Aktakuzat dhe arrestimi i Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit, flet për “Bota sot”, avokati Ngjela: Kjo është vetmja e mirë për Kosovën - UÇK e pamohueshme

Politika

Aktakuzat dhe arrestimi i Thaçit, Veselit, Krasniqit e Selimit, flet për “Bota sot”, avokati Ngjela: Kjo është vetmja e mirë për Kosovën - UÇK e pamohueshme

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 9 nëntor 2020 Në ora: 19:25
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi gjatë paraqitjes së parë pranë Dhomave të Specializuara.

Gjykata Speciale në Hagë, javën e kaluar ka konfirmuar aktakuzat e ngritura ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi, për ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, si për dhe Shefin e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi. 

Në aktakuzën e ngritur nga Gjykata Speciale, pretendohet se Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi kanë kryer krime të luftës, si përndjekje, burgosje, arrestim dhe ndalim të paligjshëm, torturë, trajtim mizor, akte çnjerëzore, zhdukje me forcë e personave, vrasje, etj.

Këto zhvillime të fundit nga Gjykata Speciale, shkaktuan reagime të shumta në opinionin publik në Kosovë dhe me gjerë.

Avokati dhe publicisti Spartak Ngjela, i cili është edhe njohës i thellë i çështjeve politike e kombëtare, në një bisedë ekskluzive për gazetën “Bota sot”, ka thënë se zhvillimet e fundit në Kosovë është duke i parë si një hap përpara drejt konsolidimit real të shtetit të Kosovës.

Ai në këtë bisedë, në detaje i ka dhënë arsyet që e bindin për këtë, pra se Kosova është rrugës për t’u konsoliduar. Gjersa, ka theksuar se gjithë ky proces i nisur do t’i japë vlerë demokratike shtetit të Kosovës, dhe do të çlirojë opinionin përfundimisht.

“E gjithë çështja tani është e mbërthyer tek akti i arrestimit të disa krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ky akt ndërkohë ka sjellë mendime në përplasje, dhe ndoshta edhe ndonjë hutim në segmente të veçantë të opinionit publik shqiptar në Kosovë. Ne lidhje me këtë, e njëjta gjë, si një impenjim mendor që kërkon zgjidhje, po ndodh edhe në Shqipëri. Sot jemi sak në kohën kur, ngjarjet historike në Kosovë, vijnë e reflektojnë edhe në Shqipëri”.

“Duhet të kuptohemi që në fillim; juridikisht, arresti nuk është dënim, por vetëm një akuzë që ka filluar të hetohet. Vendimi i gjykatës, është krejt një tjetër gjë. Në funksion të këtij konceptimi juridik, sigurisht që na duhet të themi se deri tani ka vetëm denoncime nga shqiptarë të Kosovës, për krime të kryera nga segmente të caktuara të Ushtrisë Çlirimtare. Nëse denoncimet, që unë i kam parë nëpër mediat e Kosovës, janë të vërteta, gjendja në Kosovë paska qenë shumë e rëndë. Por kjo mund të vërtetohet si fakt, vetëm përpara një gjykate, dhe vetëm me prova”, ka thënë avokati.

Shkëmbimi i territoreve, masë mbrojtëse kundrejt akuzës në Gjykatën Speciale?

Publicisti i njohur shqiptar ka dilema se shkëmbimi i territoreve, ide kjo e proklamuar fillimisht nga presidenti Thaçi, mund të ketë qenë një masë mbrojtëse kundrejt akuzës nga Gjykata Speciale.

“Ajo që krijon një trysni te thekshme në opinionin publik shqiptar për këtë fakt, është arrestimi i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi; në një kohë që për Thaçin ka një vit që vërtiten dyshime të shumta. Nuk duhet të harrojmë ndërkaq përfshirjen e tij në shkëmbimin e territoreve. Dhe nuk duhet të harrojmë në analizë, se bashkëpunëtori i tij amerikan Grenell, tani u zhduk nga skena. E pra, mos ndoshta shkëmbimi i territoreve ka qenë një masë mbrojtëse kundrejt akuzës në Gjykatën Speciale? Nuk di se çfarë të them për këtë, sepse nuk kam prova, por kjo çështje është ngritur pikërisht kështu nga mediumi i Kosovës”, shprehet publicisti Spartak Ngjela.

Ngjela si njohës shumë i mirë i kësaj fushe, shpjegon se një gjykatë ndërkombëtare e paanshme, e njohur me ligj, do të gjykojë luftëtarët-krerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për akuza që familjarët e individëve të vrarë kanë ngritur kundër tyre.

Sipas avokatit, në thelb, kjo është një çështje shumë e moralshme, dhe kjo mund të zgjidhet vetëm nga një gjykatë me nivel profesional, e pavarur dhe e drejtë.

Image
Avokati Spartak Ngjela

“Në rastin konkret, në kemi një Gjykatë Speciale, që është e ngritur me ligj nga Kuvendi i Kosovës, por që nuk ka në anëtarësinë të vet asnjë shqiptar. Domethënë, si premisë kryesore në këtë analizë, na duhet të theksojmë se; një gjykatë ndërkombëtare e paanshme, e njohur me ligj, do të gjykojë luftëtarët-krerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, për akuza që familjarët e individëve të vrarë kanë ngritur kundër tyre. Në thelb, kjo është një çështje shumë e moralshme, dhe mund të zgjidhet vetëm nga një gjykatë me nivel profesional, e pavarur dhe e drejtë. Moraliteti i kësaj çështjeje gjyqësore, si drejtësi, mban të mbërthyer brenda saj vetë moralitetin në qeverisjen së ardhshme të shtetit të Kosovës. Ne shqiptarët duhet të jemi të qartë për një gjë; shteti ka karakter juridik, dhe ligji është substanca e drejtësisë. Karakteri juridik i shtetit, në demokraci, do të thotë shtet ligjor; dhe shtet ligjor do të thotë; drejtësi nëpërmjet një ligji të drejtë, një gjykate të paanshme dhe me nivel profesional; por edhe me një temp shoqëror që ka besim te drejtësia e shtetit të vet dhe nuk ka frikë nga padrejtësia”, tha ai.

Aktakuzat nga Gjykata Speciale, Ngjela: Nuk është bërë asnjë teprim

Ngjela është i mendimit se në lidhje me akuzat e ngritura nga Specialja kundër individëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, nuk është duke u bërë asnjë teprim.

Ai madje tregon se ka hasur të dëgjojë shumë nga mediet në Kosovë, se nga krerët e UÇK-së ka pasur edhe urdhra për të vrarë presidentin Ibrahim Rugova, andaj, dhe shprehet se dyshimet e tij nuk mund t’i rrezojë askush, pa parë një proces gjyqësor në gjykim të këtij fakti; se ka apo nuk ka prova.

“Në funksion të këtij gjykimi që shpreha më lart, unë nuk shoh asnjë teprim në atë që po ndodhë në Kosovë, në lidhje me akuzat e ngritura kundër individëve të Ushtrisë Çlirimtare. Madje, nga ato që janë shkruar në shtypin e Kosovës, unë kam hasur shpesh që, nga krerët e UÇK-së ka pasur edhe urdhra për të vrarë Ibrahim Rugovën. Kjo më duket shumë e rëndë. Për këtë rast nuk duhet të harrojmë se ne shqiptarët e kemi parë dhe ende e shohim rivalin politik si armik për vdekje. Prandaj, unë këtë dyshim nuk mund ta rrëzoj pa parë një proces gjyqësor në gjykim të këtij fakti: ka apo nuk ka prova. E them këtë se, në të gjitha luftërat guerile, si ajo për çlirimin e Kosovës, ka pasur akte terroriste kur, krerë të brigadave luftarake, kanë vrarë bashkëpunëtorë të tyre, vetëm për t’i hapur rrugën karrierës së vet për pushtet”, deklaron avokati Ngjela.

UÇK është e pamohueshme

Tutje, Ngjela thekson se Ushtria Çlirimtare e Kosovës është e pamohueshme, dhe se ka një vlerë të madhe historikë në historinë e të gjithë botës shqiptare në Ballkanin Perëndimor, por fenomeni i brendshëm i natyrës patologjike për pushtet, një fenomen i njohur ky ndërkombëtarisht, dhe, edhe në natyrën e psikikës shqiptare, nuk e zbeh fare vlerën historike të luftës çlirimtare, por, përkundrazi, hedh themelet për një shtet të drejtë demokratik dhe patriotik në Kosovë.

“Historia e luftërave çlirimtare na ka treguar se, gjithmonë, krerët e ushtrive çlirimtare, të cilët në luftë e kanë mbajtur pozicionin e tyre komandues me terror kundër bashkëluftëtarëve, apo kundër rivalit politik, kur kanë ardhur në pushtet mbas çlirimit, i kanë bërë gjëmën popullit të vet. Dhe, ne shqiptarët, nuk duhet ta harrojmë, se, vërtet Lufta Nacional Çlirimtare në Shqipëri ishte heroike dhe me vlerë të madhe historikë, por duhet të kujtohemi gjithashtu, se, pikërisht krerët që me Enver Hoxhën kishin varë shqiptarë të pafajshëm gjatë luftës, pa gjyq, por si “tradhtarë” apo “spiunë”, dhe me dekrete të Enver Hoxhës, erdhën në pushtet dhe vendosën një terror shtetëror të përbindshëm për 45 vjet rresht. Dekretet për vrasje me atentat, të urdhëruara nga Enver Hoxha, tani kanë dalë si dokumente nga arkiva e shtetit”, thekson ai

Mes të tjerave, ai konsideron se arrestimi i krerëve dhe gjykimi i tyre në Gjykatën Speciale, në të dy rastet e mundësisë, edhe nëse i provon urdhrat vrasës të krerëve të UÇK-së, edhe nëse nuk i provon ato, do t’i japë vlerë demokratike shtetit të Kosovës, dhe do të çlirojë opinionin.

“Historia përsëritet, ky është sot gjykimi absolut i filozofisë së historisë; dhe ne këtë e konstatojmë edhe në dy luftërat me vlerë të madhe historikë që kanë bërë shqiptarët në tetëdhjetë vjetet e fundit. E theksoj këtë, sepse tani dihet që Lufta Nacional Çlirimtare është e provuar që ka rënë në terrorizëm; prandaj, unë personalisht, nuk mund ta përjashtoj dhe as ta provoj a apriori nëse ka rënë ose jo edhe UÇK në terrorizëm antishqiptar, me krerët e vet. Prandaj, arrestimi i krerëve dhe gjykimi i tyre në Gjykatë Speciale dhe ndërkombëtare, do të na japë faktin real, i cili, në të dy rastet e mundësisë, edhe nëse i provon urdhrat vrasës të krerëve të UÇK-së, edhe nëse nuk i provon ato, do t’i japë vlerë demokratike shtetit të Kosovës, dhe do të çlirojë opinionin publik shqiptar në Kosovë”, ka thënë ai.

Përfundimisht për avokat Spartak Ngjelën, është i mendimit se duhet të priten vendimet e Speciales, pasi sipas tij, shenjat për liderët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk janë shumë të mira.

“Historia nuk duhet të harrohet asnjëherë, se ajo përsërit vetveten. Por, megjithatë, assesi nuk duhet ta shmangim nga analiza jonë faktin që, krerët e UÇK-së që qeverisën Kosovën dhe që janë të arrestuar, kanë rënë në korrupsion, dhe kjo tani del e provuar nga pronat e mëdha që disponojnë, të vëna të gjitha duke qenë pushtetarë. Kjo është shumë e rëndë, sepse, si fakt, na vjen e na përngjan me faktin historik se, të gjithë pushtetarët që, për pushtet personal, kanë vrarë bashkëpunëtorët e tyre apo patriotët gjatë një luftë çlirimtare, kur kanë ardhur në pushtet, kanë qenë të korruptuar dhe nuk kanë lejuar vendosjen e një shteti të drejtë ligjor. E pra, përfundimisht, na duhet të presim vendimin e gjykatës, sepse shenjat për liderët e UÇK-së nuk janë shumë të mira”, potencon avokati shqiptar.

Krejt në fund të bisedës, avokati i njohur shqiptar, Spartak Ngjela, nënvizon se Gjykata Speciale që funksionon në Hagë, me vendimin e saj, do ta shëndoshë gjendjen politike në Kosovë.

Madje, shprehet se nuk ka sesi të mos e shoh pa vëmendje që, arrestimi i Hashim Thaçit me kompani, nuk është vetëm koincidencë që erdhi pikërisht kur në Uashington, Joe Biden, kishte siguruar postin e presidentit të ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por se kjo, duhet të jetë një pjesë e dytë e kësaj analize.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat