Adem Salihaj “godet” Isa Mustafën – ky është kontribuuesi më i madh i shkatërrimit të LDK-së

Politika

Adem Salihaj “godet” Isa Mustafën – ky është kontribuuesi më i madh i shkatërrimit të LDK-së

Nga: N.Sh Më: 10 mars 2021 Në ora: 21:21
Adem Salihaj dhe Isa Mustafa

Ish-deputeti i Kosovës nga radhët e LDK-së, Adem Salihaj po pret që procesi zgjedhor në LDK të jetë i rregullt dhe demokratik.

Salihaj në një prononcim për gazetën “Bota sot”, e ka komentuar procesin e zgjedhjeve në LDK, ku deri më tani janë në garë katër kandidatë.

Ai thotë se Isa Mustafa është kontribuuesi më i madh i shkatërrimit të LDK-së.

“Pres që procesi zgjedhor në LDK të jetë i rregullt dhe demokratik, të mos jetë i manipuluar, siç ka qenë qe më shumë se dhjetë vite. Manipulimi i sistemit zgjedhor dhe politikat e gabueshme e të dëmshme partiake e sollën LDK-në para shuarjes. Isa Mustafa është "kontribuuesi" më i madh i shkatërrimit të LDK-së. Ai, për më shumë se dhjetë vite, ka punuar sistematikisht për shkatërrimin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, duke ia humbur të gjitha vlerat demokratike e shtetformuese”, thotë Salihaj për gazetën “Bota sot”.

Ish-deputeti shton se, tash, në këtë proces zgjedhor, duhet të luftojnë për rregullsi dhe respektim të normave statutare.

“Jam skeptik për rezultatin dhe mundësinë e ndryshimit, duke marrë parasysh se pretendentët për kryetar janë të gjithë nga të përzgjedhurit e Isa Mustafës, të gjithë të favorizuar prej tij dhe përfitues. Asnjëri prej tyre nuk është distancuar nga politikat e gabueshme të Isa Mustafës. Të kesh qenë përkrahës i politikave të gabueshme dhe përfitues i tyre e të pretendosh se do të bësh politika të drejta, është demagogji dhe mashtrim, asgjë tjetër”, pohon ai.

Salihaj apelon te delegatët e Kuvendit të LDK-së që të mos e përkrahin asnjë kandidat, i cili ka përkrahur këto politika të gabueshme e antirugoviane, nuk është distancuar prej tyre dhe ka përfituar nga këto politika.

“Do të ishte e gabueshme që njerëz të tillë të vijnë në krye të LDK-së dhe do të ishte vetëm përsëritje e asaj që ka ndodhur deri më tash. Nuk na duhet edhe një Isa Mustafë i dytë”, përfundon Adem Salihaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat