Flasin nga Gjykata Speciale, kur do të fillojë dhe sa do të zgjasë gjykimi ndaj Thaҫit dhe të tjerëve

Politika

Flasin nga Gjykata Speciale, kur do të fillojë dhe sa do të zgjasë gjykimi ndaj Thaҫit dhe të tjerëve

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 21 prill 2021 Në ora: 10:21
Selimi, Thaçi, Veseli dhe Krasniqi, ilustrim nga "Bota sot"

Më tepër se 5 muaj më parë, Hashim Thaҫi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi janë nisur drejt Gjykatës Speciale në Hagë. Ata janë paraqitur disa herë në seancë në prani të avokatëve mbrojtës dhe janë deklaruar si të pafajshëm të gjithë.

Nga pala mbrojtëse është bërë kërkesë që ata të mbrohen në liri, mirëpo kjo gjë nuk është pranuar nga kjo gjykatë.

Seanca janë mbajtur edhe për ish-pjesëtarët e tjerë të UҪK-së, duke përfshirë Salih Mustafën, Nasim Haradinaj, Hysni Gucati e së fundi edhe Pjetër Shalën.

Mirëpo se kur do të merret një vendim përfundimtar apo në çfarë periudhe kohore do të zgjasë i gjithë procesi gjyqësor, për gazetën “Bota sot” kanë folur nga Dhomat e Specializuara.

Dhomat e Specializuara: Çështja kundër Thaçit dhe të tjerëve aktualisht është në fazën e procedurës paraprake

Në përgjigje e tyre dhënë për ‘Bota sot’, ata thonë se kohëzgjatja e procedurave varet nga ҫështja. Në rastin konkret, Hashim Thaҫi dhe të tjerët është e pamundur të thuhet se sa do të zgjasin procedurat.

“Kohëzgjatja e procedurave varet në një masë të madhe nga kompleksiteti i çështjes. Ndërsa Rregullorja e Procedurës dhe Provave parasheh disa kufizime kohore për veprime të caktuara me qëllim që të sigurojë procedura efikase, është e pamundur të thuhet në këtë fazë se sa kohë do të zgjasin procedurat, përfshirë fazën e gjykimit”, thonë zyrtarë nga Dhomat e Specializuara.

Tutje, ata kanë shpjeguar se si do të vijojnë procedurat, ndërsa aktualisht thonë se rasti Thaҫi dhe të tjerët është në procedurën paraprake.

“Çështja Prokurori i Specializuar kundër Thaçit dhe të tjerëve aktualisht është në fazën e procedurës paraprake. Gjatë kësaj faze, gjykatësi i procedurës paraprake mund të mbajë seanca, sipas nevojës, për përgatitjen e procedurave dhe vendosë mbi kundërshtimet fillestare të ngritura nga i akuzuari (referuar si mocione paraprake). Prokurori i Specializuar duhet t’i tregojë Mbrojtjes provat që mbështesin aktakuzën dhe deklaratat e të gjithë dëshmitarëve që Prokurori i Specializuar ka ndërmend t’i thërrasë në gjykim, si dhe dokumentet dhe provat materiale të cilat synon t’i paraqesë në gjykim”, thuhet tutje.

Nga Dhoma e Specializuar thuhet se gjithashtu, Mbrojtja duhet t’i tregojë Prokurorit të Specializuar listën e dëshmitarëve dhe çdo provë tjetër që ata synojnë të përdorin.

“Ky quhet procesi i nxjerrjes së materialeve. Në seancat e fundit publike, Mbrojtja dhe Prokurori i Specializuar kanë diskutuar lidhur me atë se kur mund të përfundojë ky proces. I takon gjykatësit të procedurës paraprake të vendosë, bazuar në argumentet e palëve, se kur do të dorëzohet dosja paraprake”, thuhet në përgjigjen për ‘Bota sot’.

Ndërkaq, pas kësaj faze, kur gjykatësi i procedurës paraprake ia kalon dosjen turpit gjykues prej tre gjykatësish dhe një gjykatësi rezervë, përfundon faza e procedurës paraprake dhe fillon faza e gjykimit. Ndërsa se sa mund të zgjas faza e gjykimit varet nga shumë faktorë. Sipas tyre, data e kalimit të dosjes tek trupi gjykues dhe data e fillimit të gjykimit nuk janë caktuar ende.

“Pas përfundimit të përgatitjeve gjykatësi i procedurës paraprake ia kalon dosjen e çështjes trupit gjykues prej tre gjykatësish dhe një gjykatësi rezervë, të cilët caktohen nga Presidenti. Vetëm atëherë përfundon faza e procedurës paraprake dhe fillon faza e gjykimit. Se sa do të zgjasë faza e gjykimit, varet nga faktorë të shumtë, si numri i dëshmitarëve të thirrur nga Prokurori Specializuar dhe ekipet e Mbrojtjes dhe numri i akuzave për t'u diskutuar. Data e kalimit të dosjes së çështjes trupit gjykues dhe data e fillimit të gjykimit nuk janë caktuar ende”, thuhet në përgjigjen nga Dhoma e Specializuar.

Burjani: Gjykimi mund të zgjasë deri në tre vjet, por varet nga shumë faktorë

Ndërsa, njohësi i ҫështjeve juridike, Blerim Burjani, ka thënë se gjykimet e tilla mund të zgjasin rreth tre vjet, mirëpo edhe kjo varet nga disa faktorë, si nga prokurori, gjykatësi dhe avokatët.

Image
Blerim Burjani

“Këto gjykime mund të zgjasin rreth tre vjet, nëse gjykata është efikase në trajtim të rasteve dhe pa shtyrje të seancave, kjo varet shumë edhe nga prokurori, gjykatësit dhe avokatët. Pra ka shumë gjëra që mund të bëjnë efikase trajtime të tilla nga gjykata”, ka deklaruar Blerim Burjani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat