A mund të dërgohet qeveria Kurti II në Kushtetuese, flasin juristët

Politika

A mund të dërgohet qeveria Kurti II në Kushtetuese, flasin juristët

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 28 mars 2021 Në ora: 12:41
Seanca e Kuvendit - 20/03/2021

Më 22 mars u konstitua Kuvendi i Kosovës, i cili po atë ditë zgjodhi qeverinë e re të vendit me kryeministër Albin Kurtin.

Me 67 vota pro të deputetëve, ai formoi Qeverinë Kurti II, pavarësisht se nuk iu lejua pjesëmarrja në zgjedhje.

Qeveria e re e Kosovës në krye me kryeministrin Albin Kurti ka 15 ministri dhe tre zëvendëskryeministra: zëvendëskryeministër i parë për Integrime evropiane, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimi; zëvendëskryeministre e dytë dhe Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla dhe zëvendëskryeministre e tretë për çështje të pakicave dhe të drejtat e njeriut, Emilija Rexhepi.

Por, posti i Kurtit si kryeministër po kontestohet nga opozita, sidomos nga LDK.

Së fundmi, nënkryetari i parë i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri ka folur për mundësinë që subjekti i tij ta dërgojë në Gjykatë Kushtetuese kreun e zgjedhur të ekzekutivit, Albin Kurtin, nën arsyetimin se zgjedhja e tij ka qenë e jashtëligjshme, pasi i njëjti në parim nuk u lejua që të kandidojë për deputet të Kuvendit.

Haziri u shpreh që nuk e kanë diskutuar këtë çështje në partinë e tij.

“LDK-ja nuk e ka diskutuar këtë çështje, ne e kemi përmend z.Gashi e ka përmend një kryeministër që përmendet me këtë hendikep, ai e nënvizoi si fakt, po sjellja jonë sot në Kuvend dhe në zgjedhjen e Qeverisë është parë çfarë është, është çështje politike”, ka thënë ai.

Ndërsa njohësit e çështjeve juridike, për “Bota sot” u shprehën se LDK mund të dërgojë kërkesën për qeverinë Kurti II në Kushtetuese mirëpo që duhet të jetë e bazuar në fakte.

Miftaraj: Kërkesa për qeverinë Kurti mund të dërgohet në Kushtetutë mirëpo duhet të jetë e argumentuar

Lidhur me këtë, Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), në një bashkëbisedim me “Bota sot”, u shpreh se në bazë të Kushtetutës është e mundur të kontestohet vendimi i Kuvendit të Kosovës në lidhej me Qeverinë e Kosovës në rastin konkret nga deputetët e opozitës.

Image
Ehat Miftaraj

Gjithashtu, Miftaraj thotë se kërkesa varet edhe në mënyrën se si argumentohet kërkesa për kushtetutshmërinë e vendimit.

“Në bazë të Kushtetutës është e mundur të kontestohet vendimi i Kuvendit të Kosovës lidhur me formimin e qeverisë Kurti nga palët e autorizuara, në rastin konkret nga deputetët e opozitës. Sigurisht se varësisht si argumentohet kërkesa për kushtetutshmërinë e vendimit lidhur me formimin e Qeverisë Kurti”, u shpreh Miftaraj.

Ndër të tjera, Miftaraj thotë se Kushtetuta më pas vendos nëse e njëjta është e formuar në pajtim me Kushtetutën apo jo.

Miftaraj përmend edhe vendimin e fundit në lidhje me kufizimin e të drejtës për kandidim të atyre personave të cilat janë dënuar në tre vitet e fundit.

“Gjykata Kushtetuese mund të vendos nëse e njëjta është formuar në pajtim me Kushtetutën dhe praktikën e kësaj gjykate, respektivisht vendimin e fundit lidhur me kufizimin e të drejtës për të kandiduar për deputet personat që janë të dënuar në tre vitet e fundit, ku ky parim lehtësisht mund të zbatohet edhe për ekzekutivin”, ka deklaruar Ehat Miftaraj për “Bota sot”.

Kelmendi: Kërkesa nga LDK mund të dërgohet në Kushtetuese mirëpo duhet paraqitur faktet

Edhe njohësi i çështjeve juridike dhe profesori Muhamet Kelmendi, në një prononcim për “Bota sot”, ka folur në lidhje me mundësinë që qeveria Kurti II të dërgohet në Kushtetuese.

Image
Muhamet Kelmendi

Kelmendi thotë se LDK mund të dërgojë padi në Kushtetuese mirëpo duhet të paraqesë fakte e më pas duhet të shohim nëse Gjykata i merr parasysh.

“Në Gjykatën Kushtetuese mund të dërgohen çështjet që subjektet politike apo një grup i qytetarëve si dhe vet Presidenti, kur mendojnë për vendimet e Parlamentit a të Qeverisë se ka shkelje kushtetuese, duke ngritur padi pranë kësaj Gjykate. Në këtë Gjykatë dërgohen edhe shumë raste tjera. Pra, LDK mund të ngrit padi në Gjykatën Kushtetuese. Mirëpo është çështja se çfarë përfundimeve do të kemi nga kjo Gjykatë”, ka theksuar juristi.

Më tej, ai thotë se në këtë Gjykatë mund të dërgohen çështje të ndryshme, ku e përbashkëta e tyre është antikushtetushmëria e tyre.

Kelmendi përmend disa nga rastet ku ka antikushtetuese, radhitja e punëve në Kuvend, mos zgjedhja e presidentit para kryeministrit me qeveri, mos përgatitja e duhur dhe mos paraqitja e programit zgjedhur para deputetëve e disa nga çështjet e tjera.

“Rastet pse dërgohen çështjet në Gjykatë janë të duarduarshme. Por e përbashkëta është se çfarë është objekti i padisë në Gjykatën Kushtetuese. Objekt për Gjykatë është çdo herë antikushtetutshmëria. Në rastin konkret nuk di se cila është baza antikushtetuese! Radhitja e punëve në Kuvend? Mos zgjedhja e Presidentit para Kryeministrit me Qeveri? Mos përgatitja e duhur dhe mos paraqitja e programit zgjedhor para deputetëve? Mosngarkimi i Kurtit nga Kryesi i detyrës së Presidentit për formimin e Qeverisë? Ngritja si në luftë për zgjedhjen e Qeverisë? Mos dhënia e dy ministrive Listës Serbe kur ndërtohen mbi 12 ministri në Qeveri? I tregova disa raste nga mund të kontestohen. Janë këto rastet që tregojnë mos ecjen e duhur sipas praktikës së njohur parlamentare në zgjedhje! A janë këto fakte të mjaftueshme për anulimin e zgjedhje së Qeverisë mbetet të shihet! Megjithatë është mirë që çështja të shkon në Gjykatën Kushtetuese. Kemi rast dhe mundësi të shohim përfundimin e çështjes”, ka përfunduar Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat