39 lokacionet e “krimit” – hetimet për krerët e UÇK-së do të zgjasin gjatë

Politika

39 lokacionet e “krimit” – hetimet për krerët e UÇK-së do të zgjasin gjatë

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 10 nëntor 2020 Në ora: 12:26
Rexhep Selimi, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi

Tashmë është bërë e qartë se të paktën 39 lokacione janë përmendur si vende ku krerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës pretendohet të kenë kryer vrasje në aktakuzën që Gjykata Speciale ka publikuar për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin.

Në aktakuzën e publikuar, kjo gjykatë ka përmendur shumicën e komunave të Kosovës, ndërsa ka përmendur edhe Kukësin si territor ku janë kryer krimet e pretenduara.

Periudha mbi të cilën rëndon akuza ndaj tyre është mars 1998 deri shtator 1999.

Por, sa do të zgjasë në të vërtetë gjithë kjo maratonë e nisur këto ditë. Për këtë çështje, gazeta ka marrë shpjegime nga njohësit e çështjeve juridike.

Njohësit e kësaj fushe, për gazetën “Bota sot”, kanë sqaruar se procedurat juridike - penale, në përgjithësi dhe në parim zgjasin relativisht gjatë nga se administrimi i provave kurdoherë është i ndërlikuar dhe jo aq lehtë i menaxhushëm.

Sipas juristëve, procedurat juridike - penale të nisura konkretisht kundër disa personave publike të Kosovës, nuk do të mund të jenë të shkurtra aq më parë kur pritet që lista e personave të dyshuar për kryerje te veprave penale - krimeve të caktuara, do të zgjerohet edhe më shumë.

Smaka: Zgjasin relativisht gjatë

Njohësi i së drejtës Kushtetuese, profesor Riza Smaka, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka shpjeguar procedurat se çfarë do të ndodhë me ish presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, ish kreun e PDK-së, Kadri Veseli, ish kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi dhe deputetin e VV-së, Rexhep Selimi, tashmë të arrestuar nga Gjykata Speciale.

Image
Riza Smaka

Smaka sqaron se në parim procedurat juridike e penale zgjasin relativisht gjatë, nga se ai tregon se administrimi i provave kurdoherë është i ndërlikuar dhe jo aq lehtë.

“Procedurat juridike - penale, në përgjithësi dhe në parim zgjasin relativisht gjatë nga se administrimi i provave kurdoherë është i ndërlikuar dhe jo aq lehtë i menaxhushëm. Në anën tjetër, aq sa aktualisht mund të dihet, për disa prova që do të pritej të administroheshin , mund të supozohet se do të qasen probleme referuar sigurimit nga se periudha kohore e supozimeve të kryerjeve të veprave penale dhe e administrimit të provave, është relativisht e gjatë”, është shprehur njohësi i së drejtës Kushtetuese, për gazetën “Bota sot”.

Tutje, ai paralajmëron se procedurat juridike - penale të nisura konkretisht kundër disa personave nuk do të mund të jenë të shkurtra, pasi sipas tij, lista e personave të dyshuarve për krime të caktuara do të zgjerohet.

“Gjithsesi, procedurat juridike - penale të nisura konkretisht kundër disa personave publike të Kosovës, nuk do të mund të jenë të shkurtra aq më parë kur pritet që lista e personave të dyshuar për kryerje te veprave penale - krimeve të caktuara, padyshim se do të zgjerohet”, ka deklaruar profesori, Riza Smaka, ekspert i së drejtës kushtetuese, në një prononcim për gazetën “Bota sot”.

Spartak Ngjela: Juridikisht, arresti nuk është dënim

E, për këtë çështje, ka folur edhe avokati i njohur shqiptar, njëherit edhe njohës i thellë i çështjeve politike e kombëtare.

Në një prononcim të dhënë për gazetën “Bota sot”, avokati Spartak Ngjela sqaroi se juridikisht, arresti nuk është dënim, por vetëm një akuzë që ka filluar të hetohet.

Image
Spartak Ngjela

Avokati u shpreh se lidhur me zhvillimet e fundit në vend, deri më tani ka vetëm denoncime nga shqiptarë të Kosovës, për krime të kryera nga segmente të caktuara të Ushtrisë Çlirimtare.

“Duhet të kuptohemi që në fillim; juridikisht, arresti nuk është dënim, por vetëm një akuzë që ka filluar të hetohet. Vendimi i gjykatës, është krejt një tjetër gjë. Në funksion të këtij konceptimi juridik, sigurisht që na duhet të themi se deri tani ka vetëm denoncime nga shqiptarë të Kosovës, për krime të kryera nga segmente të caktuara të Ushtrisë Çlirimtare. Nëse denoncimet, që unë i kam parë nëpër mediat e Kosovës, janë të vërteta, gjendja në Kosovë paska qenë shumë e rëndë. Por kjo mund të vërtetohet si fakt, vetëm përpara një gjykate, dhe vetëm me prova”, ka thënë avokati Ngjela, për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, ajo që krijon një trysni të thekshme në opinionin publik shqiptar për këtë fakt, është arrestimi i presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi; në një kohë që për Thaçin ka një vit që vërtiten dyshime të shumta.

“Nuk duhet të harrojmë ndërkaq përfshirjen e tij në shkëmbimin e territoreve. Dhe nuk duhet të harrojmë në analizë, se bashkëpunëtori i tij amerikan Grenell, tani u zhduk nga skena. E pra, mos ndoshta shkëmbimi i territoreve ka qenë një masë mbrojtëse kundrejt akuzës në Gjykatën Speciale? Nuk di se çfarë të them për këtë, sepse nuk kam prova, por kjo çështje është ngritur pikërisht kështu nga mediumi i Kosovës”, shprehet publicisti Spartak Ngjela.

Juristi: Nuk dihet sa do të zgjasë, varet nga provat dhe dëshmitarët

Kurse, nga ana tjetër, njohësi tjetër i çështjeve juridike e kushtetuese, Blerim Burjani, në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot”, ka thënë se procesi që tashmë ka filluar në Gjykatën Speciale, nuk dihet se sa do të zgjas, pasi sipas tij,krejt kjo do të varet provat qe parashtrohen.

Image
Blerim Burjani

“Ky proces nuk dihet sa do të zgjasë, varet nga provat që parashtrohen, dëshmitarët. Është një procedurë e zakonshme e dëshmive, paraqitjes së provave, kurse, intensitet i parashtrimit varet nga prokurori”, tha juristi Bujani.

Juristi është i mendimit se proceduara e funksionimit të Gjykatës Speciale është mjaftë e komplikuar në parashtrim të provave, dhe se përgatitja e seancave është problemi kryesor apo që merr kohë shumë.

“Kjo nuk dihet sa zgjatë brenda një viti po të mund të përmbyllët procesi apo dy vjet do të ishte efikase. Procedura siç dihet është e komplikuar në parashtrim të provave dhe përgatitjes të seancave, përgatitja e seancave është problemi kryesor apo që merr kohë shumë”, ka deklaruar për gazetën “Bota sot”, juristi Blerim Burjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat