Thirrja e SHBA-ve për Vjosa Osmanin presidente, opozita s’ka vend për eksperimente

Politika

Thirrja e SHBA-ve për Vjosa Osmanin presidente, opozita s’ka vend për eksperimente

Arife Morina Nga Arife Morina Më 14 mars 2021 Në ora: 20:13
Vjosa Osmani

Kandidatja për postin e presidentit të vendit, Vjosa Osmani në zgjedhjet parlamentare të 14 shkurtit mori mbi 300 mijë vota, duke u bërë edhe një nga personat më të votuar në histori të zgjedhjeve në Kosovë.

Ndonëse Osmani mori një mbështetje të jashtëzakonshme nga qytetarët, kjo nuk po i mjafton për tu zgjedhur presidente e vendit.

Kjo, pasi partitë opozitare, LDK, PDK dhe AAK, kanë deklaruar se nuk do të qëndrojnë në sallën e Kuvendit, gjatë seancës së votimit të presidentit. Në këtë mënyrë, duke mos ia bërë kuorumin, opozita po tenton ta ndalojë Osmanin të zgjidhet president e vendit.

Mirëpo, së fundmi, LDK-së, PDK-së dhe AAK-së, i ka ardhur një thirrje nga Amerika për të qëndruar në sallë në momentin kur votohet presidenti.

Ishte përfaqësuesit special për Ballkanin Perëndimor në departamentin amerikan, Matthew Palmer i cili tha se opozita duhet të jetë besnike ndaj qytetarëve të saj dhe të qëndrojë në Kuvend kur zgjidhet presidenti.

“Sa i përket zgjedhjeve për presidencë, ne mendojmë se ato parti që do të jenë në opozitë, të veprojnë me përgjegjësi si opozitë lojale – lojale jo ndaj qeverisë, por lojale ndaj shtetit. Të bëjnë punën e tyre, të jenë të pranishëm, të sigurojnë që ka kuorum për të votuar dhe që institucionet të mund të funksionojnë. Gjëja e fundit që i duhet Kosovës janë zgjedhje tjera. Kosovës i duhet një qeveri, një president dhe rrugëtim përpara drejt Evropës”, ka deklaruar Palmer.

Madje, Palmer deklaroi se Amerika është e gatshme të bashkëpunoj me çdo qeveri që del nga zgjedhjet e lira dhe demokratike.

“Do të dëshironim të shohim qeveri të formuar, qeveri që do të jetë partnere e mirë, e fortë për Shtetet e Bashkuara. Nuk kemi të parapëlqyer në politikën e të tjerëve; punojmë me qeveritë që dalin nga zgjedhjet e lira, të drejta e demokratike. Duket që ka rrugë shumë të qartë përpara drejt një qeverie të fortë në Kosovë, që mund të jetë partnere e tillë e Shteteve të Bashkuara”, theksoi ai.

Kjo deklaratë e Matthew Palmer dëshmoi që Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të gatshme të bashkëpunojnë më Albin Kurtin, duke hedhur poshtë të gjitha deklarimet nga partitë e tjera se Amerika nuk do të bashkëpunojë me Kurtin.

Albin Kurti shpeshherë është cilësuar si politikan i cili vepron kundër Amerikës dhe kërkesave të saj, por kjo gjë e tillë ra poshtë nga gatishmëria e SHBA-së për të bashkëpunuar më atë dhe Osmanin.

Njohësit e çështjeve politike në prononcimet e tyre për gazetën “Bota sot” thanë se mesazhi i Matthew Palmer është një sinjal i qartë për opozitën dhe partitë opozitare patjetër duhet të qëndrojnë në sallë kur votohet presidenti i vendit.

Halili: Palmer me mesazh të qartë për opozitën

Profesori nga Amerika, Nijazi Halili, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka komentuar deklaratën e Përfaqësuesit special për Ballkanin Perëndimor në departamentin amerikan, Matthew Palmer për formimin e institucioneve në Kosovë, pa pengesa politike.

Halili tha se kjo deklaratë e Palmerit ishte mesazh i qartë për opozitën “Qëndroni në sallë kur të votohet presidenti”.

Image
Nijazi Halili

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kërkuar të formohen institucionet e Kosovës pa pengesa, gjithashtu Palmer i drejtohet me mesazh të qartë opozitës: Qëndroni në sallë kur të votohet presidenti”, ka deklaruar ai.

Profesori nga Amerika u shpreh se Palmer ka bërë thirrje që opozita të veprojë më përgjegjësi dhe të sigurojë kuorumin në ditën e votimit të presidentit të vendit, në mënyrë që institucionet të funksionojnë në normalitet.

“Matthew Palmer, ndihmës sekretari dhe përfaqësuesi special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, ka folur rreth votimit për president të Kosovës. Ai ka thënë se opozita duhet të tregohet lojale dhe të sigurojë që ka kuorum në ditën e votimit të presidentit në Kuvend.

Sa i përket zgjidhjes së presidentit, mendojmë se opozita, të veprojnë me përgjegjësi si opozitë, të bëjnë punën e sajë . Të jenë të pranishëm, të sigurojnë kuorum për të votuar dhe që institucionet të funksionojnë në normalitet”, ka nënvizuar Halili.

Në vazhdim, ai tha se me këtë deklaratë, shihet një dëshirë e tij që në Kosovë të formohet një qeveri e fortë, e cila mund të jetë një partnere e fortë për SHBA-në.

“Palmer shpreh dëshirë të shoh një qeveri partnere të fortë për SHBA-të. Duket se ka rrugë të qartë përpara drejt një qeverie të fortë në Kosovë që mund të jetë partnere e SHBA-së. Për formim të Qeverisë nevojiten 61 vota, ndërsa sa i përket presidentit, kandidatët për këtë pozitë duhet të kenë 80 vota”, ka theksuar profesori.

Në fund, Halili potencoi se përfaqësuesi special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, ka bërë të ditur se është në interes të vendit që të mos pengohet krijimi i institucioneve dhe të mbështetet Vjosa Osmani për presidente të vendit.

“Sipas mesazhit të Matthew Palmer, ndihmës sekretari dhe përfaqësuesi special i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, është bërë e ditur për opinion publik se është në interes të vendit dhe qytetarëve që procesi mos të pengohet në krijimin e institucioneve të vendit nga opozita dhe t'i jepet mbështetje e plotë për presidente znj.Vjosa Osmani.

Krejt për fund, vendin e presin detyra dhe sfida të shumta e me mjaftë përgjegjësi, siç është dialogu, sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit”, përfundoi profesor, Nijazi Halili.

Krasniqi: Deputetët janë të obliguar të qëndrojnë në Kuvend, në ditën kur votohet presidenti i vendit

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike, Islam Krasniqi deklaroi se SHBA-të janë të interesuara ta mbyllin procesin e Kosovës, pasi ata nuk kanë kohë të na presin deri sa të zgjohemi nga gjumi.

Krasniqi në një prononcim për gazetën “Bota sot”, përmendi edhe presionin e Amerikës ndaj Serbisë.

Image
Islam Krasniqi

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë të interesuar që ta mbyllin procesin e Kosovës, pasi që kemi mbetur shumë mbrapa dhe s'kemi kohë për të humbur, gjithashtu edhe SHBA-të s'kanë kohë të na presin neve deri sa të zgjohemi nga gjumi, gjithashtu ata po bëjnë presion edhe mbi Serbinë që të pranojë realitetin e ri”, ka deklaruar Krasniqi.

Analisti e vlerësoi dhe mbështeti deklaratën e përfaqësuesit nga SHBA, Matthew Palmer që deputetët e opozitës të qëndrojnë në Kuvend në ditën kur do të votohet presidenti i vendit. Krasniqi u shpreh se Osmani është person unifikues i popullit, duke parë edhe mbështetjen masive të qytetarëve në zgjedhjet e fundit parlamentare.

“Është e drejtë ajo që ka thënë Palmer, pasi që deputetët janë të obliguar të qëndrojnë në sallë deshën apo nuk deshën të bëjnë kuorum, por duhet të qëndrojnë në sallë sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Mos të harrojmë së znj. Osmani është personi më i votuar në historinë e shtetit tonë, më mbi 300 mijë vota, e që mund të jetë edhe unifikues i popullit, pasi që sovrani e ka përkrahur më 14 shkurt”, ka theksuar ai.

Në fund, Krasniqi e cilësoi Vjosa Osmanin se personin më të denjë dhe më të respektuar në arenën ndërkombëtare, duke e mbështetur atë për postin e presidentes së vendit.

“Partitë politike duhet të ia bëjnë kuorumin dhe ta votojnë znj.Osmani për presidente, pasi që ajo mund ta përfaqësojë shtetin tonë në mënyrën më të denjë dhe është personi më i respektuar në arenën ndërkombëtare”, ka përfunduar Islam Krasniqi për “Bota sot”.

Ahmeti: Opozita duhet ta marrë seriozisht mesazhin e Matthew Palmer

Kurse, analisti politik, Hidajet Ahmeti në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thirrjen e Amerikës për formimin e institucioneve e konsideroi si shumë serioze.

Ai tha se ky është një sinjal shumë domethënës për konsolidimin e shtetit të Kosovës.

Image
Hidajet Ahmeti

“Thirrja e SHBA-së për mundësinë e formimit të institucioneve është shumë serioze dhe me përmbajtje substanciale në proceset që do të kaloj Kosova. Mendoj se është një sinjal i mirë dhe domethënës për konsolidimin e shtetit të Kosovës dhe sfidat që e presin Kosovën në një të ardhme të afërt, si në politikën e brendshme ashtu edhe në politikën e jashtme”, theksoi Ahmeti.

Tutje, analisti u shpreh se partitë politike në Kosovë duhet ta marrin seriozisht mesazhin e Matthew Palmer, pasi nuk e kanë luksin të veprojnë në korniza të eksperimenteve politike.

“Në vazhdimësi po dëshmohet se SHBA-ja është përkrah politikave që fuqizojnë shtetet shqiptare dhe të ardhmen e tyre në mekanizmat ndërkombëtarë. Por, edhe qëndrimi z.Palmer është tu vlerësuar në rrugëtim të Kosovës dhe një mesazh që duhet ta marrin seriozisht partitë politike parlamentare, pasi nuk e luksin të veprojë në korniza të eksperimenteve politike”, deklaroi ai.

Në fund, Ahmeti tha se duhet të pranohet rezultati i zgjedhjeve të 14 shkurtit dhe vullneti i votuesve të reflektoj në përfaqësim të institucioneve të shtetit

“Njëherë e mirë duhet të kuptohet rezultati i zgjedhjeve të 14 shkurtit. Me ketë logjikë duhet të kuptohet fituesi i shumicës së votave dhe ky rezultat të përkthehet në përfaqësim institucional, rrjedhimisht vullneti i votuesve të reflektoj në përfaqësim të institucioneve të shtetit”, përfundoi Hidajet Ahmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat