Skandali i Vuçiç me hartën e Kosovës, heshtin Palmer dhe Lajçak

Politika

Skandali i Vuçiç me hartën e Kosovës, heshtin Palmer dhe Lajçak

Albulena Muji Nga Albulena Muji Më 20 mars 2021 Në ora: 08:32
Mirosllav Lajçak, Aleksandër Vuçiç, Mattheë Palmer

Republika e Kosovës është shpallur e pavarur më 17 shkurt 2008. Edhe pse kanë kaluar më shumë se një dekadë Serbia e ka të pamundur të mësohet më këtë fakt. Edhe pse u detyrua që ta “njohë” Republikën e Kosovës nga reciprociteti, si dhe nga vendimi i GJND-së se Kosova është një shtet i pavarur, ajo prapë vazhdon me avazin e vjetër.

Provokimi i fundit nga Serbia është ai i presidentit të këtij shteti, Aleksandër Vuçiç, i cili ka publikuar një fotomontazh të hartës së Kosovës, brenda së cilës shihet flamuri i Serbisë.

Në mbishkrimin e kësaj, fotografie ai ka shkruar se Serbia nuk është e dobët.

“Serbia sot nuk është e dobët, nuk kërcënon, por dhe nuk harron, dhe nuk do të lejojë që 17 Marsi të ndodhë përsëri. Ne kujtuam dhe ngulitëm çdo mësim në të cilin ishim humbës, por nuk do të heshtim ndaj viktimave tona. Ne e dimë se çfarë ka ndodhur dhe ne e quajmë atë me emrin e saj të vërtetë – masakër”, ka shkruar Vuçiç.

Kjo vjen pas skandalit që bëri jo shumë kohë më parë, përfaqësuesi i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, derisa u paraqit me hartën pas shpinës në një konferencë online, në të cilën Kosovë shihet si pjesë e Serbisë.

E kjo hartë e publikuar nga Vuçiç, Lajçak nuk ka bërë asnjë reagim.

Por, përpos tij, për këtë nuk ka reaguar as ëprfaqësuesi i SHBA-së për dialogun, Matthew Palmer.

Të dy deri tani kanë vendosur të heshtin.

Reagime nuk ka pasur as nga krerët e shtetit, përpos kryeministrit në detyrë Avdullah Hoti, që bëri një reagim pas pothuajse 24 orësh.

Për këtë çështje, njohës të çështjeve politike, e kanë cilësuar këtë veprim të Vuçiçit si provokim të radhës. Po ashtu, ata shprehen se kjo mund të vije edhe nga nervozizmi për shkak të deklaratës së Albin Kurtit, kryeministrit të ardhshëm të Kosovës për dialogun.

Lepaja: Serbia e nervozuar po bënë atë që di të bëjë më së miri

Njohësi i çështjeve politike, Fadil Lepaja, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se SHBA dhe BE e kanë njohur edhe Serbinë, por nuk kanë kërkuar nga kjo e fundit që të ndryshojë Kushtetutën.

Image
Fadil Lepaja

“SHBA dhe BE, dhe të gjitha vendet e saj veç e veç e kanë njohur dhe vazhdojnë ta njohin Serbinë si shtet, dhe në të njëjtën kohë nuk kanë kërkuar prej saj të ndryshojë kushtetutën duke e kushtëzuar me njohje. Sipas kësaj, Serbia mund të vizatojë harta si të dojë. Në të njëjtën kohë, ShBA dhe pjesa dërmuese e BE-së e kanë njohur republikën e Kosovës si shtet dhe njohin edhe kushtetutën e saj, me të cilën Kosova definohet si shteti i pavarur dhe ka territorin e saj, në kufijtë administrativ të ish Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës”, ka cilësuar ai për “Bota sot”.

Më tej, Lepaja ka cekur se BE dhe SHBA insistojnë në dialog për normalizimin e marrëdhënieve ndër fqinjësore mes Kosovës dhe Serbisë.

“Serbia nuk e ka njohur Kosovën dhe Kosova nuk njeh kurrfarë sovraniteti të Serbisë brenda kufijve të saj shtetëror, as nuk njeh madje as ndarje të pushtetit kështu që mes tyre ekzistojnë marrëdhënie të tendosura të një bashkëpunimi të ndërmjetësuar prej BE dhe SHBA, dhe formalizmi i disa rregullave me marrëveshje të përbashkëta. BE dhe SHBA insistojnë në dialog për normalizimin e marrëdhënieve ndër fqinjësore mes Kosovës dhe Serbisë dhe mendoj se kjo është e domosdoshme për çfarëdo përparimi të Kosovës dhe Serbisë në procesin e integrimeve në BE por është e rëndësishme edhe për qytetarët e të dy vendeve fqinje”, ka theksuar ai për “Bota sot”.

Ai ka deklaruar se mos futja e dialogut në prioritetet e para të Kurtit, e ka bërë Serbinë që të nervozohet.

“Duke qenë se zoti Kurti dialogun nuk e ka futur në prioritetet e tij të para , mendoj se Serbia e nervozuar po bënë atë që di të bëjë më së miri, pra të provokoj dhe të nxis palët për një urgjencë rreth dialogut duke tensionuar marrëdhëniet me probleme inekzistente. Mendoj se kjo e komprometon vullnetin e mirë të Vuçiç për bisedime dhe dëshirën e tyre për fqinjësi të mirë. Gjithashtu, kjo mënyrë e komprometon dëshirën e sinqertë të Serbisë për të qenë pjesë e Evropës së Bashkuar dhe mendoj se kjo duhet të përmendet si gjest i vullnetit jo të mirë të Serbisë për dialog dhe njëkohësisht të theksohet se hartat nuk mund të kthehen më në tavolinë përpos për të shënjuar kufijtë ekzistues”, ka potencuar Lepaja për “Bota sot”.

Shahu: Lojërat e Vuçiçit si fëmijë i dëshpëruar

Ndërkaq, analisti politik, Rexhep Shahu, ka deklaruar se lojërat e Vuçiçit nuk duhet që të merren seriozisht, dhe se ai e donë retoriken politike.

Image
Rexhep Shahu

“Lojërat e Vuçiçit si fëmije i dëshpëruar nuk janë ndonjë gjë e re, as ndonjë gjë që merren seriozisht as nga ai vetë. Ai synon te hedhe një gur në ujë dhe të ftojë të tjerët të numërojnë rrathët e ujit që bën guri. Vuçiçi, gjithë Vuçiçët, gjithë serbet e gjallë e të vdekur ushtarë të Vuçiçit e dinë më mirë se ne se Kosova nuk është me Serbi, as nuk mund të jetë me Serbi. Vuçiçi do retorikë politike, dëshiron të përfshijë në llomotitje Lajçakun e Palmerin, në pamundësi të përfshijë Bidenin a Putinin”, ka thënë ai.

Më tej, Shahu shprehte se Harta e tij nuk arrin të provokojë dhe se Kosova nuk duhet të humbasë kohë me të, por duhet që të ngrejë ekipin bisedor sa me shpejt.

“Vuçiçi po mëson përditë e më shumë se Serbia nuk është qendra e botës as e Ballkanit, por është një shtet dëshpërimi. Harta e tij nuk arrin të [provokojë, nuk arrin të kënaqë askënd përveç disa partizaneve të pabukë të katundeve të tij. Mendoj se Kosova nuk duhet të humbasë kohë të shahet me Vuçiçin në gazetat e portale, por të ngrejë ekipin bisedor sa me shpejt, profesional e jo militant, jo me shokë e miq që të shëtisin ndonjë ditë në Bruksel. Ndërsa sa më shumë Vuçiçi ta paraqesë hartën e Kosovës si Serbi, aq me shumë synon të binde të vetët se Kosova ka ikë. Kosova tani nuk ka vetëm je mik gjigant Amerikën, por ka edhe një mik të rrallë Izraelin, që nuk lejon qentë as ta lehin Kosovën”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Maraj: Provokimi i radhës nga Millosheviqi II

Kurse, njohësi i çështjeve politike, Milazim Maraj, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, është shprehur se BE-ja e ka pranuar të kaluarën e Vuçiçit, dhe ky vazhdon që shfrytëzojë këtë mundësi që i  ka ofruar nga evropianët.

Image
Milazim Maraj

“Presidenti i Serbisë A. Vuçiç ishte ministër i Millosheviqit. President i Serbisë, u zgjodh më vota kriminale dhe të përgjakura duke i eliminuar fizikisht kundërshtaret e vet politik. BE e pranoi Millosheviqin-II- për bisedime në cilësinë e kryetarit të shtetit serb. Ky vazhdon të shfrytëzoj këtë mundësi që i ofrojë BE. Politiken e vet  e ka vënë në favor të Rusisë dhe të dizajnit për  konflikteve të reja në Ballkan”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Po ashtu, Maraj ka drejtuar gishtin edhe nga Lajçaku të cilit i mbante një hartë në zyrën e tij ky Kosova ishte pjesë e Serbisë, ku ka thënë se Vuçiçi po provon ta shtyjë më tutje lojë e komisionarit evropian.

“Përkrahje në këtë drejtim të gabuar e  ka edhe nga Mirosllav Lajçaku i cili postin që i besoi BE-ja  e ka vu në shërbim të politikes destabilizuese të Serbisë. Lajçak para disa ditësh publikojë diçka të tillë, një hartë që ekziston vetëm në ëndërrt e shovinistëve dhe kishave serbe. Tani Vuçiç provon ta shtyjë më tutje këtë lojë. Kosova kundër këtyre provokimeve, duhet të ketë ekip të posaçëm profesional, që këto provokime i trajton drejt ,më mençuri, te u jap përgjigje adekuate dhe adresim duhur. Kosova duhet të mësojë nga Izraeli si bëhet dhe organizohet shteti i vogël dhe i fortë”, ka potencuar ai për “Bota sot”.

Gjithashtu,  Maraj sugjeron që Kosova duhet të rishikoj dialogun më Serbinë, dhe të pasoj me më padi kundër krimeve serbe në Kosovë.

“Kosova duhet të rishikoj dialogun më Serbinë në vend të Ambasadës në Jerusalem. Kërkesa e parë për dialog duhet të  ishte njohja e Kosovës dhe asnjë hap pa e njohur Kosovën shtet të pavarur.  Marrëdhëniet e mira fqinjësore nuk behën më shtetin që nuk e njeh, por me fqinjin që e njeh dhe e respekton. Dialogu më Serbinë duhet të përcillet më padi kundër krimeve serbe në Kosovë. Kërkim falja dhe ç ‘dëmtimi duhet të vihen në krye të listës së kërkesave tona. Hartimi i  projekteve serioze për të përfituar përkrahjen e miqve tonë nuk duhet të ndalen. Këtë mund ta bëjmë vetëm më institucione stabile dhe përgjegjësi në vend”, ka përfunduar Maraj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat