Gara për kryetarin e LDK-së, analisti tregon kandidatët kryesorë për këtë post

Politika

Gara për kryetarin e LDK-së, analisti tregon kandidatët kryesorë për këtë post

Nga: A.Morina Më: 28 shkurt 2021 Në ora: 13:11
Foto ilustrim

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) pas humbjes në zgjedhjet e 14 shkurtit, ka njoftuar se me 14 mars do të mbahen zgjedhjet e brendshme të partisë.

Pas dorëheqjes së Isa Musafës, ka pasur shumë lakime të emrave se kush mund ta marrë postin kryetarit të LDK-së. Ndër emrat më të përfolur janë Kujtim Shala, Lumir Abdixhiku dhe Lutfi Haziri.

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti, disa ditë më parë ka postuar një fotografi në Facebook, së bashku me Kujtim Shalën, një nga kandidatët potencial për kryetar të LDK-së.

Ky postim u komentua shumë, pasi u potencua se në një mënyrë të tërthortë Hoti mbështeti Shalën për ta marrë kreun e LDK-së.

Natyrisht, postim i Hotit ngjalli edhe reagime të ndryshme. Reagimet erdhën nga tabori i Lutfi Hazirit, edhe ky njëri nga kandidatët potencial për t’u bërë kryetar i LDK-së.

Ishte një reagim i ish-ministrit Imet Rrahmani, që ndryshe njihet edhe si një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Lutfi Hazirit. I cili iu kundërpërgjigj Hotit me një fotografi të publikuar me Hazirin, duke i ofruar përkrahje këtij të fundit.

Ndërsa, analisti politik, Faton Mehmeti në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka komentuar këto ‘përplasje’ brenda LDK-së, që sipas tij me kalimin e kohës vetëm do të shtohen.

Mehmeti tha se Lutfi Haziri ka synime që ta marrë postin e kryetarit të LDK-së, mirëpo sipas tij, Kujtim Shala ka edhe mbështetjen e Isa Mustafës.

Analisti paralajmëroi se konfliktet në mes Shalës dhe Hazirit mund të shtohen në të ardhmen.

“Natyrisht se Luta ka synime për të marrë postin e të parit të LDK, duke u ndjerë i tradhtuar nga Isa, që më tepër e mbështet Kujtim Shalën. Kjo duhet theksuar se ka nxit përplasje mes Kujtimit dhe Lutes të cilat me kalimin e kohës vetëm sa do të shtohen”, deklaroi Mehmeti.

Ai tha se po bëhet garë e ashpër brenda LDK-së, që mund të shkaktoj në të ardhme përçarje edhe më të mëdha. Mehmeti theksoi se ndasitë në LDK do të shtohen me afrimin e zgjedhjeve

“Duket ashpërsi e madhe e garës për të parin e partisë, derisa kjo mund dhe pritet të shkaktoj edhe përçarje më të mëdha. Këto përplasje vetëm sa do e penalizojnë partinë për tu mobilizuar, pas debaklit në zgjedhjet e fundit. Këto ndasi të theksuara vetëm sa do rriten me afrimin e zgjedhjeve në LDK”, përfundoi Mehmeti.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat