Çfarë po ndodhë me Vetëvendosjen? Paralajmërohet dështimi i madh i saj

Politika

Çfarë po ndodhë me Vetëvendosjen? Paralajmërohet dështimi i madh i saj

Nga: P.R Më: 14 nëntor 2020 Në ora: 18:40
Albin Kurti

Ishte 6 gushti kur Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi kishte paralajmëruar se Vetëvendosje do të nisë mbledhjen e nënshkrimeve për mbajtjen e seancës, për votimin e mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë së drejtuar nga kryeministri Avdullah Hoti.

“Qeverisja ilegale dhe jolegjitime, katastrofa humanitare, rikapja e shtetit, nënshtrimi ndaj Serbisë dhe shumë të tjera janë arsye të mjaftueshme që secili deputet do të duhej ta kërkonte një qeveri tjetër. Mocioni si draft mund të ketë ndryshime dhe avancime në varësi të bashkëpunimit me ata që e mbështesin këtë mocion, pra nga ky moment nisim mocionin e rrëzimit të qeverisë aktuale në Kosovë”, kishte thënë atëhërë Rexhep Selimi, i cili tani gjendet i burgosur në Gjykatën Speciale.

Kur kanë kaluar më shumë së tre muaj që nga paralajmërimi i këtij mocioni, Lëvizja Vetëvendosje ka dështuar që të sigurojë votat për një gjë të tillë.

Se ky mocion po shkon drejt dështimit, e thotë edhe analisti politik, Nexhat Haziri.

Image
Nexhat Haziri

“E kam deklaruar edhe më parë se nisma e Vetëvendosje për mocion mos besimi ndaj qeverisë Hoti, është e dështuar , pasi ishte më shumë një nismë sa për ta mbajtur në eufori anëtarësinë e saj se sa diçka që LVV-ja do të mund ta materializoj nismën e saj për ta rrëzuar qeverinë Hoti”, thotë Haziri për gazetën “Bota sot”.

Hazairi ka treguar edhe arsyet pse Vetëvendosjes do t’i dështojë mocioni për rrëzimin e Avdullah Hotit.

“Së pari LVV-ja nuk arriti që t’i bëjë numrat e duhur për ta proceduar deri në kryesi të Kuvendit, për shkak të polarizimit të skajshëm të marrëdhënieve apo raporteve të saja me të gjitha subjektet politike parlamentare në Kuvend. E dyta PDK-ja edhe pse në formë deklarative ka dhënë mbështetje kësaj nisme që nga fillimi, asnjëherë nuk ia ka garantuar votat në Kuvend, duke e vënë në lajthitje LVV-në për arsye të problemeve që ka tashmë PDK-ja , sidomos tani në mungesë të një lidershipi me kredibilitet pasi ish presidenti Thaçi si lider shpirtëror i tyre dhe lideri partiak Kadri Veseli janë në procese gjyqësore në Hagë si të akuzuar për krime lufte, dhe e treta qeveria Hoti ka mbështetjen e partnerëve ndërkombëtar, gjë që nuk e patë apo e humbi qeveria e ish-kryeministrit Kurti”, thekson analisti Haziri.

“Tani pas kësaj periudhë 100 ditëshe që kur LVV-ja mori nismën për rrëzimin e qeverisë të kryeministrit Hoti, suksesin e mocionit nuk ia garanton as Lista Serbe e cila ka kërcënuar se më nuk do të jetë pjesë e qeverisë së kryeministrit Hoti, pasi serish nuk janë numrat e duhur që ky mocion të ketë sukses”, shprehet Haziri.

Më tej, Haziri deklaron se Vetëvendosje nuk mund të llogarisë as në përkrahjen e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

“E në këtë drejtim LVV-ja nuk mund të llogaritë as në përkrahjen e AAK-së dhe ambicien e liderit të saj Ramush Haradinaj për tu bërë president i vendit, pasi edhe këta të fundit janë të vetëdijshëm se shuarja në zgjedhje nuk i premton apo nuk i garanton Ramush Haradinajt postin e presidentit të vendit e as ndonjë rezultat spektakular për AAK-në, përkundër që do ta nxirrte shumë më shumë të dobësuar”, nënvizon Haziri.

Për fund, analisti politik Nexhat Haziri, ka treguar mundësinë e vetme që vendi të shkojë në zgjedhje të reja.

“E vetmja shpresë për LVV-në që vendi të shkoj në zgjedhje është dështimi i partive politike që janë partner të koalicionit dhe PDK-së, për të arritur një marrëveshje për zgjedhjen e presidentit, gjë që vendi automatikisht do të shkonte në zgjedhje të parakohshme”, përfundon për “Bota sot”, analisti politik, Nexhat Haziri.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat