Gara “jetë a vdekje” në mes VV-së dhe LDK-së në Podujevë!

Politika

Gara “jetë a vdekje” në mes VV-së dhe LDK-së në Podujevë!

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 22 nëntor 2020 Në ora: 20:16
Shpejtim Bulliqi nga Vetëvendosje dhe Agim Veliu nga Lidhja Demokratike e Kosovës

Në fundjavën e fundit të muajit nëntor, saktësisht me 29 nëntor, pritet të mbahen zgjedhjet e jashtëzakonshme në dy komuna të vendit, Podujevë dhe Mitrovicë e Veriut.

Gara në Podujevë pritet të jetë e ngushtë, ku favoritët kryesor për fitore janë Shpejtim Bulliqi nga Vetëvendosje dhe Nexhmi Rudari nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Por, këto zgjedhje a pritet të jenë barometër për zgjedhjet e përgjithshme?

Për këtë, ekspertët kanë mendime të ndryshme. Sipas tyre, mund të ndikojnë varësisht nga disponimi i qytetarëve në këto komuna.

Sipas tyre, shpesh herë zgjedhjet në Kosovë kanë ditur të “befasojnë” edhe në bastionet e partive politike.

Elezaj: Rezultatet e zgjedhjeve lokale iu paraprinë rezultateve qëndrore

Image
Rexhep Elezaj

Njohësi i çështjeve politike, Rexhep Elezaj, ka potencuar se praktika zgjedhore në Kosovë ka treguar se në shumë raste fitorja në nivel të komunës i ka parapri edhe fitores në zgjedhjet parlamentare.

“Po, zgjedhjet komunale në masë të madhe reflektojnë disponimin e elektoratit në nivel të përgjithshëm në një vend, dhe këtë e tregon qartë gara dhe fushata elektorale e cila këto ditë po mbahet për zgjedhjet lokale në komunën e Podujevës (Besianë) të cilat do mbahen në fund të këtij muaji. Zakonisht, nëpër komunat e Kosovës, varësisht se cila nga partitë garuese për pushtet e ka numrin më të madh të elektoratit, siç thuhet ndryshe se Podujeva në disa palë zgjedhje komunale është fituar nga LDK-ja, pra ka qenë bastion i saj, ani pse kjo nuk është gjithherë masë për fitore elektorale në nivel të zgjedhjeve parlamentare për një subjekt të caktuar partiak. Ngase, praktika zgjedhore në Kosovë ka treguar se në shumë raste fitorja në nivel të komunës i ka parapri edhe fitores në zgjedhjet parlamentare, edhe pse ky diagram në dy palë zgjedhjet e fundit parlamentare ka pësuar ndryshime nëpër komuna, siç ka qenë rasti i Prishtinës kur zgjedhjet komunale i fitonte LDK-ja, ndërsa në zgjedhjet e fundit komunale (2017) ato i fitoi LVV-je, kryetar i të cilës edhe sot është njeriu i nga radhët e saj, Shpend Ahmeti”, ka thënë ai.

Më tej, Elezaj  ka theksuar se praktika e kaluar zgjedhore nëpër komuna në Kosovë ka treguar se një parti politike mund t’i fitojë zgjedhjet komunale, por t’i humbë ato në nivel vendi, siç ka qenë rasti me komunën e Gjilanit.

“Kështu që garat zgjedhore në nivel komunal për shkaqet e cekura më latë janë më të ashpra se ato në nivel qendror, siç e kanë edhe një intensitet dhe dinamikë më të rreptë se sa garat zgjedhore parlamentare, nga fakti, si shumica e partive besojnë se po u fituan zgjedhjet në nivel të komunës, kjo iu garanton fitore edhe në ato parlamentare, gjë që kjo është një fakt relativ, ngase praktika e kaluar zgjedhore nëpër komuna në Kosovë ka treguar se një parti politike mund t’i fitojë zgjedhjet komunale, por t’i humbë ato në nivel vendi, siç ka qenë rasti me komunën e Gjilanit, ku zgjedhjet komunale i ka fituar LDK-je, ndërsa ato parlamentare LVV-je (2019), kështu që fitorja në nivel komunal nuk e garanton gjithherë fitore në zgjedhjet në nivel qendror të vendit .

 “Sido që të jetë, të gjitha partitë politike garuese në zgjedhjet komunale, përveç që si synim kanë fitoren në sa më shumë komuna nëpër Kosovë, qëllim kanë kryesorë kanë edhe sigurimin e fitores në zgjedhjet parlamentare, dhe kjo llogari nuk iu del gjithherë e sakët, sepse janë ngjarjet politike në vend, zhvillimi ekonomik dhe shumë faktorë tjerë determinues, ato të cilët e bëjnë një parti që asnjëherë më para nuk ishte fituese, t’i fitojë zgjedhjet e radhës, siç ishte rasti me LVV-je, e cila në dy palë zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë doli partia e parë fituese, e që asokohe pakkush besonte se kjo parti do i lenë mbrapa LDK-së dhe PDK-në..!?”, ka përfunduar Elezaj për “Bota sot”

Partitë në Podujevë mund të bashkohen kundër Vetëvendosjes

Image
Sulejman Mehazi

Profesori Sulejman Mehazi, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, ka thënë se në zgjedhjet lokale nuk munden të maten forcat e partive politike me ato nacionale.

“Gjatë Zgjedhje lokale kurrsesi nuk mund të maten forcat e partive politike me ato parlamentare apo nacionale, zgjedhjet lokale më shumë e kanë kuptimin e interesave fisnore, familjesh të njohura e të pasura nëpër komunat e Kosovës që ndikojnë shumë te qytetarët lokalë. Duke parë zgjedhjet e mëparshme lokale në Kosovë, po edhe në Shqipëri e RMV vërehet se shumica e votuesve shqiptarë votojnë në mënyrë farefisnore sesa partiake, si shembull e kemi prefektin e Hanit të Elezit, Rufki Sumën, i cili që tre-katër mandate fiton radhazi përballë partive të fuqishme si kandidat i pavarur”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Për më tepër, profesori është shprehur se në zgjedhjet lokale është më e lehtë qytetarët të shesin votën e tyre se sa ne zgjedhjet nacionale.

Sipas tij, duke i parë zgjedhjet e kaluara partitë tjera mund të bashkohen kundër Kurtit.

“Pastaj komunat janë më afër qytetarëve, normale dhe interesi i votuesve është më afër ndaj prefekturave sesa ndaj ministrave e deputetëve shtetëror. Mirëpo problemi më i madh i zgjedhjeve lokale është ndershmëria e të votuarit, duke parë gjendjen e mjerueshme sociale e ekonomike të votuesve, këta dhe shpejt mund të manipulohen nga partitë e fuqishme e të kriminalizuara, kështu që qytetarët e varfër mund ta shesin votën e tyre lehtësisht e për një vlerë sekundare sociale. Kur partitë e kriminalizuara u bashkuan tog kundër Albin Kurtit, me siguri do bashkohen edhe gjatë zgjedhjeve lokale për të vazhduar zhvatjet edhe të komunave në Kosovë”, ka thënë Mehazi për “Bota sot”.

Bajraj: Zgjedhjet instrument unik i demokracisë !

Image
Fatmir Bajraj

            

Ndërkaq, analisti politik, Fatmir Bajraj, në një prononcim për “Bota sot” është shprehur se janë rast i mirë testimi dhe disponimi qytetar në këto Komuna në të cilat procesi zgjedhor provon funksionalitetin dhe efikasitetin e institucioneve të dala nga verdikti i sovranit dhe të cilat vihen në peshoren e qytetarëve në cikle zgjedhore.

“Zgjedhjet e jashtëzakonshme për Kryetar të Komunës së Podujevës dhe Mitrovicë të veriut që do mbahen me 29 nëntor 2020, janë rast i mirë  testimi dhe disponimi qytetar në këto Komuna në të cilat procesi zgjedhor provon funksionalitetin dhe pse jo, edhe efikasitetin e institucioneve të dala nga verdikti i sovranit dhe të cilat vihen në peshoren e qytetarëve në cikle zgjedhore. Qytetarët e këtyre komunave me pjesëmarrjen në zgjedhje dhe me votën e lirë, ushtrojnë të drejtën kushtetuese dhe "pushtetin" e votës përmes së cilës, drejtpërdrejt zgjedhin Kryekomunarin, përkatësisht Kryetarin e Komunës i cili për mandatin kushtetues 4 vjeçar, është në shërbim të qytetarëve të Komunës dhe interesit të tyre. Përmes ushtrimit të së drejtës se garantuar kushtetuese; për të zgjedhë dhe për t'u zgjedhur, qytetaret me votën e tyre të lirë, i japin integritet procesit zgjedhor dhe legjitimitet atyre që marrin votën dhe mbështetjen e tyre të shprehur në kutitë e votimit”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Bajraj ka të njëjtin mendim sikurse parafolësi i tij.

Ai shprehet se zgjedhjet lokale për dallim nga ato nacionale janë një lidhje direkte e kandidatit për Kryetar Komune me qytetarin.

“Një proces kredibil zgjedhor, forcon demokracinë qytetare duke derivuar institucione dhe titullar të besueshëm për qytetarët, gjë që shton gjasat për realizimin e premtimeve elektorale në njërën anë, dhe progresin e gjithmbarshëm të Komunës, në anën tjetër. Zgjedhjet lokale apo vendore si quhen në zhargonin politik, për dallim nga ato nacionale (politike), janë mishërim i afërt i kandidatëve me votuesit, janë një lidhje direkte e kandidatit për Kryetar Komune me qytetarin (votuesin) ngase pushteti vendor është i ngjitur sikur “mishi & thoni” me problemet jetike dhe jetësore të qytetarëve, janë të lidhura njëra me tjetrën, ngase janë në ballafaqim të përditshëm dhe të pashkëputshëm”, ka potencuar Bajraj për “Bota sot”.

Sipas tij, zgjedhjet lokale nuk janë barometër për matjen e fuqisë politike të partive parlamentare.

“Një lidhje e tillë dhe korrelacion specifik i Kryetarit të Komunës me  qytetarët, i bënë të zgjedhurit ma koshient dhe ma të ndërgjegjshëm për përgjegjësitë a marra mbi supe kur kërkojnë votën e elektoratit. A janë zgjedhjet lokale barometër për matjen e fuqisë politike të partive parlamentare ? Përgjigja ma e thjesht dhe më e saktë, do ishte: Jo, dhe ja pse !Historia e zgjedhjeve në Republikën e Kosovës, dhe historiku i atyre vendore, ka provuar katërçipërisht, se rezultatet e zgjedhjeve vendore nuk kanë reflektuar fuqinë e partive politike në nivel qendror, sikurse edhe e kundërta! Rezultatet e zgjedhjeve në njërin nivel, nuk janë mesazh ekuivalent dhe ekzakt për nivelin tjetër, edhe pse subjektet politike i tremben dhe i druajnë me (pa të drejtë) një mesazhi të tillë dhe reflektimit në nivelin tjetër”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Po ashtu, Bajraj ka theksuar se profili i kandidatit është determinues dhe thelbësor për marrjen e besimit qytetar në kutitë e votimit, ndërkaq, në zgjedhjet politike, votuesit orientohen më shumë në subjektet politike.

“Pushteti vendor, presupozon kandidat të cilët njohin mirë problematiken dhe nevojat akute të qytetarëve, njohin mirë interesin qytetar dhe sfidat jetësore të komunitetit, ngase zakonisht janë dhe pjesë e halleve dhe sfidave të përbashkëta të cilat janë të përditshme dhe të prekshme. Në anën tjetër, qytetarët (votuesit) njohin kandidatin për Kryetar Komune, të kaluarën e tij dhe të familjes, pra duke njohur profilin e kandidatit, e kanë ma të lehtë që t'i japin besimin duke mos i dhënë shumë peshë përkatësisë politike partiake. Jo rrallë, për të mos thënë gjithmonë, në zgjedhjet vendore dhe kryesisht për Kryetar Komune; emri, integriteti dhe profili i kandidatit është determinues dhe thelbësor për marrjen e besimit qytetar në kutitë e votimit, zaten subjektet politike serioze i japin peshën e duhur përzgjedhjes së kandidatit për Kryetar Komune. Derisa, në zgjedhjet politike, votuesit orientohen më shumë në subjektet politike, përformimin e të cilave qytetarët e kanë më të vështirë për t'i vlerësuar, ngase rejtingu i partive politike në nivelin qendror, varet më shumë nga hapësira në media që kanë ato, dhe jo nga ndjeshmëria dhe kontakti real që ndodhë në nivelin lokal. "Afër syve, afër zemrës", mund të quhet interesi i votuesit për të zgjedhurit lokal, karshi ; "larg syve, larg zëmrës", për të zgjedhurit në nivel qendror, dhe në këtë vështrim gjendet shpërputhja e vullnetit të Sovranit në zgjedhjet lokale dhe ato parlamentare”, ka deklaruar ai për “Bota sot.

Më tej, Bajraj ka numëruar edhe faktorët e  tjerë të cilët janë determinues në orientimin e votuesve në zgjedhjet vendore.

“Në zgjedhjet vendore, votuesi mund dhe duhet të jetë formueses dhe derivues i politikave qeverisëse të Kryetarit të Komunës, nga i cili edhe përgjegjësia dhe llogaridhënia është reale dhe e prekshme, andaj ky fakt bënë distancën e besimit dhe mbështetjes elektorale në të dyja nivelet qeverisëse. Faktor tjerë determinues në orientimin e votuesve në zgjedhjet vendore, janë dhe infrastruktura politike-partiake, shtrirja dhe përformanca, sikurse edhe serioziteti dhe shkalla  e angazhimit për t'i bind votuesit me ofertën realiste dhe objektive që do bënte edhe bazamentin krucial të një qeverisje të përgjegjshme”, ka komentuar Bajraj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat