“Ramushi do ta prish koalicionin qeverisës, por nuk ka aftësi për t’u bërë President”

Politika

“Ramushi do ta prish koalicionin qeverisës, por nuk ka aftësi për t’u bërë President”

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 28 tetor 2020 Në ora: 21:29
Ramush Haradinaj, foto ilustrim nga "Bota sot"

Ende nuk ka një përgjigje nga aktakuza ndaj Presidentit Hashim Thaçi nga Gjykata Speciale, ndërsa ‘pazaret’ për pozitën e tij tashmë kanë filluar disa muaj më parë. Një përgjigje për aktakuzë po pritet edhe për liderin e PDK-së, Kadri Veselin.

Mosmarrëveshjet për të parin e shtetit, kanë krijuar ‘trazira’ edhe në koalicionin qeverisës. Derisa AAK-ja thuhet se po kërkon me ngul pozitën e Presidentit, kjo parti po i prish raportet me partnerin e koalicionit qeverisës. Poashtu edhe me partnerin tjetër, Nismën, partia e parë në pushtet thuhet se nuk ka raporte shumë të mira.

Krasniqi: Zgjedhjet nuk prodhuan zgjidhje

Në një intervistë të realizuar për “Bota sot”, kreu i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi i pyetur nëse ka ‘lëkundje’ brenda koalicionit, ai thotë se të gjitha koalicionet ishin të tilla dhe zgjedhjet nuk kanë prodhuar zgjidhje.

Image
Jakup Krasniqi

“Të gjitha koalicionet e deritashme i kanë pasur lëkundjet e tyre. Deri tani kemi mbajtur zgjedhje pas zgjedhjesh, por zgjedhjet nuk kanë prodhuar zgjidhje”, ka thënë Krasniqi.

Gazeta ka kontaktuar edhe Zyrën e Kryeministrit Avdullah Hoti për t’u deklaruar nëse këto ‘lëkundje’ brenda koalicionit qeverisës janë të vërteta apo jo mirëpo ata e kanë komentuar fare këtë çështje.

Krizë në koalicion

Image
Blerim Burjani

Ndërkaq njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani i pyetur nëse një krizë e tillë mund të prodhoj edhe zgjedhje të reja në Kosovë, ai thotë se krizë brenda këtij koalicioni, për shkak se lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, po e kërkon me doemos pozitën e Presidentit të vendit, pavarësisht kapaciteteve të varfra institucionale të tij.

“Tash e dy muaj ka krizë institucionale për shkak se AAK e do postin e presidentit pa marrë parasysh kapacitetet e varfra institucionale të Ramushit, megjithatë atë ai këmbëngul dhe bën presion për këtë temë, edhe pse e di që nuk ka aftësi për të qenë Presidenti i shtetit po sikur kryeministër që e kishte provuar, pra apetitet e mëdha dhe aftësi e vogël minimale për të udhëheq poste të rëndësishme të shtetit”, vlerëson Burjani për “Bota sot”.

Tutje ai thotë se presioni i Haradinajt do të bëj që të prishet ky koalicion ose do të marr këtë post.

“Tash ky presion nga Ramushi do të shtohet ose do të prishet ky koalicion ose do të marr atë post , përderisa LDK nuk është në gjendje të dhuroj këtë post një njeriu që s’ka parti por ka njerëz me vete në sistemin e argatëve, kjo e bën LDK-në të ndalet dhe të mos pranoj të jep poste të tilla koti dhe të merr përgjegjësi për një votim të tillë të këtij njeriu përveç apetiteve s’ka gjë tjetër. Pra të tillë ka përplot në Kosovë, që nuk kanë suksese kurrfarë personale, por ka pas suksese politike për të marrë poste dhe për të qeverisë me paranë publike”, vlerëson juristi Burjani.

Qeveria me 60 deputetë

Ndryshe, me burgosjen e deputetit Etem Arifi, për mashtrim të subvencioneve qeveritare tek pakica e ashkalinjve në Lipjan, qeveria Hoti ka mbetur vetëm me 60 deputetë, gjë që është nën minimumin e funksionimit të saj.

Ndërkaq LDK e LVV nuk duket se të kenë përmirësim të raporteve, pasi qeverisën bashkë për rreth dy muaj, ndërsa lideri i LDK-së, Isa Mustafa ka deklaruar se do të heq vijat e kuqe për PDK-në.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat