Sot zgjedhje te miqtë amerikan, cili është ndikimi i tyre në Kosovë?

Politika

Sot zgjedhje te miqtë amerikan, cili është ndikimi i tyre në Kosovë?

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 3 nëntor 2020 Në ora: 11:24
Joe Biden dhe Donald Trump

Sot do të vendoset për Presidentin e ri amerikan, pasi do të mbahen zgjedhjet presidenciale në SHBA. Dy kandidatët janë Joe Biden, një ish nënkryetar i Shteteve të Bashkuara gjatë mandatit të Barack Obama, dhe Donald Trump, President aktual i SHBA-së.

Zgjedhjet në Amerikë janë një ndër temat më të rëndësishme thuajse në të gjitha mediat e botës. E poashtu edhe në Kosovë, mbajtja e këtyre zgjedhjeve po komentohet shumë derisa dihet edhe ndikimi i tyre në vend.

Një ndikim të Joe Biden apo Donald Trump në Kosovë e kanë vlerësuar edhe analistët politikë.

Kosova do ta mbështetë cilindo kandidat fitues

Kështu, Skender Zogaj thotë se tashmë dihet qysh moti qëndrimi amerikan për shqiptarët. Sipas tij, edhe në kohën kur Enver Hoxha luante rolin e ‘mizës së kalit rus e kinez’, Amerika nuk ka hequr dorë nga shqiptarët.

Image
Skender Zogaj

“Qëndrimin amerikan për shqiptarët është moti i mirënjohur, i përcaktuar qartë dhe i pandryshueshëm në parim, por që është zbatuar varësisht nga "dimrat e vetmisë së madhe" ideologjike, që ka kulmuar me çmendurinë e Enver Hoxhës, kur luante rolin e mizës së kalit rus e kinez! Por, as në ato rrethana Amerika nuk ka hequr dorë nga shqiptarët, duke mbetur miku besnik i mbrojtjes dhe i ndihmave konkrete drejt lirisë, siç ishte aksioni ushtarak i çlirimit të Kosovës nga okupimi serb! Ky qëndrim është rezultat i vëmendjes konstante amerikane ndaj Kosovës, që nuk ka ndryshuar pavarësisht nga ndryshimet e presidentëve”, vlerëson Zogaj.

Sipas tij, për Kosovën nuk duhet të ketë rëndësi cili do të jetë fituesi i zgjedhjeve atje, pasi qëndrimi ndaj Kosovës do të jetë i vazhdueshëm.

“Prandaj, sa i përket Kosovës, nuk kanë aspak rëndësi zgjedhjet aktuale, sepse, cilido që të jetë fituesi, qëndrimi ndaj Kosovës do të jetë ai i vazhdueshmi! Por, një gjë duhet theksuar qartë, për Amerikën nuk është i parëndësishme profili politik i Kosovës! Normalisht që Amerika do të apstenoj, nëse Kosovën e merr malli për rikthim në envero- stalinizëm! Kjo është e papranueshme si për demokratët ashtu edhe republikanët e Amerikës, dhe shqiptarët duhet ta kenë përherë në vëmendje të plotë”, thekson analisti Skender Zogaj për ‘Bota sot’.

Kosova gjithmonë mike me SHBA-të

Poashtu edhe analisti Leon Duhanaj është i të njëjtit mendim se qëndrimi ndaj Kosovës do të jetë i vazhdueshëm, pavarësisht se cili kandidat do të fitoj zgjedhjet.

Image
Leon Duhanaj

“Nëse analizën e bazojmë në kontekstin tradicional e historik, atëherë shqiptarët nuk duhet aspak të shqetësohen se cili kandidat i fiton zgjedhjet në SHBA, pasi që kemi pasë dhe do kemi mbështetje tradicionale të vazhdueshme”, thekson ai.

Mirëpo ai thotë më tutje se SHBA, bën përjashtim, pasi që në rastin e interesave kombëtare shqiptare, me mirë kemi qenë të përfaqësuar në raste kur republikanët kanë qenë në pushtet.

“Për mendimin tim, dallimi në mes dy poleve politike në SHBA qëndron tek fakti se, përderisa republikanet preferojnë në radhë të parë të investojnë në interesa nacionale dhe tradicionale, demokratët si socialdemokrat, janë të ndikuar nga rrymat e globalizmit internacionalist, e që i bën me pak të drejtëpërdrejtë në shlyerjen e agjendave që në ketë rast mund të çojnë në prolongim të proceseve. Nuk besoj që do të ndodhë ndonjë ndryshim që ja vlenë për t'u theksuar. Për amerikanët është me rëndësi bashkëpunimi korrekt dhe në rast që dikush jep zotime për bashkëpunim dhe realizimin e projekteve të caktuara, atëherë duhet t'u përmbahet, përndryshe u ndodhë siç i ndodhi z. Kurti, i cili filloj t'ua luaj pikat për të cilat tashmë ishte zotuar”, thekson Duhanaj.

Ai thotë më tutje se duhet pasur kujdes që të mos anojmë nga njëra palë por të kërkojmë bashkëpunim me cilindo që merr mandatin. Sipas tij, për Kosovën është me rëndësi ruajtja e marrëdhënieve me kongresin amerikan dhe administratën.

“Në ketë kontekst, duhet patur kujdes që pa e marrë parasysh kush fiton, ne mos të marrim anë dhe të kërkojmë bashkëpunim me cilin do që e merr mandatin. Çdo përpjekje për t'u ballafaquar në mënyra jobashkëpunuese, nuk na çojnë përpara. Nëse ju kujtohet, VV p.sh: kishte probleme thuaja se me të gjitha administratat në SHBA. Për Kosovën dhe shqiptaret, është me rëndësi ruajtja e marrëdhënieve me kongresin amerikan dhe me administratën, pa marrë parasysh cila është ajo, sepse pa ta nuk kemi opsione të sigurta”, thekson analisti Duhanaj.

Ndryshe, sot bëhet e ditur se cili kandidat do të jetë Presidenti i ardhshëm amerikan derisa gara e ngushtë po zhvillohet ndërmjet Biden dhe Trump, ndërkaq kandidatët e tjerë zyrtarë përfshijnë reperin e njohur Kanye Ëest, Jo Jorgensen, kandidat i Partisë Libertarian, Hoëie Haëkins, kandidat i Partisë së Gjelbër, Don Blankenship, kandidat i Partisë Kushtetuese, Phil Collins, kandidat i Partisë Prohibition dhe Brock Pierce, kandidat i pavarur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat