Zgjedhje të reja në janar?

Politika

Zgjedhje të reja në janar?

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 27 nëntor 2020 Në ora: 17:29
Qeveria e Kosovës, foto arkiv

Një mundësi për mbajtjen e zgjedhjeve të reja është përmendur për muajin janar të vitit të ardhshëm. Kjo pasi duket se ka një krizë në koalicionin qeverisës, që përbëhet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma Social Demokrate e minoritetet.

Mundësia për organizimin e zgjedhjeve të reja në muajin janar është përmendur nga disa analistë politikë.

Mirëpo a është e gatshme Kosova për zgjedhje dhe ndryshime pas dy muajsh. Njohësit e ҫështjeve politike thonë për ‘Bota sot’ se krizat e gjata kanë traumatizuar qytetarët të cilët më as nuk e dinë se ҫfarë të bëjnë.

Sipas tyre, elita politike agjendën më të rëndësishme e shohin pushtetin.

Zogaj: Në janar zgjedhje nuk mund të ketë

Kështu, Skender Zogaj thotë se gjithçka në skenën politike të Kosovës është relativizuar ekstremisht.

Image
Skender Zogaj

“Krizat e gjata dhe të pashkëputura e kanë traumatizuar arsyen e qytetarëve, të cilët tashmë nuk e kanë as idenë më të vogēl se çfarë duhet të bëjnë! Tash janë nē veprim "mercenarët" e të gjitha llojeve, që zhvillojnë propaganë thellësisht destruktive dhe të pamëshirshme ndaj fatit historik të Kosovës, që tentohet të pastrohet nga të gjithë ata që ende nuk e kanë humbur idealizmin shtetëror dhe kombëtar dhe përpiqen të mos dorëzohen përballë destruktiviteteve të organizuara dhe të orkestruara për destabilizimin e vendit”, vlerëson Zogaj.

Ai thotë tutje se nuk dihet kur do të shkoj vendi në zgjedhje dhe se zgjedhjet po llogaritën për interesa të ngushta. Sipas tij nëse zgjedhjet mbahen në këtë periudhë, do të jenë një thellim i krizës në Kosovë.

“Prandaj kur do të shkohet në zgjedhje është vështirë të dihet, sepse, kjo nuk është më në duart e askujt, por e të gjithëve, që zgjedhjet janë duke i llogaritur për interesa të ngushta, madje meskine, përfituese! Në janar zgjedhje nuk mund të ketë, qoftë edhe për çështje teknike, siç është pandemia! Në fakt zgjedhjet në këto rretha ankthi, janë thellim i krizës kosovare, që mund të jetë me pasoja tragjike, sepse, në thellimin e krizës, janë duke u logaritur interesat e disa parive. Zgjedhjet para qershorit 2021 janë gabim fatal”, vlerëson Zogaj për ‘Bota sot’.

“Për partitë nuk ka ndonjë gjë më të rëndësishme se zgjedhjet”

Image
Leon Duhanaj

Ndërsa, Leon Duhanaj thotë se partitë në opozitë prej ditës së ҫertifikimit të zgjedhjeve kërkojnë zgjedhje të reja. Sipas tij, për partitë politike nuk ka asgjë më të rëndësishme se sa pushteti.

“Kur bëhet fjalë për klimën politike në Kosovë, vlenë të theksohet se spektri politik, agjenden me të rëndësishme e konsiderojnë pushtetin përkatësisht luftën për ta marrë gjegjësisht mbajtur. E kemi të njohur sloganin e partive në opozitë prej ditës së parë të çertifikimit të zgjedhjeve, nuk bëjnë gjë tjetër veç se të kërkojnë zgjedhje të reja. Pra, për partitë pa përjashtim, nuk ka ndonjë gjë me të rëndësishme se zgjedhjet, përkatësisht pushteti”, vlerëson Duhanaj.

Sipas Duhanaj, situata politike në vënd, nëse do kishim politikë të përgjegjshme, kishte me qenë uniteti politik karshi sfidave dhe konsolidimi kombëtarë.

“Mund të kemi zgjedhje, por mos të kemi zgjidhje”

“Për fat të keq, kjo nuk qëndron, prandaj tema kryesore në opinionin publik është zgjedhjet e mundshme. Kur bëhet fjalë për zgjedhje, partitë politike, bazuar në sondazhet e tyre, kërkojnë të mbahen zgjedhje atëherë kur supozojnë që mbështetja për ta është në nivel të kënaqshëm. Pra pa e marrë parasysh situatën politike, analizat bëhen në bazë të interesave partiake”, vlerëson ai.

Sipas tij, meqë e kemi vakante pozitën e Presidentit të vendit, është e nevojshme të kemi një zgjidhje. Zgjidhja kishte me qenë, marrëveshja politike dhe zgjedhja e presidentit të ri.

“Por, nëse do kemi marrëveshje, atëherë do të kemi zgjedhje, si mundësia e vetme por jo e garantuar për të gjetur zgjidhje, sidomos kur dihet mirë mbështetja e supozuar për subjekte rë caktuara politike. Mund të ndodhë që të kemi zgjedhje, por që mos të kemi zgjidhje, sepse prapë do të jetë e nevojshme ulja dhe gjetja e gjuhës së përbashket, gjë që mund të bëhet edhe sot, pa shkuar në zgjedhje fare”, vlerëson analisti Leon Duhanaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat