Vendimi për diasporën, juristi tregon mënyrat se si mund të votojnë përmes KQZ-së

Politika

Vendimi për diasporën, juristi tregon mënyrat se si mund të votojnë përmes KQZ-së

Nga: G.B Më: 11 janar 2021 Në ora: 23:14
KQZ

Vendimi i KQZ-së për votimin e shtetasve të Kosovës në diasporë ka ngjallur reagime të shumta.

Politikanë, analistë reaguan, duke e quajtur atë jolegjitim.

E për këtë reagoi edhe u.d e presidentit Vjosa Osmani, e cila u shpreh e shqetësuar dhe njoftoi se i ka shkruar letër kryetares së KQZ-së, Valdete Daka, lidhur me vendimin.

E profesori Muhamet Kelmendi, ka thënë për gazetën "Bota sot" se juridikisht, çdo qytetar që e ka shtetësinë e Kosovës ka të drejtë të votojë në zgjedhjet qendrore, ndërsa mënyra e votimit është tjetër.

"Juridikisht, pavarësisht a është sanksionuar, sikundër edhe në aspektin demokratik të ndërtimit të shtetit, çdo qytetar që e ka shtetësinë e Kosovës ka të drejtë të votojë në zgjedhjet qendrore. Kjo është detyrimisht e lejueshme. Këtë të drejtë nuk mundet askush nga vendi t'ua mohojë shtetaseve të Kosovës. Tjetër është mënyra e votimit", është shprehur ai.

Image
Muhamet Kelmendi

Kelmendi përmend mënyrën e votimit me postë në SHBA, që thotë se zgjatë më shumë.

"Nëpër vende të ndryshme, sikundër e pamë në SHBA, është votuar me anë të postës. Natyrisht se kjo e zgjatë procedurën e votimit dhe të numërimit. Mirëpo është shumë e drejtë një votim i tillë me postë, të përgatitura dhe të ndara nga KQZ. Një tjetër mundësi është organizimi i zgjedhjeve nëpër ambasada dhe ne konsullatat e Republikës së Kosovës në vendet e ndryshme në Evropë dhe në botë", ka thënë profesori.

Sipas tij, KQZ duhet ta organizojë mënyrën se si mërgimtarët duhet të votojnë dhe jo që të vijnë në Kosovë vetëm për të votuar, derisa thotë se mund të votohet përmes postës apo të organizohet në ambasadat e Kosovës nëpër diasporë.

"Këtu duhet KQZ të organizojë zgjedhjet dhe shtetasit kanë të drejtë të votojnë. Është jo demokratike dhe shumë e kushtueshme që mërgimtarët të vijnë në Kosovë për votim. Natyrisht se ka mërgimtarë që vijnë dhe votojnë, pavarësisht kohës dhe shpenzimeve. E këtë duhet zëvendësuar me votime me postë dhe në përfaqësitë e Republikës. Assesi nuk duhet mohuar këtë të drejtë. Ajo është dhe mbetet e drejta elementare e qytetarit. Nuk ka demokraci të përfaqësuar pa marrë votën e çdo shtetasi të Republikës së Kosovës. Këtë e ka për detyrë KQZ-ja të organizojë dhe t'ua mundësojë mërgimtarëve. Kjo, edhe për faktin, se mërgimtarët para dhe gjatë luftës, tash dhe pas luftës ishin dhe kanë mbetur forca kryesore në motorin e shtetit të Kosovës. Ajo po e ushqen popullin e Kosovës. Mohimi i votës nënkupton mohimin edhe të tërë punës dhe të aktivitetit të mërgatës. Këtë nuk duhet lejuar", ka deklaruar Muhamet Kelmendi për "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat