Paralajmërohet ‘tronditja’ e madhe për PDK-në, ja arsyeja

Politika

Paralajmërohet ‘tronditja’ e madhe për PDK-në, ja arsyeja

Nga: P.R Më: 26 dhjetor 2020 Në ora: 09:47
Kjo do jetë hera e parë që PDK do të shkojë në zgjedhje pa Hashim Thaçin apo Kadri Veselin

Përveç si ushtrues i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj do të jetë edhe kandidat për kryeministër nga kjo parti në zgjedhjet të cilat do të mbahen në fillimvitin e 2021-ës.

Kjo u bë e ditur nga Uran Ismaili sekretar i përgjithshëm i PDK-së.

“Nga dy Qeveritë, Hoti dhe Kurti, kemi parë dështime të njëpasnjëshme në relacion me pandeminë, ekonominë, si dhe në përballje me Serbinë, pasojat e të cilave i kemi vuajtur si shoqëri. Viti 2020, pa asnjë dyshim, ishte i rëndë për ekonominë tonë. Mijëra punëtorë mbetën pa punë, e mijëra ndërmarrës pa përkrahje. Ishte vit i rëndë për shëndetësinë dhe personelin shëndetësor. Ndonëse në vijën e parë të frontit në përballje me pandeminë, ata nuk patën përkrahje nga asnjëra Qeveri, duke i lënë të vetëm, si personelin shëndetësor, ashtu edhe pacientët, në këtë betejë të vështirë. Ishte vit i rëndë për arsimin, sportin, artin, të rinjtë, të moshuarit”, ka thënë Ismaili.

E kjo do jetë hera e parë që PDK do të shkojë në zgjedhje pa Hashim Thaçin apo Kadri Veselin.

Lidhur me këtë, për gazetën “Bota sot” ka folur analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Nexhat Haziri.

E mos prezenca e Thaçit dhe Veselit, sipas Hazirit do të ketë impakt edhe në rezultatin e PDK-së.

Image
Nexhat Haziri

“Zgjedhjet do të zhvillohen normalisht edhe pa Thaçin dhe Veselin, natyrisht se mungesa e tyre do të ketë impakt ne rezultatin e PDK-se, e cila që tani nuk shihet favorite për t'i fituar zgjedhjet, por shihet si një parti pa pretendime të mëdha në mungesë të dy liderëve kryesor të saj”, shprehet Haziri për “Bota sot”.

Ai thotë se këto zgjedhje do të jenë një tronditje për PDK-në.

“Dhe mungesa e një rezultati të theksuar në këto zgjedhje do të jetë tronditje për PDK-në, por edhe diçka që mund të shndërrohet në pozitivitet në këtë parti politike, e ajo është fillimi i ndërtimit të një epoke të re nëse mund ta quaj kështu për PDK-në, të cilës nuk i mungojnë kuadrot dhe njerëzit me kredibilitet, dhe nëse arrin ta managjojë me sukses mungesën e Thaçit dhe të Veselit”, shprehet Haziri.

“Por edhe çlirimin nga fryma e komandantëve, PDK-ja do të mund të kthehet seriozisht në zgjedhjet e tjera në pozicionin e një partie që garon seriozisht për ta fituar pushtetin”, përfundon për gazetën “Bota sot”, analisti politik, Nexhat Haziri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat