Albin Kurti kryeministër – “Pas çlirimit nga Serbia, Kosova tani u çlirua edhe nga zhvatësit e papërgjegjshëm politikë”

Politika

Albin Kurti kryeministër – “Pas çlirimit nga Serbia, Kosova tani u çlirua edhe nga zhvatësit e papërgjegjshëm politikë”

Nga: A.Morina Më: 22 mars 2021 Në ora: 23:42
Albin Kurti

Kuvendi i Kosovës zgjodhi qeverinë e re të vendit me kryeministër Albin Kurtin.

Deputetët e kuvendit të Kosovës votuan për qeverinë e re të Kosovës me kryeministër Albin Kurti. Qeveria Kurti mori 67 vota për dhe 30 kundër.

Profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka komentuar qeverinë e re të Kosovës, me në krye me Albin Kurtin.

Mehazi së pari uroi Kurtin dhe qytetarët e Kosovës të cilët u çliruan nga zhvatësit politikë. Ai tha se fytyrat e reja udhëheqëse do t’i japin energji ushqyese politike Qeverisë së Kosovës, do i japin freski.

“Pikësëpari urime të përzemërta Kurtit, urime qytetarëve, urime tërë stafit të qeverisë së re të Kosovës, tanimë Republika e Kosovës u çlirua nga zhvatësit, do ta udhëheqin fytyra të reja që do i japin energji ushqyese politike Qeverisë së Kosovës, do i japin freski, dije e punë të palodhshme për të mirën e qytetarëve të Kosovës”, deklaroi ai.

Profesori u shpreh se Albin Kurti dhe kabineti i tij qeverisës, do ta ruajnë Kosovën nga të gjitha të këqijat politike, siç i ruajnë prindërit fëmijët e vet të vegjël.

Image
Profesor Sulejman Mehazi

 

“Besojmë, se, nga dita e sotme qeverinë do ta kenë në dorë njerëzit e ndershëm e të pakorruptuar në krye me Albin Kurtin, të cilët do ta ruajnë Kosovën nga të gjitha të këqijat politike, ekonomike e diplomatike siç i ruajnë prindërit fëmijët e vet të vegjël. Sfidat e Qeverisë Kurti 2 do jenë të mëdha, prandaj dhe kabineti qeveritar i Kurtit 2 duhet të ketë njerëz të mëdhenj që do jenë gati, që, të gjitha sfidat e rënda politike t'i përballojnë me lehtësi”, theksoi Mehazi.

Në vazhdim, ai dha edhe disa komente për emrat e ministrave të kabinetit qeverisës.

“E brenda kësaj qeverie është e madhja, Donika Gërvalla, e cila si Ministre e Punëve të Jashtme do di të përballohet me diplomacitë evropiane, amerikane e botërore. Aty është dhe Albulena Haxhiu e cila si Ministre e Drejtësisë do përballet me të korruptuarit gjykatës e politikanë që rrjepën pamëshirshëm popullatën dhe Republikën e Kosovës. Xhelal Sveçla, Ministër i Punëve të Brendshme që do ju jep siguri qytetarëve të Kosovës në çdo cep të saj”, nënvizoi ai.

Kurse, për Mehazin befasia e Qeverisë Kurti 2 janë dy ministrat e ri, Armend Mehaj, ushtarak që vjen nga Osllo i cili si Ministër i Mbrojtjes do ruajë tërësinë territoriale të Kosovës nga armiqtë, si Serbia, dhe Ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli.

“Befasia e Qeverisë Kurti 2. janë dy ministrat e ri që për ne janë të panjohur, por për Kurtin të njohur e të afte: Armend Mehaj, ushtarak që vjen nga Osllo i cili si Ministër i Mbrojtjes do ruajë tërësinë territoriale të Kosovës nga armiqtë, si Serbia, dhe Ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli. Urime e suksese dhe ministrave tjerë: Arbërie Nagavcit, Arben Vitisë, Hekuran Muratit, Besnik Bislimit, Rozeta Hajdarit, Faton Pecin, Haxhi Avdyli”, theksoi ai.

Profesori tha se Kosova asnjëherë nuk ka pasur qeveri më të mirë, sesa ky kabinet qeveritar. Ai tha se ky është një moment çlirimi për Kosovën, pasi pas çlirimit nga Serbia, tani u çlirua edhe nga zhvatësit e papërgjegjshëm politikë.

Kurrë Republika e Kosovës deri më tani nuk ka pasur qeveri më të mirë sesa ky kabinet qeveritar i Kurtit 2.

Pas çlirimit ushtarak nga Serbia, Republika e Kosovës tani u çlirua edha nga zhvatësit e papërgjegjshëm politikë të cilët njëzet vjet radhazi u pasuruan në kurriz të qytetareve.

Në fund, Mehazi përmendi edhe barrën e madhe të cilën e ka Albin Kurti, tash pas zgjedhjes si kryeministër i vendit.

“I nderuar Albin Kurti sa më shumë urime të keni, po aq edhe më shumë barrë të madhe do keni ndaj 500,000 votuesve tuaj, tani e tutje suksesi do jetë i juaji, po edhe dështimet do jenë tuajat, e ne besojmë në sukseset politike, ekonomike, ndërkombëtare etj.

Ju pret liberalizimi i vizave të qytetarëve, lufta kundër korrupsionit e krimit të organizuar, ju pret dialogu me Serbinë e associacionet serbe në Kosovë, ju pret BE-ja, NATO e OKB-ja etj. Suksese, suksese e kurrgjë më shumë për qeverinë Kurti 2”, përfundoi profesor Mehazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat