Qasja e Mustafës për BE-në, Voca: E vonuar, po shfaq një tjetër dyftyrësi të radhës

Politika

Qasja e Mustafës për BE-në, Voca: E vonuar, po shfaq një tjetër dyftyrësi të radhës

Nga: A.M. Më: 1 nëntor 2020 Në ora: 14:45
Isa Mustafa

Kreu i LDK-së, Isa Mustafa ka kritikuar BE-në lidhur me bisedimet që po zhvillohen në Bruksel.

“Me sjelljet e Serbisë, në njërën anë dhe të BE-së, në anën tjetër, dialogu po e humb kuptimin. Sa po rrjedh koha, ai më shumë po shndërrohet në  instrument të Serbisë për të blerë kohë për ti vënë në harresë krimet e saj”, ka deklaruar Mustafa.

Po ashtu, ai ka thënë se ka tendenca të hapen disa tema që janë të njëjtat me ato që janë diskutuar në procesin e Vjenës.

Lidhur me këtë, njohësi i Integrimeve Evropiane Mirsad Voca, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se kjo deklaratë e Mustafës është jo korrekte dhe shfaqë një tjetër dyftyrësi të radhës.

“Ky qëndrim oxymoron, i Mustafa është jo korrekt dhe për më tepër shumë i vonshëm e për të mos thënë se tani ky po shfaq një tjetër dyftyrësi të radhës. Negociata të tilla që hapin tema që kanë qenë të mbyllura në Vjenë e që ndërlidhen me sovranitetin e Shtetit të Kosovës i legjitimuar dhe nga GjND-ja, janë lejuar të hapen me vetëdëshirë të kësaj Qeverije, por dhe të qeverive të mëparshme pjesë e së cilave ishte edhe vet Isa Mustafa”, ka deklaruar Voca.

Image
Mirsad Voca

Për më tepër, ai shton se këto negociata me Serbinë nuk kanë qenë asnjëhërë teknike.

“Natyrisht se që nga hapja e atyre negociatave të ashtuquajtura teknike e që asnjëherë nuk kanë qenë të tilla, sepse çdo herë është interferuar në çështje politike të brendshme që kanë impakt të drejtëpërdrejtë në lëkundjen e integritetit dhe sovranitetit të Kosovës, ato qeveri si dhe kjo e tanishmja kanë vetëlejuar duke përfshirë këtu Isa Mustafën si faktor krucial në këto procese, që tê ri-hapen tema tashmë të mbyllura në negociatat e Vjenës”, ka theksuar ai për “Bota sot”.

Sipas Vocës, të gjithë individët e përfshirë në këto negociata do të duhet të japin përgjegjësi sepse janë bashkëfajtorë për këtë regres madhor.

“Të gjithë individët dhe qeveritë të përfshirë në këto negociata të padëshiruara për qytetarin e Kosovës do të duhet të japin përgjegjësi sepse janë bashkëfajtorë për këtë regres madhor, ku diskutohet sovraniteti dhe integriteti i vendit, krijimi i entiteteve të brendshme që e dëmtojnë sovranitetin e brendshëm, dhe asetet më jetësore të Kosovës me përgjysëmimin e të cilave Kosova do të mbetet Shtet i paralizuar dhe për pasojë i varur. Këta  individë duhet ta kenë të qartë se këto shtylla shtetërore mbrohen dhe nëse dëmtohen edhe ndëshkohet me Kushtetutë”, ka potencuar ai për “Bota sot”.

Më tej, ai shprehet që kryeministri Avdullah Hoti duhet të jap dorëheqje, pasi po vazhdon me avazin e vjetër të dëmtimit të sovranitetit dhe integritetit të vendit.

“Edhe kjo Qeveri e tanishme, e sajuar jolegjitimisht edhe nga vet Isa Mustafa dhe individë e grupe tjerë të fokusuar ekskluzivisht në interese e në përfitime personale duke e injoruar totalisht vullnetin dhe interesin e Qytetarit, do të duhej sa më parë të bie dhe këta individë të mënjanohen nga skena politike. Do të këshilloja po ashtu këtë kryeministër aktual të jap dorëheqje sepse do të tregonte pakëz dinjitet, si përball vetvetës e pastaj ndoshta dhe përball qytetarit sepse nuk është duke bërë asgjë të mirë për qytetarin, po vazhdon me avazin e vjetër të dëmtimit të sovranitetit dhe integritetit të vendit, dhe me gjasë nuk do të mund t‘i sjellë tani as vetes dhe si më parë as vendit ndonjë përfitim ndërsa tani qyterari i Kosovës po vetëdijësohet për një kthesë të re”, ka përfunduar Voca për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat