Çka pas zgjidhjes së Lumir Abdixhikut, kryetar të LDK-së?

Politika

Çka pas zgjidhjes së Lumir Abdixhikut, kryetar të LDK-së?

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 15 mars 2021 Në ora: 18:12
Lumir Abdixhiku

14 marsi mblodhi delegatët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), për të zgjedhur kryetarin e ri.

LDK-ja në këtë proces të brendshëm zgjedhor hyri pas një disfate të rëndë në zgjedhjet e 14 shkurtit, ku doli si parti e tretë me 100 mijë vota më pak se në zgjedhjet e kaluara të 6 tetorit.

Isa Mustafa dha dorëheqje menjëherë pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, pas rezultatit të dobët që LDK-ja doli nga këto zgjedhje.

Në garën për të parin e LKD-së, kanë qenë katër kandidatë, Lutfi Haziri, Anton Quni, Lumir Abdixhiku e Besian Mustafa, derisa Quni u tërhoq nga gara, para se të fillonte Kuvendi zgjedhor.

Ishte Lumir Abdixhiku ai që mori besimin e delegatëve të LDK-së, duke fituar mbi 190 vota.

Abdixhiku iu bashkua LDK-së në vitin 2017 dhe tani është kryetari i ri i saj.

Por, çfarë pritet pas zgjidhjes së tij kryetar, derisa LDK pësoi humbje të madhe në këto zgjedhje dhe kur zgjedhjet lokale janë afër? A do të mund ta kthejë LDK-në në një parti të fortë siç ka qenë?

Lidhur me këtë, për gazetën “Bota sot” kanë folur njohësit e çështjeve politike.

Shahu: Shpresojmë të synojë ardhjen e LDK-së në qeverisje

Image
Rexhep Shahu

Analisti Rexhep Shahu, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se shpresojmë në gjallërimin e LDK-së me Abdixhikun në krye të saj, madje edhe për kthimin e LDK-së në krye të qeverisë.

“U bë vullneti i kuvendit të LDK-së, u zgjodh njeri nga kandidatët dhe është krejt normale. E kam thënë me kohë, deri sa nuk është Ibrahim Rugova, tani kryetar mund të zgjidhet kushdo dhe u zgjodh Lumiri. Shpresojmë në gjallërimin e ngritjen e LDK-së. Ai nuk ka hipotekë nga e kaluara, është i ri dhe shpresojmë se sjell frymë të re. Besoj se do të jetë këmbëngulës që ta synojë ardhjen e LDK-së në qeverisje. Shpresoj të mësohet politika me të rinjtë që e marrin dhe e lëshojnë postin në rast dështimi”, deklaroi Shahu.

Më tej, ai ka shtuar se kryetari i LDK-së dhe presidenti, gjithmonë do të krahasohen me Rugovën.

Sipas tij, paragjykimet pa e ushtruar detyrën i zgjedhuri është vetëm ngatërresë dashakeqësie, derisa e ka uruar Abdixhikun si kryetar të partisë më të madhe.

“Gjithmonë populli kryetarin e LDK-së do ta krahasojë me Rugovën dhe e ka këtë mallkim kryetari i LDK-së dhe presidenti i vendit që janë nën hijen e madhështisë dhe sharmit të Rugovës. Së kë zgjedh LDK-ja, e di LDK-ja. Të gjithë që duan ta diktojnë LDK-në le të bëhen pjesë e kuvendit që voton kryetarin e LDK-së. Çdo paragjykim pa e ushtruar detyrën i zgjedhuri, kudo është ngatërresë e dashakeqësi. Ndaj urimet më të forta Lumirit si kryetar i ri i partisë më të madhe të shqiptarëve në rajon, LDK”, ka deklaruar Rexhep Shahu për “Bota sot”.

Duhanaj: Zgjedhja e Abdixhikut, konsensusi më i mirë i LDK-së

Image
Leon Duhanaj

Ndërsa, njohësi i çështjeve politike Leon Duhanaj, ka thënë se me zgjedhjen e kryetarit të ri, LDK-ja cilësohet si pjekuri demokratike, madje dhe një sinjal i fortë për ata që e kanë braktisur.

Sipas Duhanaj, zgjedhja e Abdixhikut ka vlerë të madhe për partinë.

“LDK-ja, me mënyrën e organizimit të kuvendit të jashtëzakonshëm, respektivisht zgjedhjen e kryetarit të ri, ka bërë një kthesë pozitive dhe që mund të cilësohet edhe si shembull i pjekurisë demokratike. Natyrisht që në çdo garë, e sidomos pas sajë, mund të ndodhin kritika dhe të ketë hatërmbetje, megjithatë kur procesi shkon mirë dhe pa probleme, pranohet në mënyrë absolute nga të gjithë, është një sinjal i fortë për opinionin dhe elektoratin i cili në masë të madhe i pati braktisur. Mendoj që zgjidhja e Abdixhikut është konsensusi më i mirë i mundshëm që LDK-ja ka mundur ta bëj. Aq më shumë ka vlerë mënyra e zgjedhjes së tij dhe përkrahja që iu dha nga ish konkurrentët në garë menjëherë pas shpalljes së fituesit”, ka theksuar ai.

Duhanaj ka shtuar se tani prioritet i tyre duhet të jetë konsolidimi i degëve dhe se afërsia e mëparshme e Abdixhikut me Osmanin, mund të luajë rol të rëndësishëm me rikthimin e elektoratit para se të shkojnë në zgjedhjet lokale.

“Tani, për kryetarin e ri dhe LDK-në prioritet duhet të ketë konsolidimi i degëve gjë që kërkon kohë dhe maturi. Zgjedhjet lokale janë në prag dhe do të jenë përcaktuese për suksesin apo mossuksesin e z. Abdixhiku si kryetar. Z. Abdixhiku, duke qenë se ka pasur afërsi me znj. Osmani mund të luaj rol pozitiv ne pajtim me të përkatësisht rikthim të elektoratit para se vendi të shkoj në zgjedhje lokale. Mendoj që rezultati zgjedhor i 14 shkurtit nuk ka qenë aftësi apo i bazuar në ndonjë ofertë nga LVV-ja, sa ka qenë akumulim i zhgënjimit nga partitë tjera. Prandaj edhe stabiliteti ose jo i LVV-së në pushtet do të varet nga mënyra se si reflektojnë LDK-ja dhe PDK-ja, karshi situatës së re”, ka deklaruar Leon Duhanaj për “Bota sot”.

Burjani: Abdixhiku, i ri për tu ballafaquar me probleme të mëdha

Image
Blerim Burjani

Ndërsa juristi, Blerim Burjani, ka thënë se kjo vetëm mund të ndikojë në qetësim të gjeneratës së re në LDK, por jo edhe tek njerëzit me përvojë politike sepse sipas Burjanit, Abdixhiku është i ri për tu ballafaquar me problem sfiduese, kështu që më e rëndësishmja është përvoja politike.

“Nuk dihet kjo për momentin se si do të reflektohet te elektorati, kjo mund të ndikojë ndoshta në qetësim të gjeneratës së re në LDK, por nuk do të ndikojë pozitivisht tek njerëzit me përvojë politike. Sa i përket rritjes së elektoratit, nuk dihet për momentin nuk ka shumë entuziazëm tash, nëse Lumiri është i LDK-së, ka një të ri në moshë për tu ballafaquar me probleme të mëdha dhe shumë sfiduese edhe për njerëzit me përvojë shumë më të gjatë në politikë dhe në karrierë, PDK-ja dhe AAK-ja ka njerëz të stërvitur në politikën vendore dhe ndërkombëtare. Pra, përvoja është shumë me rëndësi apo jetike në politikë”, është shprehur Burjani për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat