E konfirmon PDK-ja: Ideja për taksë që e propozoi Shpend Ahmeti, ishte e jona

Politika

E konfirmon PDK-ja: Ideja për taksë që e propozoi Shpend Ahmeti, ishte e jona

Nga: A.Morina Më: 25 tetor 2020 Në ora: 17:13
PDK

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka propozuar vendosjen e një takse për qytetarët e komunave tjera, për të hyrë në Prishtinë.

Ky propozim i Ahmetit nxiti debate dhe  reagime të shumta, derisa ato kaluan deri në tallje.

Ndërkohë, pas kritikave të shumta ndaj deklaratave të tij për bërjen me pagesë të hyrjes me vetura në kryeqytet, Shpend Ahmeti përmes një postimi në facebook deklaroi se kjo do të bëhet për të evituar tollovinë në komunikacion dhe për të mbrojtur qytetarët nga ndotja e ajrit.

Mirëpo, siç duket kjo ide e taksës del të jetë e Partisë Demokratike të Kosovës, kështu të paktën deklaroi ish-kandidati i kësaj partie për komunën e Prishtinës, Lirak Çelaj në një prononcim për “Bota sot”.

“Ideja e taksës në hyrje ka qenë ide e PDK-së gjegjësisht e imja si kandidat”, deklaroi Çelaj.

Ish-kandidati për kryetar të Prishtinës tha se implementimi i kësaj takse nuk mund të bëhet befas, pa realizuar një varg projektesh.

“Por natyrisht jo me këtë çmim dhe jo kështu të implementohet befas. Ky projekt duhet të paraprihet me një varg projektesh si përshembull: përfundimi i unazave, ndërtimi i parkingjeve në hyrje të Prishtinës,  funksionalizimi i trafikut urban duke përfshirë edhe linjën e veçantë  për trafikun urban etj”, shtoi Çelaj, përcjell "Bota sot".

Çelaj akuzoi Ahmetin për vjedhje të idesë nga programi i Partisë Demokratike të Kosovës, që sipas tij ky i fundit nuk arriti ta vjedh edhe thelbin e kësaj ideje.

“Kjo se si e ka paraqit Shpendi është vetëm një vjedhje e idesë  nga programi i PDK-së, por pa e vjedh edhe thelbin që ky projekt duhet të përcillej paraprakisht”, deklaroi Çelaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat