Presidenti ka abuzuar me pushtetin, analistët tregojnë si duhet të jetë figura që do ta ketë këtë post

Politika

Presidenti ka abuzuar me pushtetin, analistët tregojnë si duhet të jetë figura që do ta ketë këtë post

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 16 shkurt 2021 Në ora: 22:22
Ilustrim

Të dielën e 14 shkurtit janë mbajtur zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë. Si rezultat i këtyre zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje me rreth 48% ka dalë fituese, duke lënë pas PDK-në, e treta LDK-ja, më pas AAK-ja, ndërsa Nisma nuk e kaloi pragun.

Deri më tani dihen vetëm rezultatet e zgjedhjeve, ndërsa nuk është diskutuar për asgjë tjetër sa i përket pozitave udhëheqëse apo koalicioneve të mundshme paszgjedhore.

Çështja e pozitës së Presidentit është diskutuar para zgjedhjeve, madje në një marrëveshje për bashkëqeverisje, ndërmjet Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit, janë ndarë pozitat e presidentit dhe kryeministrit. Është përmendur se pozita e kryeministrit do t’i takojë Albin Kurtit, ndërsa ajo e Presidentit Vjosa Osmanit, e cila aktualisht është ushtruese detyre e kësaj pozite.

Por nga ana tjetër, edhe lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, partia e të cilit ka marrë vetëm 7% në këto zgjedhje, e kërkonte me ngulm pozitën e Presidentit.

Megjithatë, të gjitha partitë politike bëjnë gara e marrëveshje të mundshme për të formuar qeverinë e për të marrë pozitat udhëheqëse në Qeverinë e Kosovës. Ndërsa pozita e presidentit mbetet në rend të dytë.

Mirëpo, cili është roli i pozitës së presidentit të vendit, karshi pozitave të tjera udhëheqëse në Kosovë?

Zeqiraj: Kosova ka pasur një president, i cili ka abuzuar, skajshëm, me pushtetin e tij të plotfuqishëm

Publicisti dhe njohësi i çështjeve politike, Idriz Zeqiraj thotë se ndonëse në Kosovë pozita e presidentit është e dorës së dytë, pa peshë në vendimmarrje, mirëpo në Kosovë nuk ka ndodhur kështu. Ai në këtë rast ka përmendur rolin e Hashim Thaҫit, si President i Kosovës.

Image
Idriz Zeqiraj

“Thuhet se presidenti është figurë, me detyra dhe të drejta formale, pra, të dorës së dytë, pa peshë, në vendimmarrje. Por, nuk ka rezultuar kështu. Kosova ka pasur një president, i cili ka abuzuar, skajshëm, me pushtetin e tij të plotfuqishëm. Ai është mbështetur, madje, në të gjitha prapësitë, deri në veprime anti-shtet, nga partia e tij, PDK-ja, e cila akuzohet për krim të organizuar, hajni zyrtare, kapje të shtetit dhe deri në tjetërsim të territorit tokësor”, ka theksuar Zeqiraj.

Më tej, ai thotë se nga pësimi duhet të nxirret mësim, ‘Kosova nuk duhet të kriminalizohet më tej, me zgjedhjen banditeske të presidentit të vendit. Kosova është ngopur me cuba, haraçxhinj, krim, korrupsion dhe pushtet të pakontrolluar, nga mujëshorë e halabakë  gjithëfarësh’.

“Presidenti duhet të vije nga bota akademike”

Sipas tij, presidenti duhet të vije nga bota akademike, me edukatë supreme qytetare, me integritet dhe personalitet të lartë njerëzor, si dhe përgatitje solide intelektuale. Vetëm një figurë e tillë e kompletuar, do ta përfaqësonte, denjësisht, shtetin e ri të Kosovës, rast të nëpërkëmbur, madje, deri në përtokje, nga bijtë e tij bastardë.

“Në të gjitha përllogaritjet, zgjedhja e Presidentit duhet të bëhet larg kombinaturave partiake. Dhe, gjithsesi, me votim demokratik, nga populli i Kosovës. Zgjedhje të presidentit, të kësaj natyre vazhdojnë të praktikohen, edhe në vende të tjera të rajonit dhe gjetkë, të cilat kanë demokraci eprore, në krahasim me Kosovën”, thotë ai.

Burjani: Presidenti ka 30 kompetenca kushtetuese

Ndërkaq njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani ka shpjeguar për “Bota sot” rolin e pozitës së Presidentit në Kosovë. Ai thotë se presidenti ka 30 kompetenca kushtetuese dhe kompetenca të rëndësishme në shtet.

Image
Blerim Burjani

“Është i rëndësishëm dhe ka 30 kompetenca kushtetuese, përveç se është pozitë solemne dhe ceremoniale ai ose ajo ka kompetenca të rëndësishme në shtet, por gara nuk bëhet për këtë pozitë siҫ bën një parti që duket qesharake, sepse kjo nuk varet nga dëshira por nga marrëveshja politike e  një koalicioni, shprehja e hapët dhe nëpër fushatë për këtë pozitë tingëllon qesharake sepse ky post nuk zgjedhet drejtpërdrejt”, thotë Burjani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat