“Thaçi dhe Veseli do të arrestohen” – zbardhen arsyet pse Specialja po e mban fshehtë vendimin...

Politika

“Thaçi dhe Veseli do të arrestohen” – zbardhen arsyet pse Specialja po e mban fshehtë vendimin...

Nga: P.R Më: 31 tetor 2020 Në ora: 21:16
Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli

Edhe pse ishte paralajmëruar se 24 tetori do të jetë dita kur do të mësohet fati i propozim aktakuzës nga Gjykata Speciale ndaj presidentit, Hashim Thaçi dhe kreut të PDK-së, Kadri Veseli, një gjë e tillë nuk ndodhi.

Ende nuk dihet se a është konfirmuar apo hedhur poshtë propozim aktakuza. E një nen ia mundëson Gjykatës Speciale që mos ta bëjë publike një gjë të tillë.

Por, analisti politik Gani Qarri, për gaztën “Bota sot” thotë se është e pamundur që propozim aktakuza ndaj Thaçit të hedhet poshtë.

“Pretendimi i Prokurorisë së Dhomave të Specializuara në Hagë se ka dëshmi për mese 100 vrasje, për të cilat ajo bënë përgjegjës Hashim Thaçin e Kadri Veselin dhe nëntë persona të tjerë, dëshmon se një aktakuzë e tillë e rëndë dhe për numër kaq të madh të personave të privuar dhunshëm nga jeta, në të gjitha praktikat e gjykatave me renome evropiane e ndërkombëtare është pothuajse gati e pamundshme të shpallet e pavlershme dhe hedhet poshtë”, thotë Qarri.

Madje ai shprehet i sigurt se Thaçi dhe Veseli do të arrestohen shumë shpejt.

Image
Gani Qarri

“Prandaj vet fakti se padia e prokurorisë së Gjykatës Speciale ndaj Thaçit dhe Veselit, as pas 24 tetorit nuk është pezulluar, vërteton se hetuesit e gjykatës në Hagë ose gjenden ende në grumbullimin e argumenteve dhe dëshmive të reja, ngase bëhet fjalë për 100 vrasje dhe 11 persona të akuzuar, pra edhe për nëntë persona tjerë përveç Thaçit e Kadri Veselit, ose aktakuza është konfirmuar por pritet afrimi i ditës së gjykimit për tu bërë publike dhe arrestuar në afat sa më të shkurtër Thaçi dhe Veseli, pa u dhënë kohë atyre, për të shantazhuar opinionin dhe krijuar tensione në vend”, thekson Qarri.

Më tej, analisti Qarri ka treguar arsyet pse Gjykata Speciale nuk e ka publikuar ende vendimin për Thaçin e Veselin.

“Kështu që për shkaqe sigurie dhe mënjanimin e krijimit të gjendjeve të tensionuara, edhe nëse është konfirmuar padia, Gjykata Speciale ka të drejtë ta mbaj të fshehtë aktakuzën deri në caktimin e ditës së parë të nxjerrjes para gjyqit të Hashim Thaçit e Kadri Veselit dhe personave tjerë të akuzuar ndaj të cilëve është konfirmuar padia. Madje konfirmimi i aktakuzës mund të mos publikohet edhe për arsye se vet Serbia dhe Rusia si strumbullarët e kësaj gjykate, nuk dëshirojnë që Thaçi të arrestohet menjëherë, bile Serbia pretendon që edhe nëse vërtetohet aktakuza, arrestimi i Thaçit të shtyhet për sa më vonë që të jetë e mundur, dhe edhe nën aktakuzë dëshiron që Thaçi të vazhdojë të mbetet president, si njeriu i vetëm, i cili mund ti realizojë premtimet e dhëna Aleksandër Vuçiqit për ndarjen e Kosovës dhe faljen e pjesëve më vitale të saj, Serbisë”.

Për fund, Qarri deklaron se Hashim Thaçi do të dënohet shumë rëndë nga Gjykata Speciale.

“Në anën tjetër, nëse konfirmohet së shpejti aktakuza me fajësitë e pretenduara dhe vërtetohen vrasjet e personave të apostrofuar, me ndikim në mënyrë direkte, apo indirekte nga Hashim Thaçi & CO, ai me siguri bashkë me shokë, do të dënohet rëndë dhe me shumë vite burg nga gjykata në fjalë, të cilin pritet ta vuaj jashtë shtetit të Kosovës dhe sa më larg duarve të zgjatura të shërbimeve të inkriminuara vendore, për të mos parë më akte si loja me dosje, dhe ndikuar njëjtë si në burgjet e Kosovës edhe në shtetet me mandat të mbajtjes së të burgosurve për larjen e dënimeve të shqiptuara nga Gjykata Speciale”, përfundon për “Bota sot”, analisti politik Gani Qarri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat