Ja cili është synimi i vizitës së Lajçak-ut në Kosovë, analisti jep analizën

Politika

Ja cili është synimi i vizitës së Lajçak-ut në Kosovë, analisti jep analizën

Nga: A.Z Më: 1 mars 2021 Në ora: 22:19
Miroslav Lajçak

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, ka filluar sot vizitën treditëshe në Prishtinë prej nga më pas do të shkojë në Beograd, në një përpjekje për rifillimin e bisedimeve ndërmjet të dyja palëve menjëherë pas formimit të qeverisë së re të Kosovës.

Lidhur me vizitën e tij në Kosovë, analisti Leon Duhanaj, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se ardhja e tij për dialog është e pritshme, madje duke e pasur parasqysh edhe qeverinë e re me potencial të fuqishëm që në këtë rast Lajçak do të marr hapa konkret për të shtyer përpara agjendën e dialogut.

Duhanaj thotë se me qeverinë e re krijohen parakushte për arritjen e ndonjë marrëveshje në mes Kosovës dhe Serbisë.

“Ardhja e përfaqësuesit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, z. Miroslav Lajcak, është e pritshme. Ai duke pasur parasysh përfundimin e zgjedhjeve në Kosovë dhe daljen e një qeverie me potencial të fuqishëm, merr hapat konkret për ta shtyer përpara agjendën e dialogut, aq më shumë kur ke parasysh që si Kosova, ashtu dhe Serbia tashmë kanë mazhorancë të fuqishme, shto kësaj edhe faktin se në Kosovë LVV-ja ka qenë e njohur për destruktivitet absolut dhe tani që ka fituar ta udhëheq me Qeveri krijohen parakushte solide për arritjen e ndonjë marrëveshje të mundshme Kosovë-Serbi. BE, por dhe SHBA, besoj që do ta kenë ketë çështje ndër temat prioritare, në mënyrë që duke krijuar paqe të qëndrueshme në regjion edhe ta nxisin integrimin e mëtejmë edhe ta ndërpresin rritjen endikimit rus”, tha Duhanaj.

Sipas Duhanaj, synimi i Lajçak-ut në Kosovë është të marrë opinion të gjerë nga politika, por vërehet edhe përpjekja për t’i inkuadruar qëndrimet nga vendet fqinje për një marrëveshje finale.

“Tani, duke analizuar agjenden e paralajmëruar vërehet fakti se z. Lajcak në Kosovë synon të marrë opinion të gjerë nga politika dhe çarqet tjera, përderisa në Serbi tashmë e ka më të çartë bazuar në faktin e kontrollit absolut që ka Vuçiç atje. Pos tjerash në agjenden e tij vërehet edhe përpjekja për t'i inkuadruar apo mareka e qëndrimeve edhe nga vendet fqinje në mënyrë që ta projektoj mundësinë e kalkulimit të një marrëveshje finale. Për Kosovën dhe shqiptarët është me rëndësi uniteti politik dhe çartësimi i idesë së përbashkët karshi të ardhmes së Kosovës”, shtoi ai.

Tutje ka theksuar se është më mirë që Kurti do ta ketë barrën e udhëheqjes në dialog, për ndryshe nuk do të tregohej bashkëpunues. Ajo që nuk i konvenon Kosovës, sipas Duhanaj është status quo, sepse është mungesë e zhvillimit, por kërkohet bashkëpunim për largimin e kësaj.

“Ndoshta është më mirë që z. Kurti do ta ketë barrën e udhëheqjes në dialog pasi që ky nga pozita e opozitarit nuk do të tregohej bashkëpunues, kështu që po besoj që partitë tjera janë më të përgjegjshme në ketë drejtim pasi që këtë e kanë treguar edhe në të kaluarën. Për Kosovën, dialogu dhe zgjidhja e këtij problemi është problem i dorës së parë pasi që ne nuk do të arrimë prosperitet në asnjë nga temat, përderisa këtë temë e kemi të pazgjidhur mbi tavolinë. Status quo nuk i konvenon Kosovës,pasi që është pengesë e zhvillimit dhe integrimit të mëtutjeshëm të saj, në këtë kontekst kërkohet unitet e bashkëpunim në mënyrë që njëherë e mirë ta largojmë këtë barrë nga shpina. Tani meqë e kemi edhe një administratë të re në Amerikë dhe Presidentin Biden që ka rol të vazhdueshëm pozitiv karshi Kosovës, duhet ta shfrytëzojmë si mundësi të lëvizjeve të mëdha”, përfundoi Duhanaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat