Sondazhet e Vetëvendosjes, sa janë të besueshme? Flet analisti Latifi – tregon se cili është problemi kryesor në Kosovë

Politika

Sondazhet e Vetëvendosjes, sa janë të besueshme? Flet analisti Latifi – tregon se cili është problemi kryesor në Kosovë

Nga: N. H Më: 12 janar 2021 Në ora: 22:34
Albin Kurti

Lëvizja Vetëvendosje ka vazhduar publikimin e sondazheve pas rrëzimit të Qeverisë Kurti. Kjo parti, gati pothuajse gjatë këtyre muajve sa ka qeverisur me vendin Qeveria Hoti, ka nxjerrë sondazhe të njëpasnjëshme

Kjo parti, po vlerëson se zgjedhjet e 14 shkurtit do t’i fitojnë më mbi 51 për qind.

E, për të folur për këto sondazhe, “Bota sot”, ka kontaktuar analistin Haki Latifi.

Njohësi i çështjeve politike, Haki Latifi, në një prononcim dhënë gazetës “Bota sot”, ka thënë se mbetet problematike organizimi i sondazheve të besueshme në Kosovës.

Ai ngrit shumë dilema, duke thënë se janë shumë faktor, ndërsa përmend faktin se në Kosovë edhe më tej vazhdon të funksionoj kultura e grupit dhe jo e individit.

Image
Haki Latifi

“Mendoj se problematike mbetët organizimi i sondazheve të besueshme në hapësirën e Kosovës duke pasur në konsideratë mënyrën se si organizohen (telefonata apo intervista), me qytetarin, kush i ka porositur dhe kush e ka marrë koston e tyre. Faktor tjetër është mënyra e formulimit të pyetjeve dhe fakti nëse intervista do të bëhet në anonimitet të plotë apo jo. Pastaj duhet të merret për bazë kultura e popullatës, në të cilën është një ndër faktorët që ndikon më së shumti më mënyrën se si duhet të lexohen sondazhet. Rasti i Kosovës është specifik, sepse tek ne ende vazhdon të funksionojë kultura e grupit dhe jo e individit”, ka thënë Latifi.

Tutje, ai deklaron se shtabet elektorale të partive politike, po njihen me sondazhet e fshehta që organizojnë sidomos në rrjetet sociale, për të mësuar zonat e reja të influencës elektorale.

“Zgjedhjet në Kosovë kanë disa karakteristika të veçanta, psh. ka një grup të caktuar votuesish që janë besnikë të përhershëm të një krahu politik. Kjo vlen edhe për votuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Tash është bërë traditë e shtabeve elektorale të partive të mëdha, ndonëse publikisht nuk janë shpallur, në prapaskenë po bëjnë sondazhe dhe, mbi bazën e tyre, po hartojnë edhe strategjitë e tyre elektorale, sikurse janë: Aleancat elektorale. Pak a shumë shtabet elektorale të partive, po njihen me sondazhet e fshehta që organizojnë sidomos në rrjetet sociale, për të mësuar zonat e reja të influencës elektorale, për të mësuar, se cilët kandidatë kanë reputacionin më të madh në elektoratin vendor, dhe mbi bazën e këtyre të dhënave që grumbullojnë, fillojnë të skicojnë edhe listat e kandidatëve të mundshëm”, ka deklaruar ai.

Krejt në fund, Latifi thekson se për të pasur sondazhe me rezultate sa më reale duhet investuar në teknologji dhe duhet staf i trajnuar mirë.

“Gjithashtu për të pasur sondazhe me rezultate sa më reale duhet investuar në teknologji dhe duhet staf i trajnuar mirë. Marzha e gabimit është në varësi të kampionit në raport me popullatën. Sepse në mentalitetin ballkanik, “njerëzit tjetër gjë thonë dhe tjetër bëjnë”. Jo rrallë herë rezultatet e sondazheve kanë qenë të ndryshme nga rezultati final”, tha në fund Latifi për gazetën “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat