Kosova të qëndrojë afër me Presidentin Jeo Biden

Politika

Kosova të qëndrojë afër me Presidentin Jeo Biden

Nga: A.M. Më: 18 shkurt 2021 Në ora: 23:08
Joe Biden

Presidenti i SHBA-ve, Joe Biden i ka dërguar një̈ letër ushtrueses së  presidentit, Vjosa Osmanit, për nder të 13 vjetorit të Pavarësisë së Kosovës. 

Përmbajtjen e kësaj letre e ka komentuar për “Bota sot” njohësi i Integrimeve Evropiane, Mirsad Voca.

Në letër flitet për raportet ndërmjet dy popujve, mbështetjen e vazhdueshme e të fuqishme të SHBA-ve si dhe nevojën që dialogu me Serbinë të përqendrohet në njohjen e ndërsjellë.

Ai nuk beson se mund t`i kërkohet Kosovës kompromis që do ta cenonin kushtetutshmëria e saj.

“Letra e Presidentit Biden dërguar ud. së Presidentit, Vjosa Osmani, është një thirrje për t’u harmonizuar me qëndrimin e Shba-së lidhur me dialogun me Serbinë.

Në njërën anë, nuk besoj se Kosovës do i kërkohet kompromis në kuptimin që të cenohet kushtetutshmëria e saj. Megjithatë, duhet të bëjmë kujdes sa i përket kësaj pike, dhe të qëndrojmë shumë afër me Presidentin J. Biden që njëkohësisht të qartësohet fakti se Kosova bëri kompromise të dhimbshme me planin e Ahtisaarit, i cili Serbëve në Kosovë u dha të drejta më shumë se çdo minoriteti tjetër në botën perëndimore. Mbi këtë bazë, Kosova duhet të zotohet pranë Presidentit J. Biden që do të ketë barazi dhe drejtësi brenda shoqërisë kosovare dhe përkatësive etnike përfshirë këtu edhe minoritetin serb shumë më i privilegjuar sesa minoritetet tjera”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Më tej, Voca ka shpjeguar se kompromis mund të konsiderohet tashmë pranimi që Kosova të ulet në bisedime me Shtetin serb.

“Në anën tjetër, termi kompromis nuk nënkupton që Kosova duhet të jap diçka por kompromis mund të konsiderohet tashmë pranimi që Kosova të ulet në bisedime me Shtetin serb sepse Serbia shkaktoi dëme të pariparueshme Kosovës. Dhe në mënyrë që Kosova të largoj presionin për ndonjë kompromis tjetër eventual duhet që të komunikojë shumë afër me administratën e Biden dhe shtetet mike lidhur me dëmet e shkaktuara nga Serbia si në aspektin njerëzor, moral dhe material. Dhe duke u nisur vetëm nga ky prizëm patjetër që çdo kompromis duhet të jetë në harmonizim të plotë me frymën kushtetuese të Kosovës”, ka deklaruar ai për “Bota sot”.

Në fund, ai ka komentuar dallimet e dy letrave të Presidentit Biden që i ka dërguar presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, si dhe atë të Osmanit.

“Letra e Presidentit Biden dërguar A. Vuçiq, ishte thirrje për të balancuar çështjen e dialogut deri në masën kur dy shtetet njohin njëra tjetrën duke i bërë të qartë Serbisë se është e vetmja rrugë e cila ndërlidhet me interesin e saj për një integrim euroatlantik, ndërsa letra dërguar u.d së Presidentit Vjosa Osmani, ishte po ashtu një inkurajim për tu ulur në bisedime si një kompromis i cili do të shpie në njohje reciproke”, ka përfunduar Voca për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat