“Kurthi kundër Albin Kurtit”/ “Kujdes kryeministër me Emmanuel Macronin dhe Edi Ramën”

Politika

“Kurthi kundër Albin Kurtit”/ “Kujdes kryeministër me Emmanuel Macronin dhe Edi Ramën”

Nga: N.Sh Më: 1 prill 2021 Në ora: 21:16
Albin Kurti dhe Emmanuel Macron

Çështja e dialogut me Serbinë është dhe do të mbetet beteja kryesore e qeverisë së re dhe presidentes në fushën e politikës së jashtme.

Kështu ka vlerësuar prof. Dr. Enver Bytyçi, i cili shton se, vazhdimi i dialogut nuk ka alternativë.

Sipas tij, duket se edhe faktori ndërkombëtar është në një fazë veprimtarie intensive për ta mbyllur atë.

“Kësisoj këtij presioni të BE-së, Gjermanisë, Francës, Britanisë së Madhe nga njëra anë dhe SHBA-ve nga ana tjetër, nuk mund t'i ikë qeveria Kurti dhe as presidentja në ardhje, Osmani”, thotë profesori për gazetën “Bota sot”.

Ai pohon se, presion më të madh duket se do të ketë mbi Serbinë sesa mbi Kosovën.

“Kosovës po i kërkohet thjesht vazhdimi i dialogut, ndërkohë që Serbisë po i kërkohet "njohja e ndërsjellët"! Serbia është nervoze, Kosova duket e qetë. Nervoziteti në Serbi duket tek presidenti Vuçiq, por edhe te përfaqësuesit e tjerë të institucioneve të saj. Në Kosovë kryeministri dhe zonja Osmani e kanë mendjen të kthjellët deri tani dhe nuk janë as nervozë, as nuk po nguten. Kjo është shenjë e mirë për Kosovën”, shton profesori.

Bytyçi pohon se, për dialogun kanë folur presidenti Biden, sekretari i Shtetit Blinken, kancelarja Merkel dhe së fundmi ka shkruar letër për këtë edhe presidenti i Francës, Macron.

Image
Prof. dr. Enver Bytyçi

“Macron është në një situatë shumë të vështirë në vendin e tij. Ka probleme dhe kriza të brendshme të pashembullta. Megjithatë ai thotë se do të gjejë kohë të presë zotin Kurti në Paris. Para zotit Kurti ishte në Paris Vuçiq dhe Edi Rama. Këta të dy janë deklaruar se shkuan atje me ftesë të presidentit francez për të biseduar për dialogun dhe zgjidhjen e konfliktit midis Kosovës dhe Serbisë”, thekson ai.

Profesori shton se, duhet patur kujdes nëse Albin Kurti do të shkojë në takim me Emmanuel Macron.

“Ai i ka premtuar diçka thelbësore Aleksandër Vuçiq dhe për ta mbajtur premtimin fillimisht ftoi në Shën Elize kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama. Ky i fundit tha se "Unë jam palë", prandaj "nuk mund të luaj ndonjë rol në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë"! Mbasi u bë palë për 4-5 vite me Serbinë kundër Kosovës për ndarjen e kësaj të fundit dhe pasi dështoi në këtë përpjekje, Edi Rama, u kujtua papritmas të thotë se "Jam palë", duke nënkuptuar se mban anën e Kosovës në këtë palë. Për mua ishte thjesht një përpjekje e Ramës për të rifituar pak simpati, kur autoriteti i tij është i dërrmuar nga veprimtaria anti-kombëtare që ka zhvilluar. I duhej kjo deklaratë si përpjekje për të marrë ndonjë votë më shumë më 25 prill. Ndërsa pritjen në Shën Elize e shfrytëzoi për të shitur pak kredite në publik”, thotë ai.

Ai shton se, Albin Kurti nuk duhet të gënjehet nga manovrat e Edi Ramës.

“Për Vjosën kam bindje se ajo qëndron stoike në parimet dhe konceptet e saj në dobi të shtetësisë dhe pavarësisë së Kosovës. Jo se kam dilema ndaj Albinit, por ai nuk e njeh sa e si duhet Edi Ramën. Periudha e bashkëpunimit me të e bën efektin e vet. I paska kërkuar bashkëpunim edhe për vaksinimin e mësuesve. Mirë ka bërë. Por duhet të kuptojë se Rama nuk ka hallin e mësuesve të Kosovës, por që të shitet vetë në opinion si "babai i kombit"! Kjo duhet evituar. Sepse kjo e dëmton rëndë dialogun me Serbinë dhe vetë Kosovën”, potencon Bytyçi.

Profesori tutje shprehet se, dialogu do të përmbyllet me njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë, por nuk beson se do të ndodh shpejt.

“Kjo për disa arsye: Së pari Vuçiq duket se nuk është i gatshëm ta bëjë këtë. Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit nuk i ngutet puna, sepse edhe nëse përfundon shpejt ky dialog, Kosova nuk mund të përfitojë ndonjë gjë shumë të madhe, përveç liberalizimit të vizave. Bashkësia ndërkombëtare dëshiron ta përfundojë këtë sa më shpejt. Ndoshta një presion i koordinuar midis Europës dhe SHBA-së do të ketë efekt. Por nuk besoj se Franca e Macron është e gatshme të mbështesë një zgjidhje pa e favorizuar Serbinë me diçka të rëndësishme nga Kosova. Asosacioni p.sh. Dihet se Franca e vendosi kufirin te Ura e Ibrit. Nuk duhet pritur që Macron të prishë traditën. Do të duhet marrë në konsideratë se Parisi nuk e lëshon Serbinë nga orbita e vet miqësore. Për të gjitha këto arsye them se BE dhe SHBA zot të gjejnë një gjuhë të përbashkët. Ndaj Serbia dhe Vuçiq do të përfitojnë me qëllim që të mos nënshkruajnë paqen. Pra do të mbajnë hapur konfliktin midis dy vendeve dhe rrezikun për destabilizimin e rajonit”, përfundon profesor dr. Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat