Marrëveshja historike me Izraelin - Kosova firmosi aty ku thanë amerikanët

Politika

Marrëveshja historike me Izraelin - Kosova firmosi aty ku thanë amerikanët

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 4 shkurt 2021 Në ora: 08:58
Pamje nga ceremonia

Kosova dhe Izraeli, sipas marrëveshjes të nënshkruar në Shtëpinë e Bardhë në 4 Shtator, kanë zyrtarizuar përfundimisht njohjen reciproke.

Përmes një ceremonie virtuale, ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, dhe nga ana tjetër ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Gabriel Ashkenazi, kanë nënshkruar dokumentin ku thuhet se të dyja shtetet vendosin marrëdhënie diplomatike, për të rritur bashkëpunimin në shumë fusha.

Njohja reciproke mes dy vendeve është pjesë e Marrëveshjes së Uashingtonit të 4 shtatorit 2020, që ka të bëjë me normalizimin e marrëdhënieve ekonomike mes Kosovës dhe Serbisë. Kosova po ashtu është zotuar se do të hapë misionin e saj diplomatik në Jerusalem, kurse Serbia është zotuar se do ta zhvendosë ambasadën e saj ekzistuese në Izrael nga Tel Avivi në Jerusalem.

Lidhur me këtë, njohësit e fushës thonë se kjo ngjarje është historike për Kosovën dhe për shqiptarët. Ata konsiderojnë se njohja e Izraelit shërben për forcimin e marrëdhënieve me aleatin tonë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sipas njohësve të marrëdhënieve ndërkombëtare, askush përveç administratës Trump nuk ka më shumë meritë për këtë njohje.

Image
Prof. Dr. Enver Bytyçi

Bytyçi: Një ngjarje historike për Kosovën dhe për shqiptarët

Profesori ndërkombëtar, Enver Bytyçi në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka thënë se njohja që erdhi nga Izraeli për shtetin e Kosovës është një ngjarje historike për Kosovën dhe për shqiptarët në tërsi.

“Shumica e shqiptarëve i janë gëzuar kësaj njohjeje, ndërsa një pjesë e vogël duket e mjegulluar për shkak se në vendosjen e marrëdhënieve diplomatike konsiderohet vendosja e ambasadës në Jerusalem. Por, kjo nuk e zbeh aspak rëndësinë dhe momentin historik të kësaj njohjeje. Vendosja e ambasadës së Kosovës në Jerusalem nuk e dobëson shtetësinë e Kosovës. Njohja ndërkohë e forcon këtë shtetësi. Dhe çdo ngjarje politike që forcon shtetësinë e Kosovës është e mirëseardhur. Njohja e Izraelit për shtetin e Kosovës është pasojë e marrëveshjes së Uashingtonit të 4 shtatorit 2019. Ajo marrëveshje parashikoi vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Kosovës dhe Izraelit. Këtë marrëveshje e nënshkroi kryeministri Abdullah Hoti”, ka thënë Bytyçi.

Bytyçi shprehet se vetmja arritje pozitive e rëndësishme e marrëveshjes së Uashingtonit ishte dakordimi për njohjen e shtetit të Kosovës nga ana e Izraelit.

“Të tjerat çështje ose kanë ndikim pozitiv për rikthimin e lidershipit serb në rajon, ose janë çështje që kanë impakt negativ ose pozitiv në mënyrë të ekuilibruar si për Kosovën dhe për Serbinë. Nëse do ruhej si pjesë e marrëveshjes angazhimi i Serbisë për njohjen e Kosovës si shtet, siç ishte parashikuar në draft-marrëveshje, atë marrëveshje do ta konsideroja plotësisht të suksesshme. Fakti që suksesi i saj maturohet vetëm me njohjen e Kosovës nga ana e Izraelit është shumë pozitiv, por i pamjaftueshëm për të balancuar efektet negative të Minishengenit. Megjithatë, kjo njohje forcon pozitën e Kosovës në spektrin ndërkombëtar të shteteve. Kjo njohje rikthen besimin te qytetarët dhe vëmendjen te shtetet që nuk e kanë njohur, që t’i japin fund bojkotit të njohjes së pavarësisë së Kosovës”, shprehet profesori ndërkombëtar.

“Njohja që shërben për forcimin e marrëdhënieve me aleatin tonë strategjik”

Ai po ashtu deklaron se kjo njohje nxit vendet anëtare të BE-së të përshpejtojnë procesin dhe t’i japin fund obskurantizmit diplomatik kundrejt shtetit më të ri në Evropë.

“Njohja e Izraelit shërben për forcimin e marrëdhënieve me aleatin tonë strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Askush, përveç administratës Trump nuk ka më shumë meritë për këtë njohje. Iniciativa ishte e amerikanëve, nuk ishte parashtruar nga delegacioni shqiptar. Delegacioni shqiptar thjesht vendosi firmën aty ku u thanë amerikanët. Prandaj hezitoj të flas për merita. E vetmja meritë e kryeministrit Hoti në prezantimin e tij në dhomën ovale të Shtëpisë së Bardhë para presidentit amerikan, Donald Trump, ishte përformanca e tij civilizuese, gjë që ra në sy në raport me qëndrimin e presidentit serb, Vuçiq”, tha ai.

Krejt në fund, profesori ndërkombëtar ka theksuar se marrëveshja është produkt i politikës amerikane, dhe kjo, sipas tij, e bën atë më të vlefshme sesa të ishte thjesht një marrëveshje normale midis Prishtinës dhe Tel Avivit

“Merita e kryeministrit Hoti ishte se nuk u paravesh në sytë e tjerëve me Vuçiqin, me qëllim që të shitej çfarë nuk ishte, siç kishte ndodhur me paraardhësin e tij, kryesues të delegacionit të Kosovës. Ishim mësuar t’i shihnim Thaçin e Vuçiqin të përqafuar si dy dashnorë politikë dhe pamë një politikan normal në sjelljen ndaj presidentit serb. Kjo bëri diferencën. Ndaj them se ndonëse zoti Hoti ka disa cilësi pozitive që e prezantuan Kosovën me dinjitet, cilësi të cilat i mungonin Hashim Thaçit, marrëveshja është produkt i politikës amerikane dhe kjo e bën atë më të vlefshme sesa të ishte thjesht një marrëveshje normale midis Prishtinës dhe Tel Avivit”, ka theksuar profesori ndërkombëtar, Enver Bytyçi, për gazetën “Bota sot”.

Voca: Njohje me peshë gjeostrategjike për Kosovën dhe Ballkanin perëndimor

Image
Mirsad Voca

Njohësi i Integrimeve Evropiane, Mirsad Voca, për gazetën “Bota sot”, ka thënë se njohja nga Izraeli është arritje gjeostrategjike dhe veçanërisht pozitive në vazhdën e rritjes së numrit të njohjeve

“Megjithatë, përfaqësuesit politik në Kosovë nuk tregojnë urtësi, takt diplomatik dhe sidomos përmbajtje në diskursin e tyre politik lidhur me natyrën e kësaj njohje, nuancat e së cilës do të mund të shkaktojnë pengesa tjera, në planin afatgjatë, me aleatët dhe shtetet tjera mike të Kosovës”, tha Voca.

Voca shpjegon se Kosova duhet të ketë maturi diplomatike dhe nuk guxon assesi të shkëputet nga vlerat perëndimore.

“Fakti që Kosova nuk njihet ende nga 5 vende të BE-së, dhe ani pse BE-ja nuk funksionon si një model shteti federal siç është ShBA-ja, por si një union shtetesh anëtare, të cilët mbajnë sovranitetin e plotë mbi politikat e tyre përkatëse të jashtme, në këtë rast, për njohje, kur themi BE-ja, faktikisht mendojmë në boshtin Gjermani dhe Francë. Nga ky këndvështrim duhet kushtuar maturi diplomatike ngaqë ka ligje ndërkombëtare që duhet interpretuar e kuptuar dhe Kosova nuk guxon assesi të shkëputet nga vlerat perëndimore të shteteve themeltare të BE-së. Nga kjo pikëpamje dua të besoj se Qeveria në ikje ishte bashkërenditur edhe me boshtin e BE-së dhe njëkohësisht me ShBA lidhur me vendosjen e Ambasadës në Jerusalem”, u shpreh ai.

“S’ka rendësi kujt i takojnë meritat”

Sipas tij, nuk është aq me rëndësi se kujt i takojnë meritat për këtë njohje, mirëpo e rëndësishme sipas Vocës është për t’u angazhuar edhe me tej në thellimin e raporteve të Kosovës me shtetet mike.

“Po ashtu, do të isha kureshtar të dija se a ka pasur fare komunikim Qeveria në ikje edhe me Turqinë si shtet mik i Kosovës lidhur me këtë vendim kaq të rëndësishëm në mënyrë që të krijohet një balancim/mirëkuptim midis kushtëzimit ndaj Kosovës për të vendosur Ambasadën në Jerusalem dhe nevojës së njohjeve të Kosovës si nga Izraeli po ashtu nga shtetet myslimane. Tani nuk është aq me rëndësi se kujt i takojnë meritat për këtë njohje sepse kjo nënkuptohet, mirëpo ajo që mbetet për t’u angazhuar nga një mandat i ri diplomatik, është ruajtja dhe thellimi i raporteve të Kosovës me shtetet mike të cilët nuk u pajtuan me natyrën e kësaj njohje por që ishte patjetër me peshë gjeostrategjike për Kosovën dhe Ballkanin perëndimor”, tha ai.

Njohësi i rrethanave krejt në fund ka nënvizuar se Kosovës i duhet një diplomaci që ka guximin, bujarinë, forcën e bindjes dhe ndjenjën e dialogut.

“Një diplomaci që ndërthur ka nuancën dhe papajtueshmërinë, guximin dhe bujarinë, qëndrueshmërinë dhe fleksibilitetin, forcën e bindjes dhe ndjenjën e dialogut, përball çështjeve shumë më komplekse sesa që duken sipërfaqësisht, përbën thelbin e politikës së jashtme. Dhe pikërisht ky stil diplomatik duhet përqafuar edhe nga Kosova, ani pse ndonjëherë ngatërron vëzhguesin e painformuar, dhe sidomos për shkak se kjo i mungon Kosovës që nga krijimi si shtet i pavarur”, tha krejt në fund për “Bota sot”, njohësi i Integrimeve Evropiane Mirsad Voca.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat