duhet parë e marrë me aq shqetësim.

Sipas tij, fundi-fundit ai është vetëm një moderator i dialogut në mes dy shteteve, Kosovës dhe Serbisë dhe asgjë më shumë.

“Ajo që është detyre e institucioneve tona shtetërore, por edhe në përgjithësi skenës politike është ndërtimi i një konsensusi politik rreth formimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, brenda kornizave të opinionit nga Gjykata Kushtetuese, që do të thotë pa kompetenca ekzekutive. Unë mbroj gjithashtu qëndrimin e qeverisë Hoti, që kjo çështje që i takon tashmë Kosovës me marrëveshjet paraprake, nuk duhet të jetë temë e dialogut ne vazhdim në asnjë mënyrë, por që ky asociacion të formohet pasi Kosova ka marrë obligim për këtë dhe kjo duhet të përfshihet në marrëveshjen finale me Serbinë e cila duhet ta parashehë edhe njohjen reciproke në mes dy vendeve fqinje”, ka thënë Haziri.

Ai pohon se nuk ka pse të formohet ky asociacion jashtë marrëveshjes finale me Serbinë apo para se të arrihet kjo.

“Krejt në fund sa i përket deklaratës së Lajçakut cili ka kërkuar të ndryshohet Kushtetuta e Kosovës, gjoja se kjo nuk është Bibël, mendoj se Lajcak ta ketë tepruar pak me shlivovicë gjatë vizitës së tij atje në Beograd, dhe këtu Brukseli duhet të jetë më i kujdesshëm sa i përket emisarëve të vet që t’iu bëj me dije se konsumi i tepërt i alkoolit, përveç se është i dëmshëm për shëndetin, ku po ashtu i bënë të tingëllojnë të përqartë dhe të paarsyeshëm”, ka thënë analisti Nexhat Haziri.

Burjani: Deklarata e Lajçak është e pa pranueshme, dhe nuk ka nevojë për ndryshim të kushtetutës së shtetit

Image
Blerim Burjani

Ndërsa njohësi i çështjeve juridike Blerim Burjani ka thënë se deklarata e Lajçak është e pa pranueshme, dhe nuk ka nevojë për ndryshim të kushtetutës së shtetit.

Sipas tij, nuk mund të themelohet shtet brenda shtetit, ky asociacion sepse do të krijohet me një status dhe do të ketë status të OJQ-së dhe nuk do të mund të jenë obligative për asnjë komunë të anëtarësohet.

“Kjo do të bëhet vetëm me vullnet të komunave serbe, pra s’do të jetë obligative, pasi puna e këtij asociacioni është e kryer, dhe nuk ka fare diskutime në Bruksel.

Këtu mbyllet rruga plotësisht për të vazhduar dialog për krijim shteti brenda shteti, në duhet të kërkojmë themelim të ngjashëm asociacion në komunat shqiptare në Luginën e Preshevës me seli në Preshevë”, ka thënë njohësi i çështjeve juridike e politike Blerim Burjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat