“Ajo nuk do të ndalet me kaq si Presidente”, vjen paralajmërimi për Vjosa Osmanin

Politika

“Ajo nuk do të ndalet me kaq si Presidente”, vjen paralajmërimi për Vjosa Osmanin

Nga: P.R Më: 27 nëntor 2020 Në ora: 13:32
Vjosa Osmani

Që nga 5 nëntori, dita kur Hashim Thaçi dha dorëheqje nga posti i Presidentit pas konfirmimit të aktakuzës nga Gjykata Speciale, Vjosa Osmani mori postin e ushtrueses së detyrës së Presidentit të Kosovës, kjo duke u bazuar në Kushtetutën e vendit.

Me të marr detyrën e saj, Vjosa Osmani fillimisht riktheu vulën e presidentit Ibrahim Rugova në dokumentet e presidencës, vulë kjo që ishte larguar nga Hashim Thaçi. Menjëherë pas kësaj, Osmani shkarkoi konsujt që ishin emëruar nga Hashim Thaçi, e që shumica prej tyre ishin familjarë të ish deputetëve dhe zyrtarëve të ish koalicionit PAN. Por Vjosa Osmani nuk u ndal me kaq. Ajo anuloi edhe të gjitha konkurset në presidencë, të cilat i kishte shpallur Hashim Thaçi para se të jepte dorëheqje.

E për të gjitha këto veprimet të ushtrueses së detyrës së Presidentit, Vjosa Osmani, për gazetën “Bota sot” ka folur profesor, doktor Enver Bytyçi.

Ai thotë se veprimet e Osmanit duhet të jenë mësim për gjithë politikën shqiptare.

Image
Enver Bytyçi

“Vjosa Osmani ka dekretuar shkarkimin e disa konsujve, të cilët ishin emëruar nga ish-presidenti i akuzuar në Hagë, Hashim Thaçi. Ndër ta është shkarkuar edhe djali i deputetit Haxhi Gashi, i emëruar konsull në Pragë në këmbim të votës që i ati duhej të jepte për qeverinë e Avdullah Hotit. Nga të dhënat del se këta konsuj ishin emëruar thuajse të gjithë për shkak të lidhjeve specifike me Hashim Thaçin dhe si shpërblim për shërbimet politike që atij i kanë bërë. Ky duhet të jetë mësim për politikën shqiptare në përgjithësi. Përfitimet e vendeve të punës për pazare politike u bënë si metodë pune e liderëve politikë në përgjithësi në Ballkan, e sidomos në shtetet shqiptare. Kjo praktikë duhet të marrë fund, sepse ndryshe nuk do të mund të krijojmë një shtet të së drejtës. Në këtë kuptim dekreti i presidentes në detyrë, Vjosa Osmani, për shkarkimin e këtyre konsujve duhet të bëhet mësim, që akte të tilla të mos përsëriten. Dashtë Zoti dhe Kosova hyn në rrugën e mbarë, duke caktuar njerëz të aftë në vende pune të domosdoshme për funksionimin e shtetit”, thotë profesor Bytyçi.

Sipas tij, vota e Haxhi Shalës në këmbim të postit të konsullit në Pragë për djalin e tij, është një shembull që delegjitimon qeverinë Hoti.

“Por që të ndodhë kjo është e domosdoshme që liderët politikë në Kosovë e kudo, përfshirë Shqipërinë, të heqin dorë nga këto praktika dhe modele drejtimi e menaxhimi të shtetit. Nëse nuk krijohet frymë kundër raporteve politike me privilegje dhe korrupsion, atëherë do të jetë vështirë të marrin fund praktikat që u trashëguan nga Hashim Thaçi dhe estabilishmenti i tij politik në Partinë Demokratike dhe në partitë e tjera me të cilat PDK ka qeverisur. Ndërkaq vota e Haxhi Shalës në këmbim të postit të konsullit në Pragë për djalin e tij është një shembull që delegjitimon qeverinë Hoti. Zoti Hoti duhet të kërkojë votëbesim më parlamentin e Kosovës, pasiqë ai për një votë të munguar sot nuk do të ishte kryeministër i vendit. Vota e munguar i erdhi atij nëpërmjet korrupsionit politik e moral në shkelje dhe shpërdorim të detyrës së tij nga ish-presidenti Hashim Thaçi. Të krijosh një vend pune me taksat e qytetarëve thjesht për të realizuar një marrëveshje korruptive për votimin e qeverisë është një akt shumë i rëndë”, thekson Bytyçi.

“Nëse për Hashim Thaçin ky akt do të duhej të hetohej dhe dënohej nga drejtësia, për Avdullah Hotin një veprim si ky e nxjerr atë të zbuluar nga pikëpamje legale dhe e delegjitimon në detyrën që ai kryen. Në fakt kryeministri Hoti ka një meritë. Pavarësisht votës së korruptuar që ia siguroi Hashim Thaçi dhe Ramush Haradinaj, edhe pse Isa Mustafa çdo ditë punon në projeksionet e Thaçit, disa herë iu kundërvu presidentit të vendit. Kjo e rrit atë si figurë politike, por nuk ia plotëson legjitimitetin e munguar në rastin e votës së blerë me firmën e Thaçit të Haxhi Shalës”.

Profesor Bytyçi shton se Vjosa Osmani nuk do ndalet vetëm në këto raste.

“Ajo do të përdorë kompetencat që ia jep kushtetuta dhe ligji për të riparuar shumë akte të tilla të shpërdorimit të detyrës nga ana e ish-presidentit në arrest, Hashim Thaçi. Ajo bën mirë që gjithçka ta mbështesë në ligjin e së drejtës, me qëllim që të evitojë çdo akt dekretimi të natyrës së Thaçit. Por revokimi i padrejtësive të bëra përmes korrupsionit politik dhe në shpërdorim të detyrës së ish-kreut të shtetit duhet të riparohet. Këtë mund ta bëjë vetëm Vjosa Osmani. Dekretet për ç’dekretim të vendimeve të Thaçit na zbulojnë gjithashtu arsyen pse Hashim Thaçi, së bashku me Isa Mustafën e të tjerë taborristë të tyre donin që detyrën e presidentit ta trashëgonte një besnik i ish- presidentit. Ai donte që premtimet korruptuese të tij t’i realizonte edhe pa prezencën fizike të tij. Është e mjaftueshme të kujtojmë përpjekjet e mëparshme për të çuar në presidencë një president/e të klanit Thaçi, për të vlerësuar se cilat ishin qëllimet e litarit jashtë varrit që donte t’ia linin Thaçit pas shkuarjes së tij në birucat e Hagës”, nënvizon Bytyçi për “Bota sot”.

Për fund, profesor, doktor Enver Bytyçi deklaron se në horizont është shfaqur përsëri projekti i ndarjes së saj, dhe se në postin e të parti të vendit të jetë një person si Vjosa Osmani.

“Por këto akte të turpshme për Hashimin dhe të fisme për Vjosën duhet të bëhen mësim i mirë, që në krye të shtetit të vijë një president/e si Vjosa Osmani, me qëllim që Kosova të çlirohet përgjithmonë tashmë nga një klasë politike e korruptuar dhe inkriminuar. Por kjo duhet të ndodhë edhe për një arsye tjetër: Kosova gjendet para një sfide të re. Në horizont është shfaqur përsëri projekti i ndarjes së saj. Miku i madh i Hashim Thaçit dhe Isa Mustafës, Richard Grenell ka punuar shumë për këtë plan. Do të ketë një betejë të re për ta parandaluar. Prandaj në krye të shtetit do të duhet të jetë më e pakta një personalitet që e do vendin e tij!”, përfundon profesor Enver Bytyçi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat