“Vrasjet politike, thembra e Akilit”, deklarata tronditëse: Kjo është adresa e vrasjes së Xhemajl Mustafës, Enver Malokut, Ahmet Krasniqit...

Politika

“Vrasjet politike, thembra e Akilit”, deklarata tronditëse: Kjo është adresa e vrasjes së Xhemajl Mustafës, Enver Malokut, Ahmet Krasniqit...

Nga: N. H Më: 9 nëntor 2020 Në ora: 22:25
Ahmet Krasniqi, Enver Maloku, Xhemajl Mustafa e Smajl Hajdaraj

Analisti politik, Fatmir Bajraj, duke folur rreth zhvillimeve të fundit në vend, me theks të veçantë për arrestimet e fundit nga Gjykata Speciale, ka thënë se vrasjet politike që ndodhën në Kosovë para dhe pasluftës janë thembra e Akilit.

Ai madje shprehet i ashpër ndaj pjesëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm, për të cilët thotë se janë adresa e shumë vrasjeve të kryera në Kosovë.

“Vrasja me atentate e bashkëpunëtorëve të presidentit historik Rugova, duke filluar nga titullar të institucioneve të Republikës, gjatë dhe pas luftës çlirimtare, dhe që nga ish-ministri i Mbrojtjes në FARK, kolonel Ahmet Krasniqi, Enver Maloku, Xhemail Mustafa, kolonel Tahir Zemaj, komandantët; Smajl Hajdaraj, Komandant Drini e Ukë Bytyçi, Shaban Manaj e Haki Ymeri, si dhe Ismet Rraci dhe tentim atentatet ndaj Fetah Rudi, Gani Geci, akademik Sabri Hamiti e Adem Salihaj, dhe deri të tentim atentati i trefishtë ndaj vetë presidentit Rugova, kanë një adresë, kanë një adresim, dhe ky është Shtabi i Rognerit, target i Gjykatës Speciale të Kosovës me seli në Hagë”, shprehet Bajraj.

Kush ishin anëtaret e Shtabit të Përgjithshëm i UÇK-së me seli në Tiranë, dhe cila ishte lidhja kauzave e ‘shtabistëve’ me vrasjet politike?

Bajraj, në këtë prononcim tregon rastin se si drejtori i drejtorisë së UÇK-së, Hashim Thaçi, e kishte kërcënuar kolonel Krasniqin përmes telefonit.

“Hashim Thaçi, si drejtor i Drejtorisë Politike të UÇK-së, gjatë luftës kishte kërcënuar përmes telefonit me likuidim ish-ministrin e Mbrojtjes ë Republikës së Kosovës, kolonelin Ahmet Krasniqi në praninë e Komandantit legjitim të ZOD-it, kolonel Tahir Zemaj, dhe të bashkëluftëtarëve të tij, si dhe në prani të shtabistëve të Rognerit, tanimë të akuzuar për vrasjet politike për pushtet, për “mosdegjueshmeri”, dhe mos përfillje të vendimeve ushtarake të vijës së ish SHP të UÇK-së dhe Hashim Thaçi, fakt që koiçidon me atentatin ndaj kolonel Krasniqit në Tiranë”, tha ai.

Ndërsa, për Jakup Krasniqin, Bajraj kujton momentin se si ky i fundit e kishte quajtur presidentin Rugova si “Hamza Kastriot”, emër ky sinonim i tradhtisë kombëtare.

“Jakup Krasniqi, ish anëtar i Shtabit të Rognerit, në cilësinë e zëdhënësit të UÇK-së, gjatë luftës së Kosovës, dhe pasi që kishte filluar bombardimi i caqeve serbe dhe i Serbisë nga ana e NATO-së me 24 mars 1999 dhe pasi që presidenti Rugova ishte kidnapuar dhe marrë peng nga regjimi kriminal e gjenocidal i Millosheviçit dhe ishte dërguar në Beograd bashkë me familjen, ky “zëdhënës” i UÇK-së, e quajti presidentin Rugova; “Hamza Kastriot”, emër sinonim i tradhtisë kombëtare që ishte një linçim i figurës së tij dhe një thirrje e hapur për likuidimin e tij, për çfarë presidenti Rugova, përjetojë dhe mbijetojë tri atentate të mëvonshme”, potencon analisti Bajraj.

Ndërsa, për ish-kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, analisti konsideron se është një figurë monstruoze e misterioze.

“Kadri Veseli, një figurë monstruoze e misterioze, i katapultuar në maja të një shërbimi të vetëquajtur informativ e kombëtar (SHIK), një shërbim i cili ka dorë dhe dijeni për të gjitha vrasjet politike të gjatë dhe pas luftës së Kosovës, përkatësisht të luftës së tyre për pushtet, duke eliminuar me atentate të organizuara mirë bashkëpunëtorët e presidentit Rugova dhe funksionar partiak e shtetëror, deri atëherë kur morën pushtetin ekskluziv mbi institucionet e Kosovës, me ç’rast ndaluan edhe vrasjet “enigmatike”, dhe pushojë nevoja e atentateve ndaj kundërshtarëve politik”, tha me tej ai.

Kurse, për Shefin e Grupit Paralamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, ai shprehet se me Azem Sylën, këta dy kishin sabotuar komandantin legjendar, Adem Jashari, duke ia ndalë edhe mjetet financiare dedikuar Ademit dhe familjes Jashari.

“Rexhep Selimi, anëtar i Shtabit të Rognerit, njeriu i cili bashkë me Azem Sylën i cili ishte komandant i tij në shtabin famëkeq (SHP), e kishin sabotuar komandantin legjendar, Adem Jashari, duke ia ndalë edhe mjetet financiare dedikuar Ademit dhe familjes Jashari për rezistencë kundër armikut shekullor serb dhe regjimit të Millosheviçit, kundër të cilit, Ademi dhe familja e tij, kishte dalë hapur dhe me grykë të pushkës. Rexhep Selimi, ky militant i VV-së, përflitej se kishte dorë në vrasjen e Xhemajl Mustafes, Haki Ymerit dhe në tentim-atentatin ndaj Fetah Rudit, deputet i LDK-së në Parlamentin e Kosovës”, tha Bajraj.

Krejt në fund, analisti politik, thekson se verdikti i Gjykatës Speciale, do lehtësojë sadopak dhe ndihmojë familjet e viktimave dhe shoqërinë e Kosovës në përgjithësi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat