Çfarë fshihet pas sulmeve të pabaza të PDK-së ndaj ministres Donika Gërvalla?

Politika

Çfarë fshihet pas sulmeve të pabaza të PDK-së ndaj ministres Donika Gërvalla?

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 17 prill 2021 Në ora: 12:51
Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla

Të martën që po lëmë pas, Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla ka mbajtur takimin virtual me Këshillin e Sigurimit të OKB-së.

Ky takim bëri “bujë” tek opinioni publik mirëpo edhe tek ai ndërkombëtar, shkruan “Bota sot”.

Fjalimi që mbajti Gërvalla arriti që t’i lë gojëhapur të gjithë të pranishmit e në veçanti kryediplomatin serb, Nikola Selakoviq.

Në fjalimin e saj Gërvalla para anëtarëve të Këshillit të Sigurimit ka numëruar të bëmat e Serbisë fashiste mbi shqiptarët gjithashtu ka përmendur edhe vrasjen e babait të saj, Jusuf Gërvalla.

“Baba im është vrarë nga regjimi i Beogradit në tokë të huaj, në Gjermani. Fëmijëve të mi u them se nuk ka të bëjë me serbët por Serbia duhet ta bëjë dallimin – duhet t’i sjellë kriminelët e luftës para drejtësisë”, tha Gërvalla.

Mirëpo përveç numërimit të të gjitha dëmeve që Serbia ia ka bërë vendit tonë, ajo tha se Kosova është e gatshme për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe se pavarësia e saj është punë e kryer.

“Ne, si vend fqinj, jemi të interesuar për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë”, ishte shprehur Gërvalla.

Fjalimi i Gërvalles u lavdërua mjaft shumë nga të gjithë, duke e parë një nga fjalimet më dinjitoze të mbajtura nga ministrat e jashtëm të Kosovës.

Qëndrimi, fjalët dhe guximi që Gërvalla patë në këtë takim ishin ato të cilat morën vëmendjen duke e cilësuar një takim të frytshëm për Kosovën.

Por si duket “tërmetin” që shkaktoi Gërvalla disave ju pengoi.

Ishte deputetja e PDK-së Blera Deliu-Kodra, e cila pa asnjë arsye të fortë e kritikoi paraqitjen e Gërvallës.

Deliu-Kodra edhe pse pa që të gjithë e përqafuan paraqitjen e Gërvallës patë guximin të thotë fjalë kritikuese duke thënë se Gërvalla përqafoi narracionin serb dhe rus.

Deputetja nga PDK-ja, tha se fjalimi i Gërvallës shënoi një ditë turpi për Kosovën, që fatkeqësisht u orkestrua nga Qeveria e saj në Prishtinë, ka theksuar se çdo e arritur e Kosovës në politikën e jashtme është meritë e miqve ndërkombëtarë me në krye Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Nëse ata përpiqen t’i mohojnë të arriturat e PDK-së në shtet ndërtimin e Kosovës, të paktën të mos sillen naiv duke mohuar meritat e qytetarëve, miqve ndërkombëtarë dhe përqafojnë pa vetëdije narracionin serb dhe rus në marrëdhëniet ndërkombëtare”, ka përfunduar Deliu-Kodra.

Ndër të tjera, në këtë takim Kosova u përgëzua për mbajtjen e zgjedhjeve të 14 shkurtit në mënyrë të rregullt dhe formimin e institucioneve në mënyrë të rregullt.

Mehazi: Deklarata e deputetes Blerta Deliu-Kodra për ministren e jashtme, Donika Gërvalla, e thatë, pa asnjë argument

Profesori dhe njëherësh njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi, në një prononcim për “Bota sot”, ka komentuar deklaratën që deputetja nga radhët e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra e tha për ministren e jashtme, Donika Gërvalla.

Sipas profesorit, deklarata e deputetes është krejtësisht e pabazuar në argumente, pasi që Gërvalla bëri të kundërtën e asaj që ajo tha, nuk përqafoi narracionin serb por atë shqiptar duke e mbrojtur edhe flamurin e Kosovës nga dëshirat e armiqve serb e rus.

Image
Sulejman Mehazi

“Në të shumtën e rasteve partitë opozitare në Kosovë, bëhen të zëshëm mu kur s'duhet të jenë, sikurse deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, e cila në konferencë para mediave kritikon, pa kurrfarë argumentesh, Ministren e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvallën, duke i thënë: "se shënoi një ditë turpi në Këshillin e Sigurimit" dhe se Gërvalla paskësha "përqafuar narracionin serb e rus". Nuk e kemi të qartë deklaratën e deputetes së PDK-së, Blerta Deliu- Kodra, se çfarë konotacioni politik i jep bisedës së Ministres Gërvalla në OKB, kur për së pari herë Ministrja jonë e Kosovës Gërvalla, ndau shapin e Kosovës prej sheqerit serb, për herë të parë në historinë politike të Kosovës në Këshillin e Sigurimit u përqafua narracioni shqiptar nga Gërvalla, e largoi ndikimet narrative serbe e ruse nga Kosova. Është e palogjikshme t'i thuhet Gërvallës se në OKB, ka pasur ndikime narrative serbe kur ajo së bashku me miqtë e Kosovës mbrojti flamurin e Kosovës nga dëshirat armiqësore serbe e ruse”, u shpreh profesori.

Mehazi më tej ka shtuar se PDK është mësuar me narrativen politike superiore ndaj Serbisë, për këtë arsye ajo nuk ka mundur të shoh që Gërvalla ia numëroi Serbisë gjitha dëmet që ia ka bërë Kosovës.

“Partia e Blerta Deliu-Kodra nuk është mësuar me narrativen politike superiore ndaj Serbisë, por me ndikimet narrative përkulëse të Thaçi, Hoxhaj ndaj Serbisë, Serbia sulmonte ashpër Kosovën në OKB e ministrat me ndikime narrative serbe të PDK-së mbroheshin e pa fije guximi nuk mundnin t'ia përmendnin Serbisë krimet e bëra në Kosovë. Ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, është e ndikuar nga narrativat kombëtare të babai Jusufit e jo nga ndikimet serbe për shkëmbime territoresh të partisë PDK-së të Blerta Deliu-Kodra”, tha Mehazi për “Bota sot”.

Qarri: Gërvalla shkëlqeu ndërsa Deliu-Kodra u morë me deklarata të pandershme

Analisti politik Gani Qarri, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, u shpreh se deputetja nga radhët e PDK-së, duhet së bashku me partinë e saj të distancohet nga veprimet që i ka bërë më herët edhe Thaçi.

Sipas Qarrit paraqitja e Gërvallës ishte e suksesshme dhe doli të jetë fituese më kundërshtarët e pavarësisë tonë dhe se një deklaratë e lëshuara nga deputetja në fjalë është paturpësi politike.

Image
Gani Qarri

“Mjerisht deputetja nga radhët e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, e jo vetëm ajo, por pothuajse të gjithë anëtarët dhe kryesia e degjeneruar e kësaj partie, në vend se të distancohen përfundimisht nga veprimet renegate të kuislingut Hashim Thaçi, i cili e dërgoi Kosovën në prag të ndarjes dhe copëtimit, duan t’i mbulojnë tradhtitë shtetërore e kombëtare të tij dhe të PDK-së, duke u hedhur në sulm të paskrupullt, nga ç’mira kundër ministres më të suksesshme të Punëve të Jashtme, e cila qysh në takimin e parë diplomatik ndërkombëtar, doli fituese me kundërshtarët më të mëdhenj të pavarësisë së vendit tonë, si Rusia, në KS të OKB-së, gjë që nuk ka ndodhur deri më tani, tash e 21 vite pas lufte dhe çlirimit të Kosovës nga Serbia okupatore. Ndaj vetëm paturpësia politike, të cilën kryesia e degjeneruar e PDK-së, tanimë e kanë kthyer në ushqim primar dhe shërbehen publikisht me te, mund të çojë deri aty, sa që kundër një arritje sublime dhe suksesi aq të madh ndërkombëtar të Ministres tonë të Jashtme Donika Gërvallës, të mbahet edhe një biçim konference shtypi, për të komentuar në mënyrën më të pandershme dhe jashtë çdo niveli të karakterit njerëzor e politik, deklaratën brilante të Ministres së Jashtme të Kosovës, si një ditë turpi për Kosovën, akt i papresedan, që deri më tani, në Kosovë nuk ka ndodhur kurrë”, është shprehur Qarri.

Analisti më tej flet për kohën kur Thaçi udhëhiqte Kosovën dhe kërkesën e tij që kishte bërë për ndarjen e Kosovës, duke shtuar se këtë ngjarje nuk duhet ta harrojë as deputetja Deliu-Kodra por as partia e saj.

Duke vazhduar Qarri ia kujton marrëveshjet tradhtare, asociacionet e komunave serbe dhe falja e tokave, raste këto që nuk harrohen lehtë thotë analisti.

“Për aq më keq, po kjo biçim deputete, shkoi edhe më larg, madje deri atje, sa që edhe duelin e fituar me Rusinë, për mbrojtjen me dinjitet të pavarësisë dhe shtetësisë së Kosovës, ta quaj edhe përqafim të narracionit serb, e rus, vetëm pse Ministrja aktuale e punëve të Jashtme të Kosovës, nuk e përsëriti kërkesën renegate të kuislingut Hashim Thaçi edhe para KS të OKB-së, për ndarjen e Kosovës, siç bëri Thaçi duke kërkuar publikisht edhe ndihmën ndërkombëtare me 2018 në Alpbach të Austrisë për ndarjen e Kosovës dhe faljen e veriut të vendit tonë- Serbisë shoviniste. Deliu-Kodra dhe bashkëmalorët tjerë të PDK-së, bëjnë sikur duan të harrojnë se pikërisht për fajin e PDK-s dhe të vet kuislingut Hashim Thaçi me marrëveshjet tradhtare të të cilit, qoftë asociacioni i komunave serbe, falja e tokave të Kosovës FYROM-it dhe shtetit xhuxh të Malit të Zi, emërtimi i veriut të vendit tonë si toka të Rankoviçit, apo edhe kërkesa publike për ndarjen e Kosovës, jo vetëm se nuk janë distancuar kurrë, por mu këto akte tradhtare të Thaçit dhe PDK-së, bënë që jo vetëm Serbia, por edhe vendet tjera ballkanike e botërore, të kërkonin hapur mos praninë e simboleve tona shtetërore, përfshi edhe qeverinë e Edvin Kristaq Ramës në takimet bilaterale, që jo vetëm tentuan, por në disa raste edhe larguan flamurin e Kosovës , nga vendi i vendosjes së flamujve shtetëror, duke mohuar publikisht pavarësinë e vendit tonë”, potencoi analisti.

Qarri vazhdon më tej të thotë se deklarata e deputetes së PDK-së për ministren e jashtme, është deklaratë e paskrupullt pasi që Gërvalla arriti që ta përfaqësojë denjësisht Kosovën dhe mbrojti vendin edhe nga shteti i Rusisë, kur i kërkuan të largojë flamurin nga prapaskena.

“Ndaj deklarata e paskrupullt e deputetes së PDK-së, që vetëm pse Ministrja e Jashtme Donika Gërvalla theu me sukses brilant pretendimet ruso-serbe, për mohimin e shtetësisë së Kosovës dhe paraqitjes së saj si shtet i lirë e i pavarur edhe në Këshillin e Sigurimit, si njëri nga kremiumet më të larta të OKB-së, nuk janë më vetëm të paturpshme por edhe puro-propagandë ultrasllave në shërbim të hapur të mikut të Hashim Thaçit kriminelit Aleksandër Vuçiq dhe Serbisë shoviniste. Ndaj ky është shkaku se si kanë fytyrë njerëz të tillë, që edhe për bijën e një heroi të vrarë për çështjen e shenjtë të Kosovës nga UDB e Serbisë, dhe Ministren tonë më brilante të Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla, të thuhet se përqafoi narracionin serb e rus, vetëm pse ajo doli fitimtare në duelin me Rusinë dhe mbrojti me nderë e dinjitet pavarësinë dhe shtetësinë e vendit tonë”, theksoi Qarri.

Analisti shton se vendosmëria e Gërvallës arriti të bëjë që edhe Rusia të sheh se Kosova tashmë është shtet i lirë dhe demokratik, duke veçuar që kjo ishte një nga paraqitjet më të suksesshme në periudhën 21 vjeçare që nga çlirimi i Kosovës nga Serbia fashiste.

“Madje edhe vet paraqitja e saj, me plotë të drejtë, u vlerësua si me dinjitozja deri më tani, e cila jo vetëm e kundërshtoi, por doli edhe ngadhënjimtare në skenën më të madhe botërore të përballjes me Rusinë për heqjen e flamurit te Kosovës, me ç ‘rast Jo Donika, por Rusia më në fund u detyrua të tërhiqej dhe pranonte paraqitjen e Kosovës si shtet i lirë e i pavarur, si dhe përfaqësimin në këtë takim të një niveli kaq të lart ndërkombëtar me flamurin e saj shtetëror, suksese për çdo lëvdatë, të cilin nuk ka mundur ta shënojë kush deri më tani, në gjithë periudhën mbi 21 vjeçare të pas çlirimit të Kosovës nga Serbia fashiste”, përfundoi Gani Qarri për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat