Reforma dhe tensione në LDK, “Garda e re” përballë akuzave të “Gardës së vjetër”

Politika

Reforma dhe tensione në LDK, “Garda e re” përballë akuzave të “Gardës së vjetër”

Arife Morina Nga Arife Morina Më 25 mars 2021 Në ora: 08:31
LDK

Ato u zhvilluan me 14 mars dhe çdo gjë dukej që shkonte në harmoni me të gjithë anëtarët e kësaj partie.

Lumir Abdixhiku u shpall fitues i këtyre zgjedhjeve, duke u bërë kryetari i ri i LDK-së, pasi mposhti në garë për të parin e partisë, Lutfi Hazirin dhe Besian Mustafën.

‘Shkëndijat’ e para të problemeve dhe konflikteve u vënë në pah pas zgjedhjes së kryesisë së re të LDK-së.
Jashtë saj mbeten shumë emra të njohur të LDK-së, por që veçohen ish-nënkryetarët Agim Veliu e Haki Rugova, ish-sekretari Arban Abrashi, deputeti i zgjedhur, Driton Selmanaj dhe emra të tjerë.

Ndërsa pjesë e Kryesisë së re u bën emra të ri që nuk ishin më parë në LDK. Në pozitën e nënkryetares u zgjodh Shqipe Mjekiqi, kurse Sibel Halimi, anëtare e Kryesisë.

Një nga personat e parë që doli kundër Abdixhikut dhe kryesisë së re, ishte deputeti Driton Selmanaj. Ai tha se Abdixhiku po tenton ta rikthejë Vjosa Osmanin në LDK, duke e diferencuar atë nga Kurti.

“Çdo përpjekje për ta ndarë apo diferencuar Vjosën nga Albini dhe Vetëvendosja, është përpjekje për ta transferuar mashtrueshëm votën tek projekti i këtij binomi të dëmshëm politik”, shkroi Selmanaj në Facebook, përcjell “Bota sot”.

I menjëhershëm ishte reagimin i Anton Qunit kundër Selmanajt, duke ia bërë me dije se LDK-së do t’i rikthehet shumë shpejt dinjiteti i saj.

“LDK-së po i rikthehet dinjiteti me hapa shumë të sigurt. "Dream Team" në krye me Lumirin”, ishte kundërpërgjigjja e Qunit ndaj Selmanajt.

Përveç, këtyre përplasjeve Quni-Selmanaj, reagime kundër kryetarit dhe kryesisë së re erdhën edhe nga emrat e njohur të LDK-së, si: Melihate Tërmkolli, Naser Rugova, etj.

Njohësit e çështjeve politike gjatë prononcimeve për gazetën “Bota sot”, deklaruan se këto përplasje mes ‘gardës’ së re dh të vjetër të LDK-së, mund ta thellojnë edhe më tepër krizën e saj politike.

Gjithashtu, ata u shprehen se në LDK ka konflikt mentalitetesh, jo për nga mosha por mendësia.

Halili: Garda e vjetër e LDK-së, e pafuqishme në politik bërjen e partisë

Image
Nijazi Halili

Nijazi Halili, anëtari i Akademisë Shqiptare-Amerikane për Shkencë dhe Arte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka komentuar zgjedhjen e kryesisë së re të Lidhjes Demokratiket të Kosovës (LDK) dhe përplasjen në mes anëtarëve të vjetër dhe të rinj të saj.

“Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës ka zgjedhur kryesinë e re, katër nënkryetarët dhe sekretarin e partisë. Në kryesinë e re, të propozuar nga kryetari Lumir Abdixhiku, nuk janë përfshirë ish-nënkryetarët e partisë Agim Veliu dhe Haki Rugova. Anëtarë të kryesisë së re të LDK-së nuk janë as Ismet Beqiri, Muharrem Svarqa, Skënder Hyseni, Arban Abrashi, Naser Osmani e Florian Dushi. Kjo është lista e kryesisë së re të LDK-së e bërë publike nga mediat, ku përfshihen, kryetari, katër nënkryetarët, sekretari organizativ, kryetarja e Forumit të Gruas dhe kryetari i Forumit të Rinisë’, ka thënë Halili.

Ai u shpreh me bindje të thellë se Lumir Abdixhiku është shpresa e LDK-së dhe nuk do të mund të ndikojë garda e vjetër në politikë-bërjen e këtij subjekti duke e ditur pasojat që i ka shkaktuar këtij subjekti politik për vite të tëra.

“Me bindje te thelle e përsëris se “Lumir Abdixhiku, është frymë e re LDK-së, dhe shpresa e se ardhmes së saj, çdo alternative tjetër do të ishte fatale për ardhmërinë e këtij subjekti. Si rrjedhojë, ky është ndryshimi, fryma e re e Lidhjes Demokratike të Kosovës, kurse pakënaqësitë e shprehura nga garda e vjetër e LDK-së pas reformimit të LDK-së nuk besoj se mund të ndikoj garda e vjetër në politik bërjen e këtij subjekti , si rrjedhojë duke e ditur pasojat që i ka shkaktuar këtij subjekti politik për vite të tëra, në krye me ish kryetarin e saj, Isa Mustafa i cili e kishte sjellë këtë subjekt politik në buzë të greminës, andaj fryma e re do te jete mjaftë skeptikë dhe nuk do të lejon që të përsëritet avazi i vjetër duke luajtur me fatin e partisë për interesa klanore”, ka theksuar ai.

Në fund, anëtari i Akademisë Shqiptare-Amerikane tha se LDK-ja pas zgjedhjes së kryetarit dhe kryesisë së re, do të funksionojë ndryshe dhe do të rikthejë besimin e humbur te elektorati i tij.

“Lumir Abdixhiku tani ka fuqinë e plotë politike në subjektin e tij, pasi që ka marrë betimin dhe mbështetjen nga elektorati i LDK-së, pas një zbehje të këtij subjekti i cili u pa në zgjedhjet e 14 shkurtit. Në fund, theksoj se pas këtij procesi, Lidhja Demokratike e Kosovës do të funksionojë ndryshe dhe do të rikthejë besimin e humbur te elektoratin e tij’, ka deklaruar Nijazi Halili për “Bota sot”.

Ahmeti: Brenda LDK-se ka konflikt mentalitetesh, jo për nga mosha por mendësia

Image
Hidajet Ahmeti

Ndërsa, njohësi i çështjeve politikë, Hidajet Ahmeti në një bashkëbisedim me “Bota sot” tha se Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) po përballet me sfida të vazhdueshme.

Ahmeti konsideroi se që nga vdekja e Presidentit Rugova, LDK asnjëherë nuk iu nënshtrua vlerësimit kritik.

“LDK-ja si parti politike me një traditë institucionaliste është përballur me sfida të vazhdueshme, por nga vdekja e presidentit Rugova asnjëherë nuk iu ka nënshtruar vlerësimit kritik të mirëfilltë. Gjykoj se brenda LDK-se ka konflikt mentalitetesh, jo për nga mosha por mendësia”, ka deklaruar ai.

Analisti paralajmëroi se në LDK në një të ardhme të afërt, do të këtë kundërthënie edhe më të mëdha, sesa këto të ditëve të fundit.

“Ky konflikt është shpërfaqur në vazhdimësi, por jo në këtë masë sikur tani. Mendoj se LDK-ja e ka të domosdoshme të reflektoj një logjikë tjetër të bashkëpunimit, diskursit dhe lidhjes me elektoratin. Në LDK do të këtë kundërthënie më të mëdha në një të ardhme të afërt, zgjedhja e kryetarit të ri është vetëm ndryshim kozmetik e jo ndryshimet që i duhen LDK-së”, është shprehur analisti Hidajet Ahmeti për “Bota sot”.

Duhanaj: Ky është rreziku me të cilin mund të përballet LDK, shkaku i përplasjeve brenda partiake

Image
Leon Duhanaj

Kurse, analisti politik, Leon Duhanaj në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka komentuar zhvillimet politike dhe përplasjet brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Pas këtyre zgjedhjeve të brendshme të LDK-së, Duhanaj shprehet skeptik sa i përket zgjidhjes konsensuale brenda saj, pasi vërehet se ka hatër mbetje në mes anëtarëve të saj.

“LDK, pas rezultateve zhgënjyese në zgjedhjet e 14 shkurtit, bëri një hap të rëndësishëm dhe të domosdoshëm, duke bërë ndryshime thelbësore në udhëheqësin e saj. Tani kemi Kryetarin e ri, Kryesinë e re dhe Këshillin e Përgjithshëm të ri.

Në këto struktura me propozimin e kryetarit Abdixhiku, kanë ardhur figura të reja. Nuk e di sa kanë qenë zgjidhje konsensuale brenda subjektit, por ajo që vërehet nga jashtë, duket të ketë hatër mbetje”, ka theksuar ai.

Analisti tha se një nga faktorët kryesor për suksesin dhe mossuksesin e një partie politike është klima që mbretëron, brenda saj.

“Për mendimin tim, për suksesin apo mossuksesin e një subjekti, faktori me i rëndësishëm është klima e cila mbretëron brenda grupit. Nëse LDK, arrin në masë të madhe të dalë në pajtim të përgjithshëm, mendoj që mund të gjejë rrugë stabilizimi”, ka nënvizuar Duhanaj.

Në fund, analisti politik potencoi se konfrontimet mes ‘gardës’ së re dhe të vjetër të LDK-së, janë rrezik që elektorati i ikur të mos iu kthehet.

“Nëse prapë vazhdojnë të kenë debate të hapura pro dhe kontra me njëri tjetrin, ka rrezik për ta që elektorati i ikur edhe të mos u kthehet më.

Kryesia e re, përkatësisht kryetari, Abdixhiku, besoj është koshient për ketë situatë dhe nga ai do të varet se a do të ketë rritje dhe mbështetje, apo dështim dhe përgjegjësi”, ka përfundoi Leon Duhanaj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat