Muhamet Kelmendi: Paraqitja e Jakup Krasniqit e emocionuar, ajo e Thaçit dhe Veselit...

Politika

Muhamet Kelmendi: Paraqitja e Jakup Krasniqit e emocionuar, ajo e Thaçit dhe Veselit...

Nga: A.Morina Më: 10 nëntor 2020 Në ora: 17:22
Foto Ilustrim

Njëri nga katër udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës të cilët po mbahen në paraburgim, Kadri Veseli, sot bëri paraqitjen e parë të tij para Dhomave të Specializuara.

Seanca për ish kreun e Kuvendit u mbajt në orën 15:00 dhe ai u deklarua i pafajshëm. Po ashtu, dje gjatë ditës para dhomave të Specializuara u paraqitën ish- Presidenti Hashim Thaçi dhe ish- Zëdhënësi i UÇK-së Jakup Krasniqi. Të dy u deklaruan të pafajshëm para gjyqtarit në Hagë duke i mohuar kategorikisht akuzat.

Njohësi i çështjeve juridike, Muhamet Kelmendi, në një prononcim për gazetën “Bota sot” foli për paraqitjen e ish-ushtarëve të UÇK-së, në seancat e tyre të para gjyqësore në Hagë. Kelmendi deklaroi se paraqitja e Jakup Krasniqit dalloi nga paraqitjet e Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit.

“Paraqitja e të akuzuarve para Gjykatës Speciale është një dukuri e paraqitur dhe e rregulluar në Rregulloren e punës së Gjykatës. Ne në këto paraqitja i pamë dy situata krejtësisht të kundërta: Njëra është e Jakup Krasniqit të lidhur dhe të emocionuar me veprime të bëra ndaj ti gjatë kohës së bastisjes dhe të arrestimit. Kurse, tjetra e Hashim Thaçit dhe të Kadri Veselit, të cilët ishin të karakterit të thjeshtë juridik, me mbrojtje profesionale dhe pa deklarime të gjera, përveç mbi pafajësinë. Të tretë u deklaruan të pafajshëm”, ” u shpreh Kelmendi.

Ai tha se pas paraqitjeve në seancat e para gjyqësore në Hagë, priten zhvillime të reja, duke potencuar se aktakuzat e Prokurorisë nuk ndryshon nga asnjëri.

“Tash priten zhvillimet e procedurës paraprake mbi qëndrimet mbi akuzat dhe mbi kërkesat për mbrojtjen në liri. E përbashkëta e akuzave të paraqitura nga Prokuroria nuk ndryshon fare ndaj asnjë të akuzuari”, nënvizoi Kelmendi.

Njohësi i çështjeve juridike, akuzat e Krasniqit, Thaçit dhe Veselit i krahasoi me kor muzikor. Duke shtuar, se këto aktakuza nuk do të vërtetohen kurrë, pasi janë shumë joprofesionale.

“Akuzat si në korin muzikor ishin në të njëjtën fjalë dhe në fjali, në vende e në llojet e veprave kriminale që akuzoheshin. Është, pra, një kor muzikor që kurrë në këtë gjykatë nuk mund të vërtetohen. Ato janë shumë të gjera dhe tepër jo profesionale. "Armiq, vrasje, grabitje , torturë etj”.”, theksoi Kelmendi.

Në fund, pavarësisht se procedurat vazhdojnë, ai u shpreh i bindur në pafajësinë e të akuzuarve dhe në dështimin e Gjykatës Speciale.

“Procedura do të vazhdoj dhe lypse të presim për mendimet dhe përfundimet, sikundër edhe për verdiktin e fundit. Por, pavarësisht, jam i bindur se kjo gjykatë do të pësoj fiasko të plotë dhe kurrë nuk do të vërtetohen ato akuza. Të akuzuarit do të dalin faqebardhë nga kjo gjykatë në Hagë”, përfundoi Kelmendi.

Kadri Veseli, Hashim Thaçi, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi po mbahen në paraburgim në Hagë pasi ishin arrestuar gjatë javës së kaluar në Kosovë. Ata u arrestuan pasi me 26 tetor 2020 ndaj tyre u konfirmuan akuzat për krime lufte e krime kundër njerëzimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat