Analiza që alarmon Kosovën: Ky është qëllimi kryesor i Serbisë me Minishengenin

Politika

Analiza që alarmon Kosovën: Ky është qëllimi kryesor i Serbisë me Minishengenin

Nga: P.R Më: 31 tetor 2020 Në ora: 20:51
Foto ilustrim

Gjatë ditës së djeshme, udhëheqësit e Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë zhvilluan sot një takim përmes Zoom-it për rifillimin e nismës për bashkëpunimin e thelluar rajonal që u prezantua vitin e kaluar.

Edi Rama, Zoran Zaev dhe Aleksandar Vuçiq ftuan zyrtarisht Kosovën që të bashkohet me nismën për bashkëpunim të thelluar rajonal.

Kjo ftesë që Kosova t’i bashkohet Minishengenit, vjen në vijim të kuadrit të përcaktuar në takimin e Washingtonit në shtator të këtij viti midis kryeministrit të Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Por profesor, doktor Enver Bytyçi, Minishengenin e quan iniciativë dhe interes i Serbisë.

“Minishengeni është dhe do të jetë iniciativë dhe interes i Serbisë. Ne GDP-në e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor Serbia zë jo vetëm vendin e parë, por ajo ka 50 përqind të saj. Pra sa prodhojnë Maqedonia, Kosova, Shqipëria, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina e prodhon e vetme Serbia. Kjo do të thotë se Minishengeni është një instrument me të cilin Serbia i kthen këto vende veç e veç në koloni. Këto vende do të detyrohen të rendin pas “miqësive” serbe për shkak të interesit për përfitime në bashkëpunimin ekonomik. Ndërkaq Kosova ka një veçori. Është vend ende i panjohur nga Serbia, madje në konflikt politik me Beogradin për t’u shkëputur edhe de juro nga Serbia. Këtë e provoi gjithashtu presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, kur ftoi Malin e Zi dhe Bosnjë-Herzegovinën për t’iu bashkuar Minishengenit, ndërkohë që nuk ftoi Kosovën, po Avdullah Hotin, pa ia zënë në gojë as funksionin si kryeministër i Kosovës. Studiuesit duhet të shohin detajet edhe në deklarimet e politikanëve, për të zbuluar se çfarë mendojnë ata në fakt. Po ashtu politika duhet ta bëjë këtë”, thotë Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

Sipas tij, Avdullah Hoti refuzoi të bëhej pjesë e këtij komunikimi online midis Aleksandër Vuçiq, Edi Ramës dhe Zoran Zaev.

“Megjithëse e nënshkroi në Uashington marrëveshjen dhe u zotua se do të bëhej pjesë e kësaj iniciative, ai sot nuk u paraqit në takimin virtual. Nuk e di nëse i kanë bërë presion ndërkombëtarët dhe Edi Rama për të qenë i pranishëm. Por besoj se kryeministri i Shqipërisë nuk do të ketë qëndruar indiferent ndaj kësaj sjelljeje të kryeministrit të Kosovës. Edi Rama nga Ohri pati thënë nëntorin e vitit të kaluar se “Refuzimi i Kosovës për të marrë pjesë në Minishenegen është vetizolim i saj”. D.m.th. e akuzoi Kosovën atëherë se “Po vetizolohej nga Serbia”! Sot pas një viti shohim se Serbia jo vetëm bën diversion kundër Kosovës, por “betohet” në parlament se nuk to ta lëshojë “Kosovën dhe Metohinë”. Serbia nuk e njeh Kosovën as me emërtimin e shtetësisë së saj, pra me emrin Kosova dhe Metohi. Ndërkohë Edi Rama, Zaev e Vuçiç i bëjnë thirrje të shkojë të ulet me ta në një tavolinë me ta si “rajon autonom i Serbisë”!”, shprehet më tej Bytyçi.

Më tej, Bytyçi ka thënë se derisa Serbia nuk e njeh shtetësinë e Kosovës, liderët dhe institucionet e saj duhet të refuzojnë Asociacione me të.

“Kjo është fundi i çdo akti tradhtie kundër saj. Sa kohë që Serbia nuk e njeh shtetësinë e Kosovës, liderët dhe institucionet e saj duhet të refuzojnë Asociacione me të. Nëse Avdullah Hoti ka nënshkruar në Uashington se angazhohet të bëhet pjesë e këtij Minishengeni, në atë marrëveshje nuk parashikohet që Kosova të përfaqësohet si rajon apo krahinë serbe. Vetëm nëse garantohet përfaqësimi me të gjitha simbolet shtetërore, njësoj si vendet e tjera, vetëm në atë rast mund të merret në konsideratë premtimi që i është bërë Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Por edhe në këtë rast Kosova dhe Shqipëria do të jenë humbësit e mëdhenj të kësaj iniciative. Unë e kuptoj pse kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, me entuziazëm i bashkohet çdo lëvizjeje dhe iniciative serbe kundër Kosovës dhe shqiptarëve. Ai është peng i Beogradit. Por Avdullah Hoti nuk besoj të jetë peng i Serbisë. E di se është peng i firmës në zyrën ovale të presidentit amerikan, por e thashë më lart, në atë marrëveshje nuk parashikohet që Kosova të pranojë t’i bashkohet kësaj iniciative si “pjesë e sovranitetit serb”!”.

Profesor Bytyçi deklaron se Minishengeni nuk i sjellë ndonjë dobi Kosovës.

“Përkundrazi i shton trysnitë për të pranuar projektet serbe, të maskuara me Minishengenin. E ve atë në pozita inferiore. Dhe imagjino kur të shohim një Kosovë e cila replikën me përfaqësuesit e Beogradit dhe kryeministri i Shqipërisë, në vend që të bëhet palë me Kosovën, mban krahun e Vuçiçit! Kjo ka ndodhur në çdo samit rajonal e ndërkombëtar. Kjo që them është e provuar dhe nuk ka nevojë për ta dëshmuar në të ardhmen”, thekson Bytyçi.

Ai shton se Minishengeni është instrument i Serbisë për arritjen e qëllimeve të saja në Ballkan.

“Minishengeni është sajuar nga Beogradi, që përmes tij të dalë në Adriatik dhe Edi Rama përmes kësaj iniciative është zotuar që Shëngjini të bëhet port serb, ndonëse ai i ishte premtuar Kosovës. Minishengeni është instrument që Serbia të motivohet për të pretenduar edhe më tej pronësinë e saj në pasuritë e Kosovës. Minishengeni është mënyra se si Serbia të rehabilitohet në sytë e faktorit ndërkombëtar, proces i cili ka nisur me vizitën e Edi Ramës në Beograd nëntorin e vitit 2014. Ngado që ta analizosh këtë iniciativë, në asnjë rast nuk rezulton që të jetë dobiprurës për Kosovën, Shqipërinë dhe shqiptarët. E shumta do të flitet për lëvizje me karta identiteti, gjë që është realizuar ndërmjet shteteve Shqipëri-Maqedoni-Kosovë e Mal të Zi. Thjesht do të shtohet Serbia në këtë iniciativë. Por ajo nuk do të pranojë edhe më tej që kufiri Kosovë-Serbi të njihet si kufi midis dy shteteve. Atëherë çfarë Minishengeni do të ketë rajoni, kur kufijtë e njërit prej pjesëmarrësve të këtij Minishengeni nuk i njeh shteti iniciator i këtij Asociacioni?!”.

“Qeveria dhe parlamenti i Kosovës duhet që së paku të vendosin kushte për pjesëmarrjen në Minishengen. Të njihen me ligj kufijtë e Kosovës nga të gjitha shtetet pjesëmarrëse në iniciativë dhe më pas ajo të bëhet pjesë e saj”, përfundon për gazetën “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat