Veprimtari Zeqiraj tregon kush e kontestoi kandidaturën e Abdixhikut në LDK

Politika

Veprimtari Zeqiraj tregon kush e kontestoi kandidaturën e Abdixhikut në LDK

Nga: A.Zh Më: 21 mars 2021 Në ora: 09:48
Lumir Abdixhiku

Kandidatura e Lumir Abdixhikut, ishte kontestuar nga garda e vjetër në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Kështu ka thënë veprimtari dhe njohësi i çështjeve politike, Idriz Zeqiraj. në një prononcim për gazetën “Bota sot”.

Zeqiraj ka theksuar se kandidatura e Abdixhikut u konfirmua pas konsultimeve të tij, me shokë, brenda Kryesisë së partisë.

“Anëtarësia është e shumtë, por, kryetari është një. Themeluesit e partisë e kanë më të lehtë zgjedhjen, kurorëzohen pa hamendësime, në ditën themeluese. Ndërsa pas disa viteve, kur je njëri nga anëtarët e kryesisë, pretendentët janë shumë dhe gara nuk është hiç e lehtë. Kontestimi bazik i Lumir Abdixhikut, vinte nga garda e vjetër e LDK-së. Ai ishte rishtar në LDK-e dhe në mesin e anëtarëve të kryesisë. Edhe pse nuk i kishte ende 4 (katër) vjet stazh partie në LDK-e, megjithatë ai ishte provuar në dy palë zgjedhje qendrore, në cilësinë e kandidatit për deputet, madje, me sukses, duke u renditur i dyti, (përjashto bartësin e listës). Kandidatura e tij, për kryetar të LDK-së, u konfirmua vetëm pasi është konsultuar me pak shokë të tij, brenda kryesisë”, është shprehur ai.

Lexo edhe: “Abdixhiku nuk ka alternativë”, Zeqiraj tregon arsyen pse LDK-ja do ta votojë Osmanin presidente përkundër inatit

Publicisti ka folur edhe për tërheqjen e kandidaturës për kryetar të LDK-së, nga ana e Anton Qunit, të cilin e ka vlerësuar si “akt fisnik”.

“Konsiderata e shokëve për Lumirin dhe kandidaturën e tij, ishte e veçantë. Dhe, rivali garues, komandanti i shquar i Koshares, heroi i mbijetuar, Anton Quni, tërhoqi kandidaturën, me arsyetimin "t`u japim hapësirë dhe mundësi kandidatëve të rinj". Dhe, u mirëprit, me vlerësim të lartë, si akt fisnik. Në përballjen me dy kandidatët tjerë, Lumir Abdixhiku fitoi bindshëm, duke u ndarë shumë miqësor me garuesit tjerë. Anëtarësia, elektorati dhe struktura që e votoi Kuvendi i LDK-së, e ka votuar me shumicë të cilësuar 38 vjeçarin, Dr. Lumir Abdixhikun, një intelektual i kompletuar, me personalitet dhe integritet të plotë dhe dinjitar”, ka thënë më tej Zeqiraj për “Bota sot”.

Image
Idriz Zeqiraj

Ai ka vlerësuar se LDK-ja është e gatshme të përballet me proceset e rëndësishme që e presin Kosovën, duke bërë opozitë konstruktive.

“LDK-ja, si parti e parë pluraliste, shtetformuese e shtetndërtuese si dhe shumë e përgjegjshme, në funksionimin e institucioneve shtetërore, është e gatshme të përballet me proceset e rëndësishme, që ka dhe e presin edhe në të ardhmen Kosovën. Si parti opozitare, e qendrës së djathtë, do ta bëjë opozitën konstruktive, duke qenë në rolin e saj aktiv, në lehtësimin e veprimtarive, në zhvillimin progresiv të vendit. Kosova ndodhet para proceseve të mëdha, siç janë: Dialogu, njohjet, liberalizimi i vizave, përballimi i mëtejmë të Pandemisë, bllokuese ekonomike dhe rrezikshmërisë vdektare”, është shprehur analisti.

Ai ka përmendur se kryetari i ri i LDK-së u zgjodh në një Kuvend pa debat, por, sipas tij, me konkurrencë të ndershme dhe votim të fshehtë.

“Kryetari i sapo zgjedhur, në një Kuvend të organizuar mirë, veçse pa debat, por, me konkurrencë të ndershme dhe votim të fshehtë, parime bazë të demokracisë, ka zgjedhur strukturën vendimmarrëse, Këshillin e Përgjithshëm. Dhe, kjo strukturë, tashmë, e konsoliduar, ka zgjedhur kryesinë e LDK-së, që përbën edhe kompletimin e strukturave partiake”, ka thënë më tej Idriz Zeqiraj.

Ai ka folur edhe për deklaratën e Abdixhikut, se LDK-ja do të takohet me Vjosa Osmanin dhe Albin Kurtin, për formimin e institucioneve, duke thënë se kjo parti nuk do të jetë penguese e këtij procesi.

“Kryetari i ri, Lumir Abdixhiku, ka theksuar se, po sa ta zgjedhim kryesinë e partisë, do të bisedojmë, me fituesit e zgjedhjeve, për formimin e institucioneve qeveritare e shtetërore. Takimin me koalicionin fitues, përkatësisht, Albin Kurtin dhe Vjosë Osmanin. Ne, si parti serioze dhe shumë e përgjegjshme, nuk do të jemi pengesë, për formimin e organeve kuvendore legjislative, qeverisë dhe të tjerave”, ka shtuar publicisti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat