Miroslav Lajçak i padëshiruar në dialogun Kosovë-Serbi

Politika

Miroslav Lajçak i padëshiruar në dialogun Kosovë-Serbi

Albulena Muji Nga Albulena Muji Më 1 prill 2021 Në ora: 08:07
Mirosllav Lajçak

Emisari i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak edhe për 17 muaj do ta udhëheq dialogun Kosovë-Serbi. Kështu ka vendosur Këshilli Evropian.

Por, një gjë e tillë nuk është mirëpritur në Kosovë. Kjo shkak i disa skandaleve të Lajçak-ut.

Ai vitin e kaluar, gjatë një vizite në Beograd kishte përmendur ndryshimin e Kushtetutës së Kosovës.

Një skandal tjetër i Lajçak-ut që bëri jehonë jo vetëm në vendin tonë është edhe harta në zyrën e tij. Gjatë një interviste nga një media ndërkombëtare, ishte vërejtur se në hartën që e mban ai në zyrën e tij Kosova përshihet brenda Serbisë.

Vazhdimin e misionit të Lajçakut, nga këshilli i BE-së, po shihet si gabim në Kosovë. Sipas tyre, nuk është dashur t`i vazhdohet fare mandati Lajçak-ut.

Voca: BE bëri gabim që vazhdoi mandatin e Lajçak-ut

Njohësi i Integrimeve Evropiane, Mirsad Voca, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, ka folur për vazhdimin e misionit të Lajçak-ut, duke theksuar se BE-ja ka bërë gabim.

“Lajçak-ut iu vazhdua mandati, por kjo nuk garanton se misioni i tij do të jetë i suksesshëm për arsye të cilat i kam theksuar më parë, sepse deri tani nuk ka sjellë ndonjë kontribut në këtë dialog përveç skandalit të fundit me hartën i cili ishte i papranueshëm. BE bëri gabim që vazhdoi mandatin e tij, por që roli i tij tani besoj se do të jetë vetëm simbolik dhe pa ndonjë peshë të veçantë në këtë dialog. Lajçak, si duket vazhdon të orvatet për të shtyrë një marrëveshje Kosovë Serbi, e cila mund të na shfaqet sa e ngutshme po aq e dëmshme”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Po ashtu, Voca ka treguar se çfarë ua kishin bërë të qartë Osmani dhe Kurti, Lajçak-ut gjatë vizitës së fundit në Kosovë.

Image
Mirsad Voca

“Fatmirësisht, atij iu bë mjaft e qartë, nga u.d e presidentit, V. Osmani dhe kryeministri në ardhje A. Kurti se Kosova nuk diskuton për asnjë marrëveshje që bie ndeshë me frymën e saj kushtetuese. Në emër të një marrëveshje finale me Serbinë Kosova ka patur premtime pa ndërprerë duke u nisur nga liberalizimi i vizave dhe investime në fusha të ndryshme, ndërsa Kosova vazhdon të mbetet vendi i vetëm i izoluar në Ballkan. Prandaj, nuk është e shëndoshë që Kosova ti besoj premtimeve boshe pa veprim konkret nga ana e BE-së”, ka potencuar ai.

Ndërkaq, ai i ka sugjeruar Qeverisë së re të Kosovës që të krijojë kanale të rregullta komunikimi me ShBA, Berlinin, Parisin si dhe Londrën.

“Kosova duhet fokusuar të luftoj korrupsionin vet brenda saj sepse ky është mandati i Qeverisë aktuale dhe ka mjaft potencial ta bëj këtë. Dialogu me Serbinë nuk do të duhej fare ndërlidhur me zhvillimet e politikave të brendshme të Kosovës, ndërsa Lajçak, ripërsëritur të njëjtën retorikë këtë herë ndaj akterëve të ndryshëm në Kosovë, me të cilët ai e kuptoi mjaft qartë se nuk do të jetë më asnjëherë si më parë sepse tani Kosova din çfarë dëshiron dhe nuk ka kohë të humbë së fokusuari në atë se çfarë një ndërmjetësues politikisht i skaduar si Lajçak ofron në emër të BE-së. Në mënyrë që roli i Lajçak si ndërmjetës të jetë simbolik, do të sugjeroja që Qeveria të krijojë kanale të rregullta komunikimi me ShBA, Berlinin, Parisin si dhe Londrën, aq më tepër kur kemi parasysh që politika e jashtme e BE-së ende mbetet për tu konsoliduar

Halili: BE-ja duhet ta zëvendësoj urgjentisht Lajçak-un

Ndërsa, profesori Nijazi Halili, për “Bota sot” është shprehur se deri më tani nuk është arritur qëllimi i dialogut Kosovë-Serbi.

Image
Nijazi Halili

“Kur përflitej mundësia e normalizimit të marrëdhënieve në mes Kosovës dhe Serbisë, dialogu thuhej se është forma e vetme dhe më e mira e mundshme për të arritur këtë qëllim. Sot mund të themi se është dëshmuar e kundërta. Krejt çka ka sjell ky dialog i pabarabartë dhe pa kushte për Serbinë është forcimi i Serbisë brenda Kosovës dhe lehtësimi i rrugës së saj drejt anëtarësimit në BE. Ky proces vazhdimisht ka prodhuar marrëveshje të dëmshme për Kosovën, ka legjitimuar strukturat paralele dhe kriminale të Serbisë në veri, ka forcuar pozicionin e saj jo vetëm brenda Kosovës por duke fuqizuar atë edhe si faktor në rajon. E me të gjitha këto zhvillime, deri në fund, po duket se krejt çka do të prodhoj ky proces është autonomi për veriun duke krijuar një shtet jo funksional të Kosovës”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Më tej, Halili ka treguar se çfarë rrezikon Kosova me negociatat me Serbinë.

“Negociatat Kosovë-Serbi rrezikojnë të krijojnë një shtet jo funksional të Kosovës. Shumë shpesh, pjesëmarrja në këto negociata na është arsyetuar me përfitimet të ndryshme si: njohja nga pesë shtete e BE-së që ende nuk e kanë njohur Kosovën, arritja e marrëveshjeve për integrim në BE, njohja e Kosovës nga Serbia, etj. Mirëpo, nuk duhet të harrojmë se asnjëra nga këto nuk i garanton Kosovës funksionalitetin si një shtet normal”, ka theksuar profesori.

Gjithashtu, Halili ka folur edhe për vazhdimin e misionit të Lajçak-ut, ku ka thënë se ky i fundit duhet të zëvendësohet nga BE-ja.

“Tani emërimi i të ngarkuarit për Dialogun Kosovë-Serbi, nga BE është i pajustifikueshëm dhe i pa pranueshme për palën Kosovare, pasi që i emëruari për dialog z. Lajçak vjen nga një shtet që nuk e njeh shtetin e Kosovës, prandaj me urgjencë duhet që autoritete e Bashkimi Evropian ta zëvendësoj, diplomatin Lajçak me ndonjë përfaqësues tjetër, që vjen nga ndonjë shtet i BE që e njeh shtetin e Kosovës, për ndryshe i tërë proces i dialogut do të dështoj, duke krijuar destabilitet politik dhe pengesë për integrimin e vendit në familjen evropiane”, ka thënë Halili për “Bota sot”.

Ahmeti: Lajçak-ut nuk është dashur t`i vazhdohet misioni

Kurse, njohësi i çështjeve politike, Hidajet Ahmeti, ka theksuar se Lajçak ka bërë disa gabime, për të cilat nuk është dashur t`i vazhdohet misioni.

Image
Hidajet Ahmeti

“Gjykoj se vazhdimi i mandatit të Dërguarit Special për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, potencialisht është vazhdimësi e logjikës së njëjtë dialoguese, pasi po njëjti ka bërë disa gabime të cilat do ta arsyetonin për të mos ia vazhduar mandatin”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës duhet të ketë kujdes lidhur me emërimin e ekipit negociator.

“Qeveria e re duhet të jetë syhapur në emërimin e ekipit negociator dhe të ketë një strategji të qartë dialoguese, si një çështje shumë të ndjeshme për të ardhmen dhe anëtarësimin e Kosovës në mekanizma ndërkombëtar”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Në fund, Ahmeti ka vënë në theks se Lajçak nuk duhet që të jetë në frymën e shtetit nga është, por në frymën e institucioneve të BE-së .

“Lajçak duhet objektiv e të përfaqësoj mandatin e tij në mënyrën më të mirë të mundshme e jo të jetë i njëanshme, pasi dialogu si dy palë të barabarta nuk do të ketë kuptim. Mandati i zotit Lajçak nuk duhet të jetë në frymën e shtetit nga është, por në frymën e institucioneve të BE-së për të ndërtuar besim e siguri reciproke si dy shtete të barabarta në dialog, por mbi të gjitha për të prodhuar rezultate konkrete në raportet e mira në mes dy shteteve”, ka përfunduar Ahmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat