Gjorgjeviq: Vuçiqi ka premtuar ta dorëzojë Kosovën

Politika

Gjorgjeviq: Vuçiqi ka premtuar ta dorëzojë Kosovën

Nga: B.S. Më: 13 nëntor 2020 Në ora: 10:38
Mlagjan Gjorgjeviq

Kryetari i lëvizjes serbe Çlirimi (Oslobogjenje) Mlagjan Gjorgjeviq ka vlerësuar sot se me krahasimin e situatës në Kosovë me konfliktin në Nagorni Karabah, kryetari i Serbisë Aleksandar Vuçiq "po e frikon popullin serb" se mund të përjetojë fatin e Armenisë në atë tërritor "të kontestueshëm".

Në një deklaratë me shkrim, Gjorgjeviq vlerësoi se Vuçiqit "nuk i pëlqen konflikti i ngrirë, sepse ai ka premtuar të dorëzojë Kosovën".

"Vuçiq na kërcënon me spastrim etnik dhe na premton stuhi të reja. Ai po bën gjithçka kundër status quo-së sepse ky është urdhëri që ka dhe sepse ai është pajtuar për këtë dhe sepse për këtë ka rënë dakord në tregtitë e tij, që të provojë t'i korruptojë e frikësojë serbët të heqin dorë nga Kosova", ka thënë ai.

Ai ka porositur Vuçiqin "të mos bëhet marionetë e Perëndimit" për të mos e pësuar si kryeministri i Armenisë, i cili "pas koketimit me perëndimorët është lënë në baltë dhe pas humbjes së një pjese të konsiderueshme të territorit kanë filluar protestat kundër tij, të cilat ende po vazhdojnë".

Ai akuzon Vuçiqin se "ka vendosur t'i injorojë aleatët tradicionalë të Serbisë, kryesisht Rusinë, e cila është garantuese e Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të KB-së, sipas së cilës Kosova njihet ndërkombëtarisht si pjesë e Serbisë".

"Në të njëjtën kohë, Vuçiq po e dorëzon Kosovën pak nga pak me Marrëveshjen e Brukselit, Marrëveshjen e Uashingtonit, mini-Shengen dhe veprime të tjera dhe po i jep pavarësi të plotë", shtoisipas "Danas"-it.

Kryetari i Serbisë deklaroi dje se konflikti në Karabah flet se si një konflikt i ngrirë "kur dikush e shkrinë" mund të jetë katastrofik dhe kjo është arsyeja pse mesazhi i Serbisë është të vazhdojë dialogun me Prishtinën.

Vuçiq tha se ishte më mirë të arrihej një kompromis "më shpejt sesa më vonë" dhe se "përndryshe një lloj konflikti mund të na ndodhë" dhe se "mësimet nga vitet 1990 duhet të merren".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat