Arrestimi i komandantëve të Rognerit i pritshëm, Specialja përmend keqtrajtimet ndaj anëtarëve të LDK-së

Politika

Arrestimi i komandantëve të Rognerit i pritshëm, Specialja përmend keqtrajtimet ndaj anëtarëve të LDK-së

Nga: N. H Më: 8 nëntor 2020 Në ora: 14:37
Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi

Ish-presidenti Hashim Thaçi, ish kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi si dhe deputeti i Vetëvendosjes Rexhep Selimi ditë më parë kanë udhëtuar drejt Hagës me një avion ushtarak.

Në aktakuzën e ngritur nga Gjykata Speciale pretendohet se Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi kanë kryer krime të luftës, si përndjekje, burgosje, arrestim dhe ndalim të paligjshëm, torturë, trajtim mizor, akte çnjerëzore, zhdukje me forcë e personave, vrasje, etj.

Përveç, katërshes Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi në këta aktakuzë përmenden edhe personalitet tjera të cilat ishin pjesë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

Lidhur me arrestimet e fundit nga Specialja, ka folur edhe analisti politik, Fatmir Bajraj.

Ai është i mendimit se arrestimi i ish-krerëve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, nga ana e Gjykatës Speciale, siç njihen në opinion edhe si Shtab i Rognerit, ishte akt i pritshëm si rrjedhojë e zhvillimeve në Gjykatën Speciale.

“Aktakuza kundër strukturës komanduese të UÇK-së, dhe drejtorive politike të Shtabit të Rognerit, është aktakuzë mbi krimet e pretenduara të kësaj strukture, krime të cilat janë të sanksionuara me konventa ndërkombëre dhe ligjet e luftës, përfshi edhe vrasjet politike për qëllime pushteti, por deri atëherë, prezumimi i pafajësisë si parim, vlen deri tek verdikti meritor i drejtësisë, përkatësisht, vendimi valid i Gjykatës Speciale, alias Dhomave të Specializuara të Kosovës me seli në Hagë. Arrestimi i ish-krerëve të SHP të UÇK-së, përkatësisht të vetëquajturve udhëheqës të luftës çlirimtare të popullit të Kosovës në fundvitet e shekullit të kaluar, nga ana e Gjykatës Speciale, siç njihen në opinion edhe si Shtab i Rognerit, ishte akt i pritshëm dhe si rrjedhojë reale dhe logjike e zhvillimeve në Gjykatën Speciale dhe dhomave të specializuara të Kosovës”, është shprehur Bajraj, për gazetën “Bota sot”.

Bajraj madje thotë se konfimimimi i aktakuzave për eprorët e UÇK-së ishte shumë pritur nga qytetarët e Kosovës, dhe në veçanti nga familjarët e viktimave të cilët jetojnë në ankth dhe me shpresë në zbardhjen të së vërtetës.

“Aktakuza e konfirmuar nga ana e gjykatësit të specializuar të Gjykatës Speciale për përgjegjësitë e pretenduara komanduese dhe jo vetëm, të ish krerëve të UÇK-së duke filluar nga ish-drejtori i drejtorisë politike të UÇK-së, tanimë ish-presidenti Thaçi, ish-zëdhënësin e atij shtabi, Jakup Krasniqi, ish shefin e SHIK-ut, përkatësisht të një shërbimi monstruoz klandestin dhe ilegjitim dhe ilegal, tanimë ish-kryetarin e PDK-së, Kadri Veseli, si dhe ish shefin e policisë ushtarake në kuader të drejtorive të Shtabit të Rognerit dhe të SHIK-ut dhe të ish ‘QPK-së’, tanimë, shefi grupit parlamentar të VV-së në parlamentin e Kosovës, Rexhep Selimi si dhe konfirmimi i aktakuzës edhe për të tjerë nga ai shtab famëkeq, ishte imediat dhe i shumë pritur nga qytetarët e Kosovës dhe në veçanti nga familjarët e viktimave të cilët jetojnë në ankth dhe me shpresë në zbardhjen dhe ndëshkimin e kriminelëve të cilët privuan nga jeta me ekzekutime arbitrare dhe për motive pushteti, të dashurit e tyre”, tha me tej ai.

Bajraj shprehet se në atë bankë të zezë, janë të pretenduarit për krime lufte, kryesisht, anëtarëve të LDK-së dhe qytetarëve të cilët respektuan vijën institucionale të Republikës së Kosovës.

“Arrestimet e fundit, satisfaksion i familjarëve të viktimave dhe i qytetarëve shumicë të Kosovës. Të akuzuarit, nuk mund të thirrën në luftën e drejtë të UÇK-së dhe në kauzën nacionale të qytetarëve të Kosovës për liri e pavarësi, sikurse nuk mund të fshihen pas vlerave sublime të popullit tonë dhe sakrificës ndër breza deri tek çlirimi i vendit dhe e drejta e ndërtimit të shtetit sovran e të pavarur. Në bankën e të akuzuarve, nuk është lufta e drejtë e shqiptarëve të Kosoves dhe as pastërtia e saj si vlerë dhe postulat sublim, përkundrazi; në atë bankë të zezë, janë të pretenduarit për krime lufte, krime kundër njerëzimit, dhe mbi të gjitha, për krimet makabre kundër kundërshtarëve politik në luftën për pushtet dhe jo për shtet, kryesisht, anëtarëve të LDK-së dhe qytetarëve të cilët respektuan vijën institucionale të Republikës së Kosovës, dhe presidentin Rugova, gjë që s’ishte rasti kurrë me të akuzuarit në fjalë dhe strukturat e tyre të dyshimta gjatë gjithë kohës”, potencon Bajraj.

Në fund ai thekson se drejtësia e vonuar, është drejtësi e mohuar për viktimat, dhe, sipas tij, ky mohim duhet të këtë një fund, proces ky i cili është edhe shpresë e familjarëve të viktimave.

“Krimet kanë ndodhur, viktimat dihen dhe njihen, mungon vetëm zbardhja e tyre dhe ndëshkimi autorëve nga drejtësia që tani e mbi dy dekada në Kosovën e çliruar, por më një liri të brishtë dhe jo të plotë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, është vonuar duke mohuar fare atë (drejtësinë) për viktimat dhe familjarët e tyre”.

“Drejtësia e vonuar, është drejtësi e mohuar për viktimat dhe ky mohim duhet të këtë një fund, duhet të këtë një fund i cili do shënonte edhe fillimin e aktivizimit të një mekanizmi dhe një procesi gjyqësor i cili është edhe shpresë e familjarëve të viktimave, pra ngritja e aktakuzave për autoret e pretenduar të krimeve të “supozuara” prej tyre në periudhën e definuar dhe të konturuar nga Gjykata Speciale e Kosovës me seli në Hagë”, ka theksuar Fatmir Bajraj.

Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi akuzohen për vrasje, përfshirë anëtarë të LDK-së

Kujtojmë se Gjykata Speciale, përmes një komunikate për media të enjten në mbrëmje, ka njoftuar zyrtarisht se ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi akuzohen për vrasje, trajtim mizor, zhdukje me forcë të personave në periudhën mars 1998-shtator 1999.

Madje, ata akuzohen për vrasje në Shqipëri, e aty është përmendur se ndër viktimat kanë qenë edhe anëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat