Merr fund edhe bashkëpunimi i vetëm VV-LDK

Politika

Merr fund edhe bashkëpunimi i vetëm VV-LDK

Arife Morina Nga Arife Morina Më 2 shkurt 2021 Në ora: 11:45
Albin Kurti dhe Isa Mustafa

Koalicioni trevjeçar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) në komunën e Vushtrrisë, ka përfunduar.

Ishte kreu i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri i cili përmes një konferencë për media njoftoi se ka ndërprerë bashkëpunimin me VV-në

Sipas, Tahirit kjo ka ndodhur pasi që Vetëvendosje nuk e ka përkrahur planin për rimëkëmbje ekonomike të prezantuar në mbledhjen e Kuvendit Komunal.

Kryetari i Vushtrrisë ka theksuar se mospërkrahja e planit për rimëkëmbje ekonomike është e vetmja arsye e prishjes së koalicionit trevjeçar, duke hequr dyshimet për arsye të tjera.

Tahiri ka treguar se deri në fund të mandatit do të vazhdojnë të vetëm dhe nuk do të kenë asnjë koalicion tjetër.

“Nuk mund të lejoj si kryetar komune një kryesi që merr një vendim politik për të mos përkrahur një plan vendimtar për të dalë nga kriza e madhe si rezultat i pandemisë, të vazhdojnë të qëndrojnë në bashkëqeverisje prandaj ne kemi ardhur deri në këtë moment. Arsyeja e vetme pse unë kam vendosur të ndërpresë këtë bashkëpunim bashkë me degën e LDK është mos votimi i planit të rimëkëmbjes ekonomik, nuk kam asnjë arsye tjetër”, tha Tahiri.

Vetëvendosje hedh poshtë argumentet e Xhafer Tahirit

Ndërsa, i menjëhershëm ishte reagimi i Qendrës së Lëvizjes Vetëvendosje në Vushtrri ka dalë me një sqarim pas prishjes së koalicionit me Degën e Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ata hedhën poshtë argumentet e prezantuara nga kryetari i Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, për mosvotimin e “Planit për Rimëkëmbje Ekonomike”. Nga Vetëvendosje deklaruan se në prishjen e koalicionin LDK-VV, ka pasur ndikim direkt, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa

“Argumentet e prezantuara nga Xhafer Tahiri kinse për mos votimin e ‘Planit për Rimëkëmbje Ekonomike’ të Vushtrrisë janë të paqëndrueshme. Ky votim është vetëm shkas i një përcaktimi të mëherëshëm, madje jo nga z. Tahiri, por niveli qendror i LDK-së e kryetari Isa Mustafa”.

Gjithashtu, VV kërkoi nga Prokurori i Shtetit që të hetojë pikën e projekteve nga “Plani për Rimëkëmbje Ekonomike” për Vushtrrinë, në të cilën sipas tyre ka parregullsi nga Komuna.

“Në seancën e djeshme, Lëvizja VETËVENDOSJE! kërkoi që kjo pikë e rendit të ditës të shtyhet për një mbledhje të radhës, ku ‘Plani i Rimëkëmbjes’ do të plotësohej me projektet për të cilat Komuna ka paguar 140.000 €, dhe jo të vinte një material gjysmak, pa përmbajtje konkrete, ku “projektet” paraqiten me pak fjalë, pa asnjë detaj dhe vetëm si koncepte, kryesisht të marrura copy-paste, pa asnjë analizë profesionale. Kjo tendencë për të kaluar këtë plan me nguti dhe pa analizë, për Lëvizjen VETËVENDOSJE! – Qendra Vushtrri e bën tejet iniciativë të dyshimtë. Kësisoj ne i bëjmë thirrje Prokurorisë së Shtetit të hetoi këtë çështje!”, thuhej në njoftimin e VV-së.

Ndërsa, njohësit e çështjeve politike deklaruan se njëra nga arsyet kryesore të prishjes së koalicionit VV-LDK në Vushtrri, janë raportet e tensionuara të këtyre subjekteve politike në nivel qendror.

Ahmeti: Raportet në nivel qendror, ndikuan në prishjen e koalicionit LDK-VV në Vushtrri

Image
Hidajet Ahmeti

Njohësi i çështjeve politike, Hidajet Ahmeti gjatë një prononcimi për gazetën “Bota sot” tha se prishja e koalicionit të VV-së dhe LDK-së në Vushtrri, shpërfaq raportet jo të mira të këtyre dy subjekteve politike edhe në nivel lokal.

Ahmeti tha se komunikimi joparimor në koalicion ka devijuar bashkëpunimin në mes partnerëve të koalicionit qeverisës.

“Lajmi për prishjen e koalicionit në mes VV-së dhe LDK-së në komunën e Vushtrrisë shpërfaqë raportet jo të mira në mes këtyre dy subjekteve politike edhe në nivel lokal. Komunikimi joparimor në koalicionet e qeverisjes lokale dhe qendrore e devijon mënyrën e bashkëpunimit, por shumicën e herëve partia e cila qeverisë më komunën vepron pa një koordinim të mirëfilltë me parterët e koalicionit qeverisës”, deklaroi Ahmeti.

Analisti u shpreh se zakonisht partia e cila është partnere në koalicion, e që nuk udhëheq me të parin e komunës në shumicën e herëve injorohet përmes formave të ndryshme. Madje, ai tha se pushteti shpesh keqpërdoret në interesa të militantëve të tyre.

“Në logjikën e bashkëpunimit qeverisës në Kosovë, subjektet politike mundohen përmes pushtetit të rrisin fuqinë e votës, edhe në ato rastë kur pushteti keqpërdoret në interesa të militantëve dhe përkrahësve politik të tyre.

Partia partnere në koalicion, por e cila nuk udhëheq me të parin e komunës në shumicën e herëve injorohet përmes publike”, theksoi Ahmeti.

Në fund, ai tha se në prishjen e këtyre raporteve të nivel lokal kanë ndikuar raportet jo të mira në nivel qendror.

“Mund të ketë pasur ndikimi edhe fryma e raporteve jo të mira në nivel qendror të këtyre dy subjekteve politike, por një gjë e tillë mund të gjykohet drejt e mirë kur të dëgjojmë versionet zyrtare nga ana e dy këtyre subjekteve politik formave të ndryshme, por edhe nga perceptimi qytetarë mund të vërehen dobësitë në qeverisje si shkak i një komunikimi jo të mirë institucional e, që ndikojnë në hartimin, mbikëqyrjen dhe implementimin politikave ”, përfundoi Ahmeti.

Mehmeti: Është për të ardhur keq që qeverisja e mirë e koalicionit LDK-VV në Vushtri është prishur

Image
Faton Mehmeti

Ndërsa, analisti politik, Faton Mehmeti në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka komentuar prishjen e koalicionit qeverisës në komunën e Vushtrrisë, mes Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).

Mehmeti tregoi edhe arsyet e prishjes së këtij koalicioni. Sipas tij, njëra nga arsyet kryesore është beteja e VV dhe LDK për votuesit rugoviane.

“Tanimë fushata po zhvillohet në dy " bunarë" kryesor. Njëri është " bunari" i LDK dhe tjetri i PDK, pra i elektoratit të tyre. Vetëvendosje po mundohet që nga elektorati i LDK të merr sa më shumë vota, pra beteja mes VV dhe LDK zhvillohet për votuesin rugovian, se cili nga këta e bind. Kjo është njëra, e cila edhe ka ndikuar që të prishet koalicioni në Vushtri, në anën tjetër zhvillohet beteja mes PDK-së dhe Nismës për të marrë elektoratin "çlirimtar"”, deklaroi Mehmeti.

Tutje, analisti shprehi keqardhje për prishjen e koalicionit, pasi kjo nuk do të ndikojë mirë në përmirësimin e jetës së qytetarëve të Vushtrrisë.

“Është për të ardhur keq që qeverisja e mirë në Vushtrri si rezultat edhe i koalicionit VV-LDK është prishur, dhe kjo nuk ndikon mirë në përmirësimin e jetës së qytetarit vushtrrias”, theksoi Mehmeti.

Ai tha se në prishjen e këtij koalicioni kanë ndikuar raportet e tensionuara në nivel qendror të subjekteve. Mirëpo, sipas Mehmetit një gjë e tillë nuk është dashur të ndikojë assesi në prishjen e bashkëqeverisjes.

“Nuk duhet gjëra të tilla të ndodhi, pra qendra të ndikoj në lokale, pasi secila komunë ka specifikat e saja, dhe mbi të gjitha është krejtësisht demokratike të bëhet luftë në qendër, dhe në lokale të këtë bashkëqeverisje. Ky nuk është shembull i mirë, dhe si i tillë më së shumti e pësojnë qytetarët e Vushtrrisë”, përfundoi Mehmeti.

Duhanaj: ‘Lufta’ e VV-së ndaj Qeverisë Hoti, ndikoj në prishjen e klimës bashkëpunuese në Vushtrri

Image
Leon Duhanaj

Kurse, analisti politik, Leon Duhanaj për gazetën “Bota Sot” tha se prishja e koalicionit LDK-VV ka ardhur si pasojë e fushatës e Vetëvendosjes kundër Qeverisë Hoti.

Duhanaj dhe se kjo ‘luftë’ e VV-së ka ndikuar natyrshëm në prishjen e klimës bashkëpunuese.

“Lëvizja Vetëvendosje, që nga prishja e koalicionit qendror qeverisës, ka filluar fushatën zgjedhore duke e luftuar Qeverinë Hoti. Shto kësaj edhe faktin se fushata opozitare ishte një luftë me akuza të ndërsjella. Një qasje e tillë ndikon natyrshëm në prishjen e klimës bashkëpunuese”, deklaroi Duhanaj.

Analisti tha se kjo ishte edhe e pritshme duke parë që tani edhe gjendemi në fushatë zgjedhore dhe partitë politike po fërkohen me njëra-tjetrën.

“Duke pasur parasysh se gjendemi në fushatë zgjedhore dhe subjektet edhe ashtu fërkohen me njëra tjetrën, shtoi kësaj edhe faktin se në vjeshtë kemi edhe zgjedhjet lokale, atëherë, prishja koalicionit është e kuptueshme”, përfundoi Duhanaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat