Sadri Ramabaja: Vjosa Osmani edhe pa LDK-në në Kuvend do ta ketë kuorumin

Politika

Sadri Ramabaja: Vjosa Osmani edhe pa LDK-në në Kuvend do ta ketë kuorumin

Nga: N.SH Më: 18 shkurt 2021 Në ora: 20:20
Vjosa Osmani

Zgjedhjet e 14 shkurtit i shin befasues për shumë parti në Kosovë. Ndoshta edhe Lëvizja Vetëvendosje u befasua me rezultatin që mori ku doli e para dhe ka gati të fitoj 61 deputetë.

LDK-ja dhe PDK-ja në këto zgjedhje shënuan rënie të mëdha, Nisma nuk e kaloi pragun kurse, AAK-ja mbajti pothuajse një rezultat sikurse në zgjedhjet e kaluara.

Profesori dhe eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Sadri Ramabaja, pohon se, 14 shkurti ishte një epilog i natyrshëm politik për LDK.

Ramabaja thekson se Vjosa Osmani edhe pa Lidhjen Demokratike të Kosovës, në Kuvend, do ta ketë kuorumin kur të votohet për Presidente të Republikës së Kosovës.

Ramabaja i cili është edhe anëtar i LVV-së, citon një pasues të librit të njërit prej themeluesve të LDK-së.

‘“Pasdite më thërret në telefon një mik i imi dhe kërkon të takohemi urgjentisht. Aso kohe ai ishte futur në strukturat e larta të pushtetit në Kosovë. Bisedën e zhvillojmë në një lokal me frekuencë të vogël. Biseda duhej të ishte zhvilluar kështu, ose ngjashëm.

Ai: Çfarë keni ndër mend të bëni? Unë: Kur? Kush? Ai: Lëri ato. Nesër? Unë: Një parti politike, ose ku e di unë se çfarë. Nuk ma merr mendja se del gjë pres saj. Ai: Dëgjo. Po merrni përsipër një përgjegjësi të madhe. A jeni të vetëdijshëm për këtë? Unë heshta. E dija se ky ishte konstatim i tij dhe se nuk më kishte thirrur për këtë. Ai: Bëni si të doni, por një porosi kam për ty – Ibrahim Rugovëm të mos e bëni kryetar. Unë: Pse? Ai: Kaq kisha unë.”

“E dija se për këtë më kishte thirrur, sikundër që e dija se ky nuk ishte mendimi i tij. Ishte punë porosie, sikundër e tha edhe vetë.” [Mehmet Kraja “Vite të humbura”, Prishtinë, 1995, f.191-192]”, citon ai, librin e Krajës ku shton se,  Kraja me sarkazmin e tij prej letrari të madh, e bën të njohur për njohësit e rrethanave politike të Kosovës së atyre viteve, edhe personin se kush nga pushteti real ishte prapa kësaj ideje...

“Në takimin ku do t’i viheshin themelet partisë, porosia indirekte e njeriut të pushtetit do të dërgohej në vend: Dr. Ibrahim Rugova do të propozohej për kryetar. “Dhe ai që ia pat ofruar disa ditë më herët Rugovës këtë funksion politik ishte bashkëpunëtori më i afër i tij, z. Milazim Krasniqi [Haqif Mulliqi “Vitet kur Kosova e njohu veten”, Shkup, 2012, f.25] . Atëbotë Milazim Krasniqi ishte sekretari i Lidhjes së Shkrimtarëve. Më pas, me propozim të J. Buxhovit, natyrisht sipas direktivave që kishte marrë nga Agim Mala (drejtori i RTK). Këto fakte kokëforta, brezi i ri nuk i ka të njohura. Por, megjithatë, studiuesit tashmë kanë në dorë si publikimet në falë, ashtu edhe programin politik të LDK, megjithëse ky i fundit, qe mbajtur mëse tridhjetë vjet nën rrogoz, i papublikuar!”, thotë ai.

Sipas tij, në këtë program tekstualisht pohohet se LDK angazhohet për demokraci që do të sigurojë barazinë e plot juridike e politike të qytetarëve, të individit, të dinjitetit dhe të pronës së tij-pavarësisht përkatësisë kombëtare, gjinore dhe fetare; angazhohet për shtetin juridik, që respekton kushtetutën dhe ligjin…

“Programin si të këtillë, madje pa e redaktuar fare, e kishin aprovuar edhe një lagje gjahtarësh e shkrimtarësh, disa prej të cilëve janë sot anëtar të Akademisë. Tumirja e Projektit të Ahtisarit, simboleve të shtetit, Kushtetutës, gjithë legjislaturës që bie ndesh me interesat jetike të kombit, demarkacionit me Maqedoninë dhe Malin e zi, me ç‘rast Republika humbet në përmbajtje mbi 13.000 km²; tutje nënshkrimi i marrëveshjeve që i hapin rrugë Asociacionit të komunave me shumicë serbe (që de fakto janë embrioni i Republikës serbe, respektivisht shtetit në shtet), aprovimi i ligjit për Gjykatën Speciale e deri tek rrëzimi i Qeverisë Kurti 1 në kulmin e pandemisë më 25 mars 2020, janë produkt i kësaj mendësie prej vasali që e shoqëroi LDK përgjatë gjithë ekzistencës së saj”, thotë Ramabaja.

“E djathta në Kosovë nuk kishte mundësi të ndërtohet nën siglën e LDK-së; si e tillë ajo po ecë drejt fundit të sigurt. Intenca për ta reformuar LDK-në përmes kthimit të Vjosa Osmanit, respektivisht për ta ndërtuar një forcë të djathtë politike me petk të ri e nën siglën e LDK-së e mbi gërmadhat e saj, nuk mundet dhe nuk duhet të pretendohet nga askush me mendje të shëndosh”, thotë ai.

Ramabaja shton se, opsionet që përfliten ndërkohë në qarqet politike dhe mediale të Prishtinës për mundësinë e kthimit të Vjosa Osmanit në LDK, janë pjesë e strategjive dhe kurtheve që pretendojnë t’ i ngrenë në rrugë qeverisë Kurti 2.

“Ata pak deputet të LDK-së që do të jenë pjesë e legjislaturës së tetë që doli nga zgjedhjet e 14 shkurtit, duke i bërë kuorumin dhe mundësuar Vjosa Osmanit të zgjidhet presidente e Republikës, do t’ i bënin një shërbim të mirë idesë për rikthim tek rrënjët e së djathtës. Vjosa Osmani do të bëhet presidente, edhe nëse LDK nuk merr pjesë në seancën e Kuvendit, meqë në seancën plenare kur pritet të zgjidhet do ta ketë kuorumin me apo pa LDK-në”, përfundon ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat