Konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme, sfidë zbatueshmëria e ligjit

Politika

Konfiskimi i pasurisë së pajustifikueshme, sfidë zbatueshmëria e ligjit

Albulena Muji Nga Albulena Muji Më 18 prill 2021 Në ora: 08:03
Ilustrim

Vite më radhë është kërkuar që Kosova të luftojë korrupsionin dhe krimin e organizuar. Një përpjekje për parandalimin e këtyre dukurive mjaftë të shpeshta në vendin tonë e ka marrë tani Qeveria e Kosovës.

Gjatë këtyre ditëve, Qeveria e Kosovës nga Kryeministri, Albin Kurti ka miratuar një Koncept-dokument për konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme.

Sipas këtij, janë të identifikuar tre mekanizma kryesorë që përdoren për realizimin e këtij qëllimi: Konfiskimi penal i pasurisë, Konfiskimi administrativ, dhe Konfiskimi civil.

Ky ligj pritet të procedohet në Kuvendin e Republikës së Kosovë, ku deputetët e parlamentit do ta kenë mundësinë për votimin apo jo të tij.

Por, sipas ekspertëve ky ligj pritet të kalojë në Kuvend, pasi është një ligj i mirëpritur, mirëpo ka dyshime për zbatimin e tij.

Ahmeti: Do të ketë sfida në implementimin e ligjit

Lidhur më ketë çështje, Hidajet Ahmeti, njohësi i fushës së drejtësisë, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se pushtetet e pasluftës kanë instrumentalizuar çdo institucion publik të pavarur, duke transformuar në shërbim klienteles, nepotizmit e klientelizmit.

Image
Hidajet Ahmeti

“Korrupsioni  në një shtet është kancer për shoqërinë dhe vrasje e të ardhmes së asaj shoqëria. Mbijetesa e njerëzve të korruptuar e kriminalizuar në një shoqëri tranzicionale është falë kapjes së sistemit nga mafio-oligarkët. Piramida kriminale e  ndërtuar  për më shumë se një dekadë ka funksionalizuar falë hierarkisë institucionale, e cila është instrumentalizuar nga politika. Politika e saktësisht pushtet e pasluftës kanë instrumentalizuar çdo institucion publik të pavarur duke transformuar në shërbim klienteles, nepotizmit e klientelizmit. Kjo logjike e  instrumentalizimit politik përmes pushteteve të pasluftës ka prodhuar një gjendje të rëndë socio-ekonomike, e mbi të gjitha një anarki totale në institucionet publike”, ka deklaruar ai.

Miratimin e koncept-dokumentit për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme nga Qeveria, Ahmeti e ka quajtur lajm të mirë. Por, sipas tij, do të ketë sfida në implementimin e ligjit.

“Nga ky kaos i funksionimit të institucioneve publike është prodhuar një realitet i pajetueshëm për qytetarët e Republikës së Kosovës, i cili realitet çdo ditë e më shumë po ngufatë jetën institucionale, ekonomike e sociale. Prandaj, miratimi i koncept-dokumentin për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme nga Qeveria e Kosovës është një lajm i mirë për qytetarët e Kosovës dhe fuqizimin e shtetit të së drejtës. Do të ketë sfida në implementimin e ligjit, por besoj që ky veprim është i mençur dhe i duhur për t’i pastruar institucionet publike nga ata të cilët kanë keqpërdorur dhe keqpërdorin  buxhetin e shtetit të Kosovës për interesa klanore, klienteliste e e nepotike”, ka thënë Hidajet Ahmeti për gazetën “Bota sot”.

Krasniqi: Deputetët duhet me urgjencë ta votojnë këtë Ligj

Ndërkaq, njohësi i çështjeve juridike, Islam Krasniqi, ka deklaruar se deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet që votojnë ligj. Ai shprehet skeptik për zbatimin e ligjit, pasi që korrupsioni ka prekur palcën e klasës politike.

Image
Islam Krasniqi

“Deputetët duhet me urgjencë ta votojnë këtë Ligj, mirëpo do të jetë shumë problem që të gjejë zbatim pasi që korrupsioni ka prekur palcën e klasës politike, Prokurorëve dhe Gjyqtarëve të shtetit dhe pa u bërë Vettingu nuk mund të gjejë zbatim Ligji për konfiskimin e pasurisë”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, Krasniqi ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të fillojë procedurat e Vettingut, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të bëhet e mundshme konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të kundërligjshme.

“Qeveria duhet të fillojë procedurat e Vettingut sepse prokurorët dhe gjyqtarët përmes krimit të organizuar dhe korrupsionit kanë krijuar pasuri milionëshe. Gjithashtu klasa politike së bashku me ta duke e kontrolluar çdo gjë në këtë vend. Vettingu mund të kthjell gjithçka në këtë vend duke e bërë të mundshme edhe konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të kundërligjshme. Unë nuk kam pritje të mëdha në këtë mandat pasi që është shumë problem pasi ka shumë pengesa në çdo hap që pritet të marrë”, ka potencuar Islam Krasniqi për “Bota sot”.

Burjani: Ligji pa efekt

Kurse, njohësi i çështjeve juridike, Blerim Burjani, shprehet se një ligj i tillë është në fuqi por nuk ka gjetur zbatim.

Image
Blerim Burjani

“Nuk është problem ligji që propozohet nga VV-ja,  nga Qeveria e cila tenton të shpikë diçka që është kaherë në fuqi në Kosovë por problemi është se nuk zbatohen ligjet, sikur që është  ligji për kompetenca të zgjeruara për konfiskimin e pasurive, pastaj Kodi Penal, Ligji për prejardhjen e pasurisë, Ligji anti-korrupsion , pra problem nuk janë ligjet për të bërë një ligj të ri kot më shumë,  por duhet zbatuar ligjet ekzistuese. Problemi është të mos zbatimi jo që nuk është rregulluar me ligje. Tentativa e tillë është shumë amatore, dhe për këtë arsye po tentojnë ta quajnë  ndryshim që nuk ka lidhje me ndryshim”, ak thënë ai për “Bota sot”.

Sipas tij, kjo çështje mund të marrë shumë kohë  dhe se duhet që të shikohet me kujdes ligji i propozuar nga Qeveria.

“Konfiskimi i pasurisë, kjo nuk ndodhë pa u hapë procedura penale ndaj atyre që dyshohen. Kjo  në Kosovë merr kohë të madhe,  vetëm fillimi i seancave. Pa seanca gjyqësore dhe pa konstatime nuk mund të merren prona apo konfiskime edhe pse tentativa është politike, që  të mos ketë ndoshta një aktgjykim të formës së prerë. Kjo çështje është akoma herët dhe duhet të shikohet me kujdes ligji i propozuar. Kosova ka një ligj të tillë kaherë që mund të gjendet në Kuvend”, ka potencuar ai për “Bota sot”.

Më tej, Burjani është shprehur se procesi i konfiskimit duhet të ndodhë me një proces gjyqësor që përveç konfiskimit të pasurisë do të ketë edhe dënime me burg.

“Pra ekziston një ligj i tillë dhe shteti s’ka nevojë për agjenci shpenzuese dhe për gjëra tjera që tentohet politikisht të involvohet për të treguar se bëjnë diçka. Pra ky është një lloj mashtrimi i opinionit publik me këtë ligj sepse Kosova e ka ligjin e tillë. Procedura është e qartë, ajo e konfiskimit të pasurisë me  ligjin në fuqi dhe nuk ka nevojë për marketing politik dhe debate të kota publike për tema se gjoja po bëkan diçka të re që nuk e di askush. Procesi i konfiskimit duhet të ndodhë me një proces gjyqësor që përveç konfiskimit të pasurisë do të ketë edhe dënime me burg”, ka thënë ai.

Në fund, ai mendon se ligji mund të kalojë në Kuvend, por rithekson se mund të ketë komplikimi të procedurave dhe nga ato nuk mund të ketë efikasitet.

“Ligji mund të kalojë në Kuvend dhe të aprovohet, por efekti nuk ndodhë. Mund të kompleksohet procedura edhe më shumë dhe nuk ka efikasitet. Kosovës nuk i duhen me ligje në këtë fushë, por i duhet zbatimi i ligjeve aktuale dhe roli aktive apo super aktive i Gjykatës dhe Prokurorisë dhe Policisë. Pra duhet të ketë vet iniciativë të pavarur nga prokuroria dhe policia për tu marrë me përfituesit e pabazë, këtu ka shume përfitues të pabazë si thuhet prej vitesh, andaj duhet me u marrë prokuroria me hetime, pra të jetë shumë aktive. Kjo kështu si ishte deri tash, Kuvendi e as Qeveria nuk mund ta detyrojë prokurorinë të merret me këtë punë atë e detyron vetëm ligji dhe faktet, pra stagnimi ka ndodhur për shkak të mos hetimit të vazhdueshëm të personave që për vite kanë përfituar në mënyrë të paligjshme, prej politikanëve të ashtuquajtur dhe shërbyes civil dhe publik”, ka përfunduar Blerim Burjani për “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat