“Letra shqetësuese e Erdoganit dhe veprimi që i bën favor Vuçiqit”, ky është paralajmërimi për Albin Kurtin

Politika

“Letra shqetësuese e Erdoganit dhe veprimi që i bën favor Vuçiqit”, ky është paralajmërimi për Albin Kurtin

Nga: P.R Më: 1 mars 2021 Në ora: 18:55
Albin Kurti

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, në letrën e tij që i ka shkruar kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka përmendur edhe marrëveshjen e fundit në mes të Kosovës dhe Izraelit dhe gjithashtu vendimin e Prishtinës zyrtare për vendosjen e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Jerusalem. Madje Netanyahu ka thënë se do të ishte i lumtur që ta mirëpriste Albin Kurtin në inaugurimin e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem.

Kurse presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan ka kërkuar nga Kurti që Kosova ta rishqyrtojë çështjen e hapjes së ambasadës në Jerusalem.

E gjatë ditë së sotme, Albin Kurti ka takuar edhe Ambasadorin e Turqisë, Çağri Sakar, të cilit i ka premtuar se Kosova do ta rishqyrtojë hapjen e ambasadës në Jerusalem.

“Sa i përket çështjes rreth vendosjes së Ambasadës së Republikës së Kosovës në Jerusalem, Kurti tha se njohja dhe vendosja e marrëdhënieve diplomatike me shtetin e Izraelit është shumë e rëndësishme për Kosovën, dhe mundësi e mirë për zhvillim, ndërsa rreth vendit se ku do të vendoset ambasada është një çështje që do të shqyrtohet duke parë edhe dokumentacionin e qeverisë në ikje”, thuhet ndër tjerash në komunikatën e Lëvizjes Vetëvendosje për takimin Kurti- Sakar, shkruan “Bota sot”.

E lidhur me këtë, për gazetën “Bota sot” ka folur profesor, doktor Enver Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

“Vendosja e ambasadës së Republikës së Kosovës në Jerusalem është një vërtet një çështje e komplikuar për politikën dhe diplomacinë e Prishtinës. Jo se ka ndonjë vështirësi tjetër, veç presionit që bëhet nga vendet e ndryshme për këtë akt. Ndërkombëtarisht Tel Avivi njihet si kryeqytet i Izraelit dhe përfaqësitë diplomatike vendosen në kryeqytet. Vetëm konsullatat mund të hapen në qytete të tjera. Edhe Konventa e OKB-së për marrëdhëniet diplomatike nuk parashikon diçka të tillë”, thotë Bytyçi.

Profesor Bytyçi e quan shqetësuese për Kosovën letrën e dërguar nga presidenti turk, Rexhep Taip Erdogan.

“Për vendimin e qeverisë së Kosovës që ambasada e saj të hapet në Jerusalem ka reaguar ndonjë zyrtar i Brukselit. Mundet të reagojë edhe ndonjë personalitet më I rëndësishëm I tij. Por nuk shoh se evropianët do të vendosin ndonjë sanksion kundër Kosovës për këtë shkak. Kjo nuk do të ndodh, sepse ndryshe vendet evropiane do akuzoheshin për anti-semitizëm. Megjithatë letra e presidentit të Republikës së Turqisë është vërtet shqetësuese. Erdogan në atë letër kërkon që Kosova ambasadën e saj ta vendosë në Tel Aviv. Këtë kërkesë ai e arsyeton me një deklaratë të zotit Konjufca, kur thoshte se qeveria Kurti mund ta rishqyrtonte vendimin e mëparshëm për këtë”, shprehet Bytyçi.

Sipas tij, Kosova ndodhet para një realiteti të caktuar.

“Kryeministri Hoti ka nënshkruar marrëveshjen në Uashington, me të cilën Izraeli ka pranuar njohjen e Kosovës dhe Kosova ka pranuar vendosjen e ambasadës së saj në Jerusalem. Marrëveshja e 4 shtatorit 2019 është valide, është aty. Nuk ka ndryshuar. Edhe pse nuk ka kaluar për ratifikim në parlamentin e Kosovës kjo marrëveshje ka fuqi vepruese. Aq më tepër se marrëveshja është midis kryeministrit të Kosovës dhe presidentit të SHBA-ve. Marrëveshja e Uashingtonit nuk shprehet në mënyrë eksplicite se “Izraeli pranon ta njohë shtetësinë e Kosovës në këmbim të vendosjes së ambasadës së saj në Jerusalem”! Megjithatë është shkruar e zeza mbi të bardhë. Kosova angazhohet që ambasadën e saj pa promovojë në Jerusalem, i cili njihet si kryeqytet I Palestinës (Jerusalemi Lindor)”, thekson Bytyçi.

“Prandaj qeveria Kurti dhe çdo qeveri tjetër do ta kishte të pamundur të merrte njëanshëm një vendim të kundërt. Sepse shkelja e marrëveshjes mund të çojë në anulimin e njohjes nga ana e Izraelit. Nëse ndodh kjo nuk dëmtohet Izraeli, dëmi i madh i shkaktohet Kosovës dhe shtetësisë së saj”, shton Bytyçi.

Por sipas profesor Bytyçit, ka edhe elemente tjera që pengojnë moszbatimin e marrëveshjes së Uashingtonit.

“Shtetet serioze dallohen nga zbatimi i marrëveshjeve, jo nga moszbatimi i tyre. Moszbatimi do të shihet nga vendet që nuk e kanë njohur atë si një gjest jo serioz dhe për pasojë nuk do të krijojnë besimin e tyre e ta njohin shtetësinë. Askush nuk duhet të dyshojë në aftësitë e institucioneve të Kosovës. Nga ana tjetër, nuk është se qeveria e Palestinës ka treguar ndonjë afrimitet miqësie me Kosovën dhe qytetarët e saj. Përkundrazi, diplomatët dhe politikanët palestinezë kanë dëshmuar solidaritet të vazhdueshëm me Serbinë në obstruksionin e saj kundër Kosovës. Kësisoj Kosova nuk ka asnjë detyrim moral të krijojë ndonjë aleancë me ta”, nënvizon Bytyçi për “Bota sot”.

Profesor Bytyçi paralajmëron se Albin Kurti mund t’i bëjë favor Aleksandër Vuçiqit, në rast se tërheq vendimin për hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem.

“Ka edhe një mundësi tjetër. Qeveria serbe do të vihet në vështirësi,, nëse Kosova do ta vendosë ambasadën e saj në Jerusalem. Edhe ajo është zotuar për ta transferuar ambasadën e saj nga Tel Avivi në Jerusalem. Nëse Kosova tërheq vendimin e saj, atëherë Serbia do ta ketë shumë lehtë të refuzojë këtë pikë të marrëveshjes. Pse u dashka Albin Kurtit ta lehtësojë pozicionin e Aleksandër Vucic?! Duke e detyruar qeverinë serbe ta transferojë ambasadën e saj në Jerusalem arrihet edhe një objektiv tjetër: Serbia do të armiqësohet me vendet myslimane dhe vende të tjera, të cilat përkrahin Palestinën kundër Izraelit”, deklaron për “Bota sot”, profesor Bytyçi.

Më tej, ai shton se Albin Kurti duhet të veprojë në koordinim më administratën Biden.

“Por dikush në Evropë dhe presidenti i Turqisë bëjnë presion të hapur. Atëherë si duhet të veprojë Albin Kurti? Është shumë e thjeshtë, të bisedojë me administratën e re amerikane. Nëse kjo administratë do të ndjekë politikat e zotit Trump në raport me Izraelin ose jo. Nëse amerikanët do vazhdojnë ta kenë ambasadën e tyre në Jerusalem ose jo. Përgjigja ndodhet vetëm në administratën amerikane. Por edhe në këtë rast duhet menduar shumë. Ka një marrëveshje mbi bazën e së cilës Izraeli ka njohur Kosovën”.

Por cilat janë pasojat e shkeljes së zotimit për hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem?

“Unë mendoj se janë pasoja të rrezikshme për Kosovën. Kosova nuk është aq komode sat ë krijojë armiqësi me Izraelin. Ajo ka nevojë për mbështetjen e tij. Fuqia politike dhe diplomatike, por edhe potenciali ekonomik e në investime I Izraelit është I jashtëzakonshëm. Nuk mundet në asnjë rrethanë të humbasin përparësitë e njohjes nga ana e Izraelit. Në fund të fundit udhëheqësit patriot llogarisin interesin e vendit të tyre dhe nuk duhet e nuk mund të nisen nga interesat dhe egot e të tjerëve, qofshin këta edhe miq të Kosovës, si evropianët dhe Erdogan!”, thotë Bytyçi.

“Përfundimisht, Albin Kurti duhet që t’i kthejë një përgjigje falënderuese zotit Netanjau. Dhe të premtojë se do ta shohë si mundësi të mirë pjesëmarrjen në inaugurimin e ambasadës së Kosovës në Izrael. Dhe vendimi përfundimtar besoj se do të jetë pjesëmarrja, jo refuzimi, vendosja e ambasadës në Jerusalem dhe jo ndërprerja e marrëdhënieve diplomatike! Për këtë ka nevojë Kosova!”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat