“Punësimet e familjarëve të Thaçit në RTK”, analisti alarmon Qeverinë Kurti – ia kërkon këtë gjë urgjentisht

Politika

“Punësimet e familjarëve të Thaçit në RTK”, analisti alarmon Qeverinë Kurti – ia kërkon këtë gjë urgjentisht

Nga: A.Morina Më: 18 prill 2021 Në ora: 16:50
Hashim Thaçi

Tre familjarë të vëllait të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit, Ganiut janë rehatuar në Radio Televizionin e Kosovës.

Raportohet se në RTK janë punësuar djali, reja dhe vëllai i resë së Gani Thaçit.

Leotrim Thaçi është angazhuar me kontratë mbi vepër si menaxher i Njësisë për të Drejtat Autoriale në RTK. Ai është djali i Gani Thaçit, vëllait të ish-Presidentit Hashim Thaçi. Gani Thaçi ka qenë pjesë e Byros së Kosovës të Sigurimeve.

Duke u bazuar në këto punësime politike dhe familjare, mund të themi lirisht se ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, po e ruan ndikimin e tij në Radio Televizionin e Kosovës, edhe pse gjendet në Hagë.

Njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri ka komentuar punësimet politike që janë bërë ditëve të fundit në Radio Televizionin e Kosovës (RTK).

Qarri tha se rrënjët e thella të nepotizmit në RTK, dolën në pah me punësimin e djalit, gruas dhe resë së vëllait të ish-presidentit Hashim Thaçi, pa asnjë konkurs publik, tërësisht fshehurazi.

Image
Njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri

“Punësimi i djalit, gruas dhe resë së vëllait të ish presidentit renegat, Hashim Thaçi, pothuajse njëkohësisht, pa asnjë konkurs publik, tërësisht fshehurazi dhe mu në të njëjtin televizion, ku pothuajse nuk janë parë kurrë edhe të shkojnë të punojnë, dëshmon edhe njëherë më tepër se keqpërdorimi i pozitës së drejtorit të përgjithshëm dhe rrënjët e nepotizmit, janë aq të thella në këtë Televizion, sa që Qeveria e re, duhet të thërrasë urgjentisht mbledhje dhe ta shkarkojë menjëherë drejtorin e katapultuar dhe të gjithë stafin e emëruar nga politika, në këtë institucion të privatizuar nga SHIK-u ilegal dhe PDK”, deklaroi Qarri.

Analisti u shpreh i frustruar me shkeljen e ligjit dhe nivelin e lartë të nepotizmit në RTK, duke deklaruar se ky televizion nuk është asgjë më shumë se çerdhe e përmjerrë e PDK-së dhe zëdhënëse besnike e SHIK-ut ilegal.

“Për aq më tepër nga papagajtë e këtij institucioni të privatizuar nga SHIK-u dhe PDK, trumbetohet deri në qiell, se kinse një radiotelevizion i tillë është edhe publik, i cili mbahet në këmbë me paratë e taksapaguesve të Kosovës dhe betohet për televizion të pavarur e të qasshëm për të gjithë, duke bërë shpeshherë propagandë edhe për ankesën më të vogël nga cilido person apo segment politik, se gjoja po përzihen në vendimmarrje dhe politikën redaktuese të këtij far kuazi-televizioni, i cili nuk është asgjë më shumë se çerdhe e përmjerrë e PDK-së dhe zëdhënëse besnike e SHIK-ut ilegal”, theksoi ai.

Tutje, Qarri tha se këto punësime të familjarëve të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, po dëshmohet se edhe 30 vite pas rënies së ish federatës jugosllave, akti i vijimësisë ideologjike dhe nepotizmit në Kosovë, vijon të përsëritet pareshtur nga neo-komunistët e rinj

“Kjo dëshmon se tradita ideologjike dhe nepotiste në institucionet e vendit edhe mbi 21 vite pas çlirimit, në Kosovë vazhdon, madje pasardhësit e ish komunistëve shqipfolës dhe bashkë ideologëve të tyre, të cilët dikur në ish jugosllavi, publikisht thërrisnin: "Edhe pas Titos-Tito", edhe mese 30 vite pas rënies së ish federatës jugosllave, akti i vijimësisë ideologjike dhe nepotizmit në Kosovë, vijon të përsëritet pareshtur nga neo-komunistët e rinj”, nënvizoi analisti.

Ai tha se edhe pas arrestimit nga Gjykata Speciale, ish-presidenti Hashim Thaçi, sikur të kishte në Kosovë po ndikon në punësimin e familjarëve të tij.

Qarri përmendi edhe afërsinë e Thaçit me drejtorin aktual të RTK-së dhe borxhet që këta dy të fundit kanë mes vete.

“Këtë e dëshmon vet fakti se edhe pas arrestimit të kuislingut Hashim Thaçi nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale, për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, njëjtë sikur ai të ishte ende në krye të posteve kryesore politike në vend, siç e vërtetoi edhe rasti më i ri, i paraqitur nga kombëtarja "Bota Sot", tre familjarë të vëllait të Hashim Thaçit, janë rehatuar, pa konkurs publik, fshehurazi dhe pa e ditur kush, në Radio Televizionin e Kosovës, gjë që është veprim plotësisht i dënueshëm dhe kundërligjor.

Për aq më tepër drejtori aktual i RTK-së, këtë ia ka borxh Hashim Thaçit, ngase që nga fillimi ishte i përkëdheluri i tij dhe me gjithë belbëzimet kuazi-gazetareske, pas vetëm rreth një viti pune, u katapultua drejtpërsëdrejti nga Hashim Thaçi, hiq më pak, se mu në postin e drejtorit të përgjithshëm të RTK-së, megjithëse në RTK, siç e di i gjithë opinioni kosovar e më gjerë, ka gazetar mjaft të mirë e të mirënjohur dhe me përvojë të gjatë mbi 30-40 vjeçare pune, por që vazhdojnë të mbeten vetëm folës të thjeshtë-"spiker" apo lexues lajmesh, dhe atë, në kohë të caktuar”, potencoi ai.

Në fund, analisti Qarri pas punësimit të familjarëve të ish-presidentit Thaçi, kërkoi nga Qeveria e re e Kosovës të thërras mbledhje urgjente dhe të shkarkojë menjëherë drejtorin dhe të gjithë stafin e emëruar politikisht në RTK.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat