Premtimi i Kurtit/ Ja çfarë i bën reciprociteti Serbisë

Politika

Premtimi i Kurtit/ Ja çfarë i bën reciprociteti Serbisë

Nga: A.Z Më: 15 prill 2021 Në ora: 21:52
Albin Kurti

Gjatë fushatës zgjedhore, liderët politikë kanë dhënë premtime të shumta, nëse marrin qeverisjen në duart e tyre. U përfol për ngritje ekonomike, rritje rrogash, për dialogun e për reciprocitetin. Për këtë të fundit kishte folur edhe Albin Kurti, lideri i Vetëvendosjes, partia e të cilit doli bindshëm e para në zgjedhje.

Kurti ka thënë se nëse bëhet kryeministër i Kosovës, do të vendos masën e reciprocitetit ndaj Serbisë, masë që ishte edhe më herët por u hoq.

Por, Qeveria nuk ka ende asnjë datë se kur do të vendos masa reciprociteti me fqinjin verior.

Ndërsa, lidhur me këtë zëdhënësi i Qeverisë Përparim Kryeziu, ka thënë se nuk ka datë të caktuar, dhe se kjo është një çështje e cila vendoset mbi parime, e më pastaj ekzekutimi i saj është çështje e planifikimit të Qeverisë.

Kështu, analisti politik Hidajet Ahmeti, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se politika e reciprocitetit është promovuar vazhdimisht nga LVV-ja, gjë që duhet të pranohet edhe si praktikë ekonomike për fuqizimin e shtetit.

“Kryeministri, Albin Kurti edhe gjatë fushatës zgjedhore ka premtuar reciprocitetin me Serbinë, e cila politikë është promovuar në vazhdimësi nga zyrtarët e Vetëvendosjes. Gjykoj se një politikë e tillë duhet të pranohet edhe ndërkombëtarisht, por edhe si praktikë ekonomike përdoret në disa shtete, pasi reciprociteti si politikë ekonomike fuqizon identitetin e shtetit të Kosovës”, deklaroi Ahmeti.

Sipas tij, njëra ndër arsyet e vendosjes së reciprociteti është fuqizimi i ekonomisë, por edhe vetëdijëson shtetin serb që Kosova është shtet i pavarur.

“Mendoj se reciprociteti ndaj Serbisë duhet të vendoset për shumë arsye, në njërën anë fuqizon ekonominë brendshme të Kosovës, por njëkohësisht vetëdijeson shtetin serb, duke pranuar faktin se Kosova është shtet i pavarur dhe sovran e nuk ju nënshtrohet Serbisë”, përfundoi ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat