LDK në agoni, a do ta shpëtojë gjenerata e artë atë?

Politika

LDK në agoni, a do ta shpëtojë gjenerata e artë atë?

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 24 shkurt 2021 Në ora: 22:14
Tubim i LDK-së

Humbja e thellë e LDK-së në zgjedhjet e 14 shkurtit, shkaktoi “tërmet” brenda partisë, ku dhanë dorëheqje kryesia e kësaj partie si dhe kryetari i deri tanishëm Isa Mustafa.

Por, dilema më e madhe është kush do të jetë kryetari i ardhshëm i LDK-së. Kjo vazhdon të mbetet enigmë.

Si duket brenda kësaj partie ka filluar të ketë “përçarje”. Të paktën kështu shprehen disa zyrtarë të saj, të cilët guxojnë të flasin për atë se çfarë po ndodhë në LDK.

Në anën tjetër, ka zëra ku kërkojnë që të kthehen themeluesit e kësaj parti dhe ta marrin në dorë “shpëtimin” e LDK-së.

Mirëpo, ka edhe nga ata të cilët e kundërshtojnë një gjë të tillë.

Sipas ekspertëve, LDK-ja duhet të udhëhiqet nga liderët e rinj, se vetëm në këtë mënyrë do të jetë më e fortë.

Mehazi: LDK-ja do të jetë më e fortë me rininë

Image
Sulejman Mehazi

Profesori Sulejman Mehazi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka komentuar këto thirrje për kthim të themeluesve të LDK-së, duke i quajtur fraza të kota e të padobishme klanesh.

Ai shprehet kundër, duke thënë se LDK-ja sotme nuk është e themeluesve, por LDK e së ardhmes rinore.

“Ftesa e zyrtarëve të LDK-së për t'u rikthyer themeluesit e kësaj partie, janë fraza të kota e të padobishme klanesh, të cilët më shumë e rrënojnë sesa e ndërtojnë LDK-në. Këta duhet ta dinë e ta kenë të qartë se LDK-ja sotme s'është e themeluesve, por LDK e së ardhmes rinore me plot energji e optimizëm, e jo e kohës së kaluar të pleqve të trullosur nga mendja e shëndeti”, ka theksuar ai për “Bota sot”.

Po ashtu, ai shprehet se kjo parti duhet të mbushet me energji me anë të gjeneratave te reja, jo me ish-funksionarë pensionistë të LDK-së.

“Si është e mundur që zyrtarët e LDK-së të ftojnë themeluesit e kësaj partie kur shumica e tyre nuk janë gjallë e të mënjanojnë politikanët e rinj të LDK-së, që do jenë shpresa e ardhmërisë së qytetarëve dhe të shtetit të Kosovës. Po na çuditin deklaratat e zyrtarëve të kësaj partie, po ku do t'i gjejnë themeluesit e parë e kryesorë të LDK-se, Ibrahim Rugovën e Fehmi Aganin, ku në varr? Po dhe Kryeziu, Hamiti e Hyseni nuk e dinë veten ku janë e si do ta shpëtojnë partinë? Partia e LDK-së frymohet, gjallërohet e mbushet me energji me anë të gjeneratave të reja LDK-iste, jo me ish-funksionarë pensionistë të LDK-së. Shtëpia, familja, puna, partia e shteti nuk mbahen me pleq, po me te ri e të reja”, ka potencuar ai për “Bota sot”.

Sipas tij, LDK-ja do të jetë më e fortë më afër rinisë.

“Ka kaluar koha e themeluesve të LDK-së nën sundimin e Millosheviqit, tani është koha e rinistëve të LDK-së nën Kushtetutën e Pavarësisë së Kosovës, respekt për themeluesit e LDK-së, por përkulje të veçantë për rinistët e LDK-së të Kosovës së lirë e të pavarur. Sa më larg themeluesve, e më afër rinisë aq më e fortë do jetë LDK-ja”, ka deklaruar Sylejman Mehazi për “Bota sot”.

Burjani: Gjenerata e artë e viteve 90-ta nuk kthehet në LDK

Image
Blerim Burjani

Kurse, analisti politik Blerim Burjani për “Bota sot” është shprehur se LDK-ja duhet të ketë një lider që ta shtyjë përpara këtë parti.

“Kthimi i gjeneratës se vjetër të LDK është praktikisht ikja e gjeneratës së re aktuale nga LDK, pra mendoj që gjenerata e mesme në LDK mund të ketë një lider për të shtyrë përpara. Tash është në duar e LDK-së se çfarë do ajo”, ka thënë ai.

Ai vlerëson se gjenerata e viteve 91-ta nuk do të rikthehet në lidershipin e kësaj partie.

“Gjenerata e vjetër e LDK është pensionuar apo pritet të pensionohet, nuk e besoj se ajo gjeneratë e arte e viteve 90 të rikthehet në lidership. Kjo është fundosje e LDK-së”, ka cekur ai.

Sipas tij, LDK-ja ka nevojë për një lider të gjeneratës së mesme.

“LDK ka nevoje për një lider të gjeneratës së mesme, të rinjtë në LDK janë barikaduar dhe mendojnë në mënyrë konservatore dhe ata po sillen si te vjetërit”, ka cilësuar Burjani për “Bota sot”.

Halili: LDK-ja një kryetar me mendim dhe vizion ndryshe!

Image
Nijazi Halili

Ndërkaq, profesori tjetër Nijazi Halili, në një bashkëbisedim për “Bota sot” ka shpjeguar se çfarë ka ndodhur në këtë parti pas vdekjes së presidentit historik, Ibrahim Rugova.

“Pas vdekjes së Dr. Ibrahim Rugovës, themeluesit të LDK-ës dhe arkitektit të Pavarësisë së Republikës së Kosovës, individë dhe grupe individësh duke tentuar të marrin nën kontroll udhëheqjen e LDK-së, partisë politike më të madhe në Kosovë, i shkaktuan probleme të shumta si në strukturat e saj, në shtrirjen e saj, në pakësimin e anëtarësisë së saj, në përjashtimin e figurave kyçe të saj, për poste të pamerituara, për pozita në institucionet shtetërore, për pasuri dhe pushtet të përjetshëm, të pakufishëm dhe të paprekshëm dhe në dëm të interesave të anëtarësisë së LDK-së në veçanti e në dëm të shtetit dhe popullatës së Kosovës në përgjithësi”, ka thënë ai.

Ai shprehet kundër figurave që e kanë udhëhequr LDK-në deri më tani, duke përmendur të bëmat e tyre.

“Dëmin më të madh LDK-së i ka bërë kryetrari i saj Isa Mustafa më bashkëpunëtorët e tij të ngushtë, të cilët e sollën këtë parti në prag të shkatërrimit dhe në rezultatin e saj më të dobët në zgjedhjet e përgjithshme të 14 shkurtit 2021. Veprimet politike të krerëve të kësaj partie ne krye me Isa Mustafën dhe të kryesisë qendrore në përgjithësi, të cilët vepruan në dëm të interesave të popullit, të Kosovës dhe në mos përfilljen e vullnetit të anëtarësisë së LDK-së morën ndëshkimin e merituar në zgjedhjet e përgjithshme të 14 shkurtit. Me votat që i kishte fituar nga Vjosa Osmani, Isa Mustafa me bashkëpunëtorë mendonte dhe punonte ditë e natë se si ta përjashtonte nga LDK-ja Vjosa Osmanin dhe si ta shkatërronte politikisht, duke bashkëpunuar me krerët e subjekteve tjera, por asnjëherë nuk e kishin menduan se Vjosa Osmani e kishte pas vetes më shumë se gjysmën e elektoratit të LDK-së”, ka thënë ai.

Sa i përket çështjes së kryetarit të ri të LDK-së, ai përmend Osmanin duke thënë se pa të, kjo parti do ta këtë vështirë të mbijetojë.

“Pa Vjosa Osmanin, LDK-ja do ta këtë vështirë të mbijetojë, andaj është koha dhe momenti që LDK-ja të fillojë sa më parë të bëjë reforma dhe riorganizim në strukturën e saj të brendshme, duke zgjedhur kryesinë dhe kryetarin e saj, që ka mendim dhe vizion ndryshe nga ish kryetari Mustafa”, ka deklaruar Njazi Halili për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat