Konfirmimi i aktakuzës së ish-presidentit Thaçi, goditje serioze për shtetin e Kosovës

Politika

Konfirmimi i aktakuzës së ish-presidentit Thaçi, goditje serioze për shtetin e Kosovës

Nga: A.Morina Më: 5 nëntor 2020 Në ora: 23:05
Hashim Thaçi

Gjykata Speciale në Hagë, ka konfirmuar aktakuzat e ngritura muaj më parë ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli. Përveq këtyre të fundit, gjatë ditës së djeshme edhe ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi dhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi u njoftuan se i janë konfirmuar edhe atyre aktakuza nga Specialja.

Këto zhvillime të fundit nga Gjykata Speciale, shkaktuan reagime të shumta në opinionin publik në Kosovë, ku shumë personalitete politike e publike u dolën në mbrojtje ish-ushtarëve të UÇK-së, mirëpo kishte edhe prej atyre që iu gëzuan këtyre aktakuzave.

Lidhur me ngritjen e aktakuzave për ish-ushtarët e UÇK-së, profesori Riza Smaka në një prononcim për “Bota sot” tha se kjo është një goditje e madhe për shtetin e Kosovës. Mirëpo, sipas tij mediat e shteteve të tjera filluan ta elaborojnë me qëllime dhe pozicione kundër Kosovës.

“Ngritja e aktakuzës penale veçanërisht  edhe kundër  ish-Presidentit të vendit tonë z. H. Thaçit, nga këndvështrimi shtetëror është një  goditje serioze ndaj shtetit dhe shtetësisë  së Kosovës. Këtë situatë menjëherë filluan ta elaborojnë nga pozicione antikosovare  mediat e shteteve me qëndrime kundër vendit tonë e të tilla mjerisht nuk janë të pakta”, deklaroi Smaka.

Profesori, nga këndvështrimi personal dhe  se në parim duhet të mbështetet çdo akt politik e juridik që synon të sjellë rend dhe qetësi më vend. Ai përmendi edhe vrasjet e paslufte të shumë shqiptarëve të cilët kishin qëndrime dhe përcaktime të drejta për shtetin tonë.

“Nga aspekti individual, në parim duhet të mbështetet çfarëdo akti politik e juridik në favorin e legalitetit, rendit, qetësisë, punës së ndershme dhe përparimit të shoqërisë politike. Sikundër dihet edhe pas çlirimit të Kosovës nga okupimi serb, nga viti 1999 e këtej në vendin tonë kanë qenë vrarë shumë  persona shqiptarë të dinjitetshëm për vendin dhe për qëndrime për përcaktimet e drejta dhe veprimet e dobishme për popullin dhe shtetin tonë”, u shpreh Smaka

Dhe zbardhja e këtyre rasteve të pasluftës, do të ishte kusht themelorë për konstituimin e shtetit të së drejtës dhe shtetit juridik.

“Aktorët e krimeve të  tilla e të  jo pak  të tjerave, pothuajse, deri sot jo që nuk janë persekutuar penalisht por nuk janë identifikuar. Domosdoshëm duhet të radhitemi në favorin e konstitucionalizmit dhe të legalitetit si parakushte themelore për konstitutimin e shtetit të së drejtës në vendin  e shtetit juridik”, nënvizoi Smaka, përcjell “Bota sot”.

Smaka deklaroi se në Kosovë duhet të bëhen ndryshime të mëdha të sisitemit politik, pastaj edhe në rendin juridik. E kjo tutje tha se arrihet vetën me një mobilizim të forcave të reja, të cilat nuk janë të prekura nga krimi, korrupsioni dhe abuzimi politik.

“Në vendin do të duhej të bëheshin  ndryshime rrënjësore  të sistemit politik fillimisht e rrjedhimisht të rendit juridik. Ky aktivitet imediat do të mund të realizohej në saje të mobilizimit të dendur të forcave politike të reja, të shëndosha e të pa infektuara me parazitët e krimit, pasurimit të pa bazë, korrupsionit dhe abuzimeve të autorizimeve publike”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat